Banorët e Atlanta në SHBA i zgjuan sot të shtënat e armëve që ndodhën në pjesën veriperëndimore, ku si pasojë humbën jetën dy persona dhe katër tjerë u plagosën.
Policia në Atlanta ka njoftuar se më të arritur në vendin e ngjarjes, policia zbuloi gjashtë viktima – tre burra dhe tre gra të moshës nga 20 deri në 30-vjeç.
Në mesin e viktimave, një burrë dhe një grua u shpallën të vdekur në vendin e ngjarjes, derisa katër tjerë u dërguan në spital për trajtim.
Incidentit i kishte paraprirë një rrahje brenda një klubi të natës, pavarësisht se detajet nuk janë zbuluar në këtë fazë të hetimeve.
Pamjet e kamerave të sigurisë të lokaleve përreth vendit ku kanë ndodhur të shtënat, janë marrë nga policia për t’u analizuar.
Deri më tani nuk është arrestuar askush, sikurse nuk është bërë e ditur nëse policia ka në listë ndonjë person të dyshimtë.