A do ta largojë konflikti në Gazë vëmendjen e votuesve amerikanë nga Ukraina?

Amerika

A do ta largojë konflikti në Gazë vëmendjen e votuesve amerikanë nga Ukraina?

Më: 14 maj 2024 Në ora: 17:33
Foto nga vendi i ngjarjes

Ndërsa Rusia ka ndërmarrtë një ofensivë të re në veri të Ukrainës këtë javë, gara presidenciale e Shteteve të Bashkuara midis Presidentit Joe Biden dhe ish-presidentit Donald Trump u përqëndrua në një krizë tjetër të politikës së jashtme - luftën në Gazë. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Katherine Gypson, mbajtja e vëmendjes amerikane mbi Ukrainën mund të jetë e vështirë.

Banorët e Vovchanskit, në skajin verior të Ukrainës janë evakuuar vetëm disa orë përpara se Rusia të njoftonte se e kishte marrë nën kontroll qytetin.

Ukraina po lufton duke shfrytëzuar mbi 50 miliardë dollarë ndihmë nga Uashingtoni, e miratuar muajin e kaluar. Presidenti Biden për muaj të tërë tha se ndihma për Ukrainën është pjesë qendrore e politikës të sigurisë kombëtare të Amerikës.

“Nëse Shtetet e Bashkuara heqin dorë tani, kjo do ta rrezikojë Ukrainën. Evropa është në rrezik. Bota e lirë do të jetë në rrezik dhe do të nxisë të tjerët që dëshirojnë të na bëjnë dëm. Mesazhi im për Presidentin [Vladimir] Putin është i thjeshtë: Ne nuk do të heqim dorë”, tha Presidenti Biden.

Por analistët thonë se zgjedhjet presidenciale rrallë kanë të bëjnë me politikën e jashtme.

“Çështja e Ukrainës shumë pak përmendet në sondazhe dhe më pak se 5% e njerëzve mendojnë se politika e jashtme është e rëndësishme. Kur flasim për politikë të jashtme, fjala është për marrëdhëniet që kemi me Kinën, përballjen me Putinin dhe atë që po ndodh në Gazë”, thotë James Thurber, profesor në Universitetin Amerikan.

Kandidati i pritshëm republikan për president, Donald Trump, ka thënë se Shtetet e Bashkuara dërgojnë shumë ndihma jashtë vendit. Në fillim të këtij viti, ish-presidenti tha se nuk do t’i mbronte aleatët e NATO-s nëse Rusia i sulmonte.

“Nuk do t'i mbroja. Në fakt, do t'i inkurajoja (Rusinë) të bëjnë çfarë të duan”, tha zoti Trump.

Ky mesazh u drejtohej votuesve të shqetësuar për përfshirjen amerikane jashtë vendit.

“20 vitet e luftës kundër terrorizmit dhe ato që quhen ‘luftra pafund’ me gjasë ndryshuan qëndrimin e shumë amerikanëve për ndërhyrjet jashtë vendit. Kjo është arsyeja pse Donald Trumpi ishte i suksesshëm në vitin 2016. Për këtë arsye ai e ka të garantuar emërimin e partisë për zgjedhjet e këtij viti”, thotë Barbara Perry nga Universiteti i Virxhinias.

Trysnia kundër miratimit të ndihmave ushtarake për Ukrainën i vuri disa republikanë në pozitë të vështirë këtë vit zgjedhor. Por pas muajsh vonese, Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, një mbështetës i zotit Trump, lejoi votimin e ndihmës ushtarake.

“Më mirë të dërgojmë plumba në Ukrainë sesa ushtarë amerikanë”, tha zoti Johnson.

Me protestat kundër luftës në Gazë që po zhvillohen në universitetet amerikane, analistët thonë se ka një diskutim më të madh për mënyrën se si shpenzohet ndihma amerikane jashtë vendit.

“Unë njoh votues të rinj që janë të shqetësuar nga kreditë studentore. Ata habiten pse po i shpenzojmë këto miliarda dollarë, duke dërguar armatime në Ukrainë dhe Izrael? Pse nuk i përdorim ato brenda vendit për çështje që kërkojnë kujdes këtu?”, thotë analistja Barbara Perry.

Ndihma për Ukrainën e miratuar nga Kongresi në prill ka të ngjarë të jetë e fundit e këtij viti përpara zgjedhjeve presidenciale të nëntorit./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat