Të mërkurën, Dhoma e Përfaqësuesve mposhti me shpejtësi një përpjekje të republikanes së njohur Marjorie Taylor Greene për të larguar republikanin Mike Johnson nga posti i kryetarit.
Demokratët iu bashkuan republikanëve në një votim 359-43 për të mbajtur republikanin Johnson në postin e Kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve. Veprimi i demokratëve shihet si një përpjekje për të shmangur një përsëritje të kaosit të muajit tetor, kur republikanët rrëzuan nga posti kryetarin republikan, Kevin McCarthy.
Përpjekja e ligjvënëses Greene shihet si një sfidë e rrallë republikane ndaj kandidatit për president, Donald Trump, i cili tha në një postim në mediat sociale të mërkurën se "nuk ishte koha" që republikanët të përpiqen ta largojnë kryetarin e tyre.
“E vlerësoj besimin e kolegëve të mi për ta mposhtur këtë përpjekje të gabuar”, tha zoti Johnson pas votimit. “Shpresoj se ky është fundi i përpjekjeve për të dëmtuar reputacionin, çka ka karakterizuar Kongresin aktual”.
Më herët, duke qëndruar pranë kolegut republikan Thomas Massie, ligjvënësja Greene e kritikoi zotin Johnson për një varg kompromisesh me demokratët, të cilët kanë shumicën në Senat.
“Justifikimet se, ‘kështu duhet të qeverisësh në një qeveri të ndarë’ (kur njëra parti nuk kontrollon Shtëpinë e Bardhë dhe Kongresin) janë të dobëta, të trishta dhe të papranueshme”, tha ligjvënësja Greene për kryetarin Johnson.
Ndërsa zonja Greene lexoi rezolutën që kërkonte shkarkimin, Dhoma e Përfaqësuesve shpërtheu në tallje dhe brohoritje. Demokratët thirrën me zë të lartë emrin e ligjvënësit Hakeem Jeffries, duke i bërë jehonë synimeve të demokratëve për udhëheqësin e Dhomës së Përfaqësuesve gjatë votimeve të janarit të vitit 2021.
Zoti Johnson ka zemëruar shumë ligjvënës të vijës së ashpër brenda shumicës së vogël republikane 217-213, duke miratuar masa shpenzimesh dypartiake për të shmangur mbylljet e pjesshme të qeverisë dhe për të ndihmuar aleatët e SHBA-së, përfshirë Ukrainën, pa insistuar në masa të rrepta sigurie për kufirin mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës, që kundërshtohen nga demokratët.
“Republikanët duhet të luftojnë kundër demokratëve të majtë radikalë dhe të gjithë dëmin që ata i kanë bërë vendit tonë”, tha zoti Trump në postimin e tij të mërkurën në median sociale. “Nuk jemi në një pozitë për ta larguar kryetarin. Në një moment të caktuar mund të jemi, por tani nuk është koha e duhur”.
Situata i ka forcuar pozitat e demokratit Jeffries, i cili ra dakord që ta shpëtonte zotin Johnson nga përpjekja republikane për ta larguar nga posti drejtues, pasi zoti Johnson i largoi pengesat në Kongres për miratimin e projektligjeve thelbësore të demokratëve./VOA