Gjyqi ndaj zotit Trump: Përfundon paraqitja e dëshmive

Amerika

Gjyqi ndaj zotit Trump: Përfundon paraqitja e dëshmive

Më: 21 maj 2024 Në ora: 21:02
Donald Trump

Të martën përfundoi faza e dëgjimit të dëshmive në gjyqin penal ndaj ish-Presidentit Donald Trump i akuzuar për manipulim të të dhënave të biznesit. Vetë zoti Trump nuk u thirr nga avokatët tij për dëshmuar.

Gjyqi rifillon përsëri më 28 maj, me paraqitjen e argumenteve mbyllëse nga prokuroria dhe avokatët mbrotës. Pas kësaj juria tërhiqet për të marrë vendim nëse ish-presidenti do të shpallet fajtor ose jo.

Gjykatësi i çështjes Juan M. Merchan sugjeroi se seanca gjyqësore e së martës mund të zgjasë deri vonë. Ai shtoi se pas paraqitjes së argumenteve përfundimtare nga palët, ai do t’u japë anëtarëve të jurisë, për rreth një orë, udhëzime mbi mënyrën se si duhet vepruar deri tek vendimarrje e tyre.

Anëtarët e jurisë mund të tërhiqen javën e ardhshme për të vendosur rreth 34 akuzave penale për falsifikim të të dhënave të biznesit që rëndojnë ndaj zotit Trump.

Prokurorët e akuzojnë ish-presidentin për një skemë për të fshehur historitë negative ndaj tij, që mund t’i kishin dëmtuar fushatën presidenciale të vitit 2016, si dhe për falsifikimin e të dhënave të biznesit, për të fshehur pagesat që ishin bërë në kuadër të kësaj skeme të dyshuar. Ish-Presidenti Trump i ka mohuar akuzat.

Prokurorët përfunduan procesin e pyetjes së dëshmitarëve të hënën me dëshmitarin kryesor të tyre, Michael Cohen. Zoti Cohen dëshmoi për gati katër ditë, duke u përpjekur të fajësonte direkt për organizim të skemës së dyshuar për të ndërhyrë në zgjedhje, zotin Trump. Mbrojtja thirri vetëm dy dëshmitarë pas përfundimit të dëshmisë së zotit Cohen, juristin Daniel Sitko dhe prokurorin Robert Costello.

Gjyqi është në ditën e tij të 20-të. Ish-Presidenti Trump është deklaruar i pafajshëm për të 34 akuzat penale. Ky është gjyqi i parë penal ndaj një ish-presidenti të Shteteve të Bashkuara dhe i pari nga katër çështje penale që janë ngritur ndaj zotit Trump, që po mbërrin tek shqyrtimi i çështjes nga juria./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat