Gallup: Vazhdon të bjerë besimi tek institucionet amerikane

Amerika

Gallup: Vazhdon të bjerë besimi tek institucionet amerikane

Më: 17 prill 2024 Në ora: 16:40
Foto ilustrim

Besimi i publikut tek qeveria, gjyqësori dhe ushtria amerikane ka rënë, duke e renditur vendin pas shumicës së shteteve të tjera të G7, sipas një analize të re të organizatës Gallup.

Rreth 68% e amerikanëve nuk kanë besim tek qeveria. Besimi tek sistemi i drejtësisë është 42%. Madje edhe ushtria amerikane, një institucion tradicionalisht popullor, përjetoi një rënie të besimit të publikut nga 90% në vitin 2021 në 80% vitin e kaluar.

Grupi i shtatë vendeve më të industrializuara, G7, përbëhet nga Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara.

Gjermania ka nivelin më të ulët të besimit të publikut tek ushtria, me rreth 60% që shprehin mungesë besimi.

Publiku amerikan duket i ndarë lidhur me buxhetin ushtarak të vendit, edhe pse Shtetet e Bashkuara shpenzojnë më shumë për ushtrinë sesa të gjitha vendet e tjera të G7 të marra së bashku.

Rreth 35% e amerikanëve mendojnë se shpenzimet janë shumë të larta, 29% besojnë se janë shumë të ulëta dhe 33% mendojnë se ushtria ka buxhetin e duhur.

“Nuk ka diçka që i shpjegon të gjitha”, thotë për Zërin e Amerikës Benedict Vigers, analist me organizatën Gallup. “Këto të dhëna duket të jenë pjesë e një prirjeje më të gjerë mes amerikanëve, që kalon përtej besimit të tyre tek institucionet politike.”

Ekspertët e lidhin besimin e publikut tek institucionet qeverisëse me cilësinë e shërbimeve publike që ajo ofron, masat efektive kundër korrupsionit, abuzimit me pushtetin dhe përparimet për trajtimin e pabarazisë kur flitet për të ardhurat dhe pasurinë.

“Efektshmëria e institucioneve publike varet nga besimi që kanë qytetarët dhe bizneset ndaj tyre”, thuhet në një raport të vitit të kaluar nga Banka Botërore.

Besimi i publikut tek institucionet amerikane po dobësohet, duke u shtrirë përtej organeve të pushtetit.

Besimi tek kishat dhe feja ka rënë në mënyrë të vazhdueshme, me një rekord prej 30% të amerikanëve që shprehën "shumë pak" besim vitin e kaluar, numri më i lartë që kur organizata Gallup filloi ta shtronte këtë pyetje në vitin 1973.

Besimi ka rënë edhe ndaj mjeteve të informimit, me mbi 40% e amerikanëve që thonë se kanë shumë pak besim, veçanërisht tek gazetat dhe rrjetet televizive./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat