Ekipi i fushatës së Presidentit Joe Biden ka publikuar një reklamë dixhitale që ka në shënjestër votuesit latinë, duke rikthyer vëmendjen tek politika e debatueshme e ish-presidentit Donald Trump, që lejonte ndarjet e familjeve të imigrantëve në kufirin SHBA-Meksikë. Imigracioni është bërë një çështje e rëndësishme në fushatën presidenciale të këtij viti në Shtetet e Bashkuara.
Duke marrë parasysh që imigracioni është në mendjen e votuesve, ekipi i fushatës së Presidentit Biden po shton përpjekjet për t'u kujtuar atyre politikat e administratës së Presidentit Trump për këtë çështje.
Një reklamë 50 sekonda e gjatë, që trajton ndarjet e familjeve të imigrantëve, tregon imazhe të fëmijëve që qajnë të pasuar nga disa komente të ish-presidentit Donald Trump kundër imigrantëve.
“Ai dëshiron të rikthejë politikat mizore dhe çnjerëzore të ndarjes së familjeve, të cilat i shkëpusnin fëmijët nga prindërit e tyre në kufi. Kjo nuk përfaqëson karakterin tonë”, tha Presidenti Biden.
Politika që lejoi ndarjet e familjeve, e shpallur gjashtë vjet më parë, çoi në ndarjen e më shumë se 5000 fëmijëve nga prindërit dhe të afërmit e tyre. Disa prej tyre ishin foshnje. Grupet e të drejtave të imigrantëve paditën administratën e Presidentit Trump.
“Unioni i Mbrojtjes së Lirive Civile ngriti padinë për ndarjen e familjeve në fillim të vitit 2018, kur mësuam se administrata e Presidentit Trump po angazhohej në praktikën e ndarjes së fëmijëve nga prindërit e tyre”, thotë Lee Gelernt nga Projekti për të Drejtat e Imigrantëve në Unionin e Mbrojtjes së Lirive Civile.
Bazuar në këtë politikë, familjet ndaheshin dhe prindërit ndiqeshin penalisht për kalim të paligjshëm të kufirit.
“Ne e ngritëm padinë në gjykatën federale në San Diego dhe në fund gjykata vendosi për pezullimin e politikës së ndarjes së familjeve sepse ajo kishte të ngjarë të ishte antikushtetuese, brutale dhe e pandërgjegjshme dhe se administrata e Presidentit Trump duhej t’i jepte fund menjëherë kësaj praktike dhe të ribashkonte të gjithë fëmijët që ishin ndarë nga familjet e tyre”, thotë zoti Gelerent.
Padia u zgjidh në vitin 2023. Në bazë të vendimit të gjykatës, fëmijët dhe të afërmit e ndarë do të marrin ndihmë për kujdesin shëndetësor, strehimin dhe nevojat ligjore. Ata gjithashtu do të kenë qasje në një proces të shpejtë azili dhe mund të marrin tre vjet lirim humanitar me kusht, duke i lejuar të jetojnë ligjërisht në Shtetet e Bashkuara.
Megjithatë, rreth 1000 fëmijë ende nuk janë ribashkuar me prindërit dhe të afërmit e tyre.
“Kemi vite që po përpiqemi të ribashkojmë të gjitha familjet që u ndanë dhe shumë prej tyre vazhdojnë të jenë të ndara”, thotë aktivisti Lee Gelernt.
Në vitin 2018, zoti Trump nënshkroi një urdhër tjetër ekzekutiv që ndryshoi politikën e ndarjes së familjeve pas reagimeve të ashpra kombëtare dhe ndërkombëtare. Ai ka vazhduar të flasë ashpër për sigurinë kufitare.
"Ne duam që njerëzit të hyjnë në vend në mënyrë të ligjshme", thotë ai.
Administrata e Presidentit Biden përmbysi politikat e imigracionit të ish-Presidentit Trump, duke shkaktuar kritika nga ligjvënësit republikanë.
Por zotit Gelernt thotë se në dhjetor gjykata vendosi ndryshe.
“Për tetë vjet asnjë administratë nuk mund të angazhohet në praktikën e ndarjes së familjeve të imigrantëve. Do të donim që vendimi të kishte qenë i përhershëm”, thotë Lee Gelernt nga Projekti për të Drejtat e Imigrantëve në Unionin e Mbrojtjes së Lirive Civile.
Zyrtarët në kufirin amerikan mund të vazhdojnë të ndajnë fëmijët nga prindërit e tyre nëse ka prova se fëmija është në rrezik. Ndarja duhet të dokumentohet dhe juristët e emigracionit duhet të njoftohen për këtë.
Por nëse administratat e ardhshme përpiqen ta kthejnë politikën e ndarjes së familjeve, aktivistët e imigracionit thonë se janë të gatshëm ta dërgojnë atë sërish në gjykatë./VOA