SHBA, Senati i jep fund përpjekjes për shkarkimin e Sekretarit të Sigurisë Kombëtare, Mayorkas

Amerika

SHBA, Senati i jep fund përpjekjes për shkarkimin e Sekretarit të Sigurisë Kombëtare, Mayorkas

Më: 18 prill 2024 Në ora: 06:09
Alejandro Mayorkas

Senati hodhi poshtë të mërkurën akuzat për shkarkimin e Sekretarit të Sigurisë Kombëtare, Alejandro Mayorkas, duke i dhënë fund kështu përpjekjes së republikanëve të Dhomës së Përfaqësuesve për ta hequr nga detyra zotin Mayorkas me argumentin se ai ka refuzuar “me dashje dhe vazhdimisht” që t’i zbatojë ligjet e imigracionit.

Dy votime të veçanta për dy akuza të veçanta të përcaktuara në linja partiake 51-48 dhe 51-49, i dhanë fund procesit pa u hapur debatet. Senatorët argumentuan se akuzat ishin jokushtetuese.

Akuza e parë ndaj zotit Mayorkas ishte se ai kishte refuzuar “me dashje dhe në mënyrë sistematike të respektonte ligjin." Sipas akuzës së dytë, ai kishte “shkelur besimin” e publikut, kur e kishte deklaruar të sigurt kufirin SHBA-Meksikë.

Me hedhjen poshtë të akuzave, Senati e mbylli procesin e shkarkimit të tij.

Republikanët kishin kërkuar një proces të plotë për shkarkimin e zotit Mayorkas.

"Për të mbrojtur integritetin e Senatit dhe për ta mbajtur procesin e shkarkimit për ato raste të rralla kur vërtet, senatorëve u duhet të hedhin poshtë akuzat e sotme," tha udhëheqësi i shumicës demokrate, Chuck Schumer, një demokrat nga Nju Jorku, në fillim të seancës të së mërkurës.

Ishte hera e parë në gati 150 vjet që ngriheshin akuza për shkarkim e një sekretari të kabinetit të presidentit në Shtetet e Bashkuara./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat