Apeli shqyrton kërkesën për largimin e prokurores Willis nga hetimet ndaj zotit Trump

Amerika

Apeli shqyrton kërkesën për largimin e prokurores Willis nga hetimet ndaj zotit Trump

Më: 8 maj 2024 Në ora: 22:05
Fani Willis

Gjykata e Apelit në shtetin e Xhorxhias pranoi të marrë në shqyrtim vendimin e gjykatës më të ulët, që lejoi prokuroren e qarkut Fulton, Fani Willis, të vazhdojë të ndjekë hetimet lidhur me padinë ndaj ish-Presidentit Donald Trump për ndërhyrje në zgjedhjet e vitit 2020.

Vendimi ka të ngjarë të vonojë ecurinë e prosesit. Është rasti i dytë në ditët e fundit që gjykatat japin vendime në favor të ish-Presidentit dhe që mund ta shtyjnë nisjen e gjyqeve ndaj tij pas zgjedhjeve të nëntorit. Zoti Trump pritet të marrë emërimin zyrtar të Partisë Republikane si kandidat i saj për zgjedhjet e nëntorit.

Një ditë më parë, një gjykatëse në Florida vendosi të shtynte për një afat të pacaktuar fillimin e gjyqit ndaj zotit Trump lidhur me padinë për mbajtjen e dokumenteve sekrete pas largimit nga detyra.

Ish-Presidenti Trump dhe të paditur të tjerë në aktpadinë e Xhorxhias janë përpjekur ta largojnë zonjën Willis nga hetimet, duke argumentuar se marrëdhënia e saj intime me prokurorin e posaçëm Nathan Wade përbën konflikt interesi.

Në muajin mars, gjykatësi i qarkut Fulton, Scott McAfee arriti në përfundimin se nuk kishte konflikt interesi dhe prokurorja Willis mund të vazhdonte të drejtonte hetimet, por ai pranoi kërkesën e zotit Trump dhe të pandehurve të tjerë për ta dërguar çështjen në apel.

Gjykata e apelit pranoi ta merrte në shqyrtim kërkesën. Pas vendimtit të kësaj gjykate, pala humbëse ka të drejtë t’i drejtohet Gjykatës së Lartë të Xhorxhias për vendim përfundimtar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat