Guvernatorja e Arizonës firmos shfuqizimin e ligjit të vitit 1864 kundër abortit

Amerika

Guvernatorja e Arizonës firmos shfuqizimin e ligjit të vitit 1864 kundër abortit

Më: 3 maj 2024 Në ora: 00:32
Foto ilustrim

Guvernatorja demokrate e Arizonës, Katie Hobbs, ka shfuqizuar një masë ndalimi të periudhës së Luftës Civile ndaj pjesës më të madhe të aborteve, duke nënshkruar të enjten një ligj për anulimin e kësaj mase.

Guvernatorja Hobbs thotë se ky është vetëm fillimi i hapave në përpjekjen për të mbrojtur kujdesin shëndetësor për riprodhimin në Arizona. Ekziston mundësia sidoqoftë që shfuqizimi të hyjë në fuqi vetëm 90 ditë pasi të ketë përfunduar sesioni i tanishëm legjislativ, në muajt qershor-korrik. Aktivistët e së drejtës së abortit shpresojnë që gjykata do të gjejë mekanizmin për ta shmangur këtë vonesë.

Përpjekjet për të shfuqizuar ligjin që nuk ishte përdorur prej kohësh, sipas të cilit ndaloheshin të gjitha abortet, përveç atyre të bëra për të shpëtuar jetën e pacientit, mori miratimin përfundimtar nga legjislativi të mërkurën, me një votim 16 me 14 në senatin e Arizonës, me dy senatorë republikanë që iu bashkuan votës së demokratëve.

Guvenatorja Hobbs e kritikoi ligjin ndalues që “ishte miratuar nga 27 burra kur Arizona ende nuk ishte bërë shtet, në një periudhë kur Amerika gjendej në luftë mbi të drejtën për të patur skllevër, në një periudhë kur gratë as nuk mund të votonin”.

“Ligji duhej të ishte anuluar. E kam thënë në vitin 2022 kur u rrëzua vendimi i çështjes Roe dhe e kam thënë në mënyrë të përsëritur kur u bëra guvernatore”, tha ajo.

Votimi zgjati për orë të tëra, ndërsa senatorët përshkruanin motivimet e tyre në terma personalë, emocionalë dhe madje edhe biblikë. Pati ndër të tjera edhe përshkrime ilustruese të procedurave të abortit dhe regjistrime të rrahjeve të zemrës së fetusit, krahas paralajmërimeve për rrezikun e futjes së pikëpamjeve fetare në legjislacion.

Shfuqizimi i ligjit të vjetër do të thotë se do të lërë tashmë në fuqi një masë të vitit 2022, ku parashikohet ndalimi i abortit pas 15 javëve të para të shtatëzanisë.

Një grup i madh ligjvënësesh morën pjesë në ceremoninë e nënshkrimit nga guvernatorja. Disa prej tyre u përfshinë nga emocionet ndërsa brohoritën shfuqizimin dhe u shprehën se duhet të bëhet më shumë për kujdesin shëndetësor riprodhues.

Zbatimi i ligjit të vjetër të shekullit të 19-të ishte pezulluar që kur Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara mori në vitin 1973 vendimin për çështje Roe kundër Wade, që garantoi të drejtën për abort në mbarë vendin.

Pasi vendimi Roe kundër Wade u rrëzua në qershor 2022, prokurori i përgjithshëm republikan i asaj kohe në Arizona arriti të bindë gjykatësin se ligji i vitit 1864 mund të zbatohej sërish. Sidoqoftë, ligji nuk është zbatuar ende, pasi ka qenë në procedurat e apelimeve në gjykata./voa

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat