Policia shpërndan protestën pro-palestineze në Universitetin George Washington, 33 të arrestuar

Amerika

Policia shpërndan protestën pro-palestineze në Universitetin George Washington, 33 të arrestuar

Më: 9 maj 2024 Në ora: 06:20
Protesta

Policia përdori spërkatës me piper gjatë një proteste ndërsa demonstruesit pro-palestinezë kishin ngritur tenda në oborrin e Universitetit George Washington në kryeqytetin amerikan.

Organet e rendit arrestuan dhjetëra demonstrues të mërkurën ndërsa kryetarja e bashkisë së qytetit ishte caktuar të dëshmonte në Kongres lidhur me trajtimin e situatës së protestës së filluar rreth dy javë më parë.

Komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve për Mbikëqyrjen dhe Përgjegjshmërinë e anuloi seancën pas ndërhyrjes së policisë, ndërsa kryetari i saj dhe republikanë të tjerë e përshëndetën veprimin e organeve të rendit.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, tha se “nuk duhet që Kongresi ta thërrasë për të dëshmuar kryebashkiaken në mënyrë që studentët hebrenj në Universitetin George Washington të mbahen të sigurte”.

Kryebashkiakja e kryeqytetit amerikan, demokratja Muriel Bowser, tha se ajo dhe shefja e Policisë Metropolitane, Pamela Smith, vendosën ta spastrojnë kampin për shkak të shenjave se "protesta po bëhej më e paqëndrueshme”. Policia tha se kishte të dhëna se protestuesit kishin “mbledhur armë të improvizuara dhe po studionin mundësinë e bllokimit të ndërtesave universitare”.

Protestat pro-palestineze në shumë universitete amerikane dhe në Evropë janë tjetërsuar në përplasje me organet e rendit.

Disa kolegje kërkuan menjëherë ndërhyrjen e policisë për të shpërndarë demonstratat që bllokuan mësimin nëpër auditorë, ndërsa universitete të tjera i kanë toleruar protestat. Të martën, policia shpërndau një demonstratë në Universitetin e Masaçusets. Pamjet filmike tregojnë një operacion të gjatë policor që shpërndan protestuesit dhe çmonton tendat e ngritura. Organet e rendit njoftuan arrestimin e 130 personave pasi refuzuan urdhrat e policisë për t’u shpërndarë.

Dy ligjvënëse demokratë dolën në një konferencë shtypi me pesë nga studentët që ishin arrestuar. “Dua që të gjithë republikanët dhe demokratët ta dinë se arrestimet nuk i ndalojnë këto mospajtime në rritje”, tha ligjvënësja Rashida Tlaib e cila përfaqëson Miçiganin në Dhomën e Përfaqësuesve. Ajo është amerikano-palestinezja e parë që shërben në Kongres. Ligjvënësja tjetër demokrate, Cori Bush e cila përfaqëson Mizurin, tha se po cenohet liria e fjalës.

Drejtuesit e Universitetit George Washington reaguan përmes një deklarate duke theksuar përkushtimin ndaj lirisë së shprehjes. “Kampi me tenda ka evoluar në aktivitete të paligjshme, me shkeljen e drejtpërdrejt të shumë rregullave të universitetit dhe qytetit nga pjesëmarrësit”.

Zëdhënësja e Presidentit Biden, Karine Jean-Pierre, tha se presidenti beson se e drejta për të kundërshtuar është themelore për demokracinë amerikane. Por kundërshtitë nuk mund të çojnë në shkelje të rendit, dhunë, kërcënime, vandalizëm dhe bllokim të universiteteve, tha ajo, ndërsa shtoi se Shtëpia e Bardhë është shprehur qartë në lidhje me antisemitizmin.

Që nga 18 prilli, rreth 2,800 njerëz janë arrestuar në protestat e zhvilluara në 50 universitete, shifra të bazuara nga raportimet e agjencisë së lajmeve Associated Press dhe deklaratat e universiteteve dhe organeve të rendit. Demonstrata e parë filloi në Universitetin Columbia në Nju Jork./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat