Blinken shpreh gatishmërinë të punojë me Kongresin për sanksione të mundshme ndaj GJNK-së

Amerika

Blinken shpreh gatishmërinë të punojë me Kongresin për sanksione të mundshme ndaj GJNK-së

Më: 22 maj 2024 Në ora: 06:08
Antony Blinken

Administrata e Presidentit Joe Biden është e gatshme të punojë me Kongresin për sanksione të mundshme kundër zyrtarëve të Gjykatës Ndërkombëtare Penale lidhur me kërkesën e prokurorit të saj për urdhër-arreste ndaj udhëheqësve izraelitë për luftën në Gazë, tha të martën Sekretari i Shtetit Antony Blinken.

Duke folur në një seancë të Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit, zoti Blinken e quajti masën "thellësisht të gabuar" dhe tha se ajo do të ndërlikonte perspektivat e arritjes së një marrëveshjeje për pengjet dhe një armëpushim në konfliktin e Izraelit me grupin militant palestinez Hamas.

Në një seancë të një komisioni tjetër të Senatit, senatori republikan Lindsey Graham i tha zotit Blinken se donte që Shtetet e Bashkuara të vendosnin sanksione ndaj gjykatës në përgjigje të masës së shpallur nga prokurori i GJNK-së Karim Khan.

"Unë dua të ndërmarrim veprime, jo vetëm fjalë," i tha Sen. Graham Sekretarit Blinken.

"A do t’i mbështesni përpjekjet dypartiake për të vendosur sanksione ndaj GJNK-së, jo vetëm për indinjatën lidhur me veprimin ndaj Izraelit, por edhe për të mbrojtur në të ardhmen interesat tona?" tha ai.

“Unë do të doja të bashkëpunonim në këtë drejtim”, u përgjigj zoti Blinken.

Prokurori i GJNP-së, Karim Khan tha të hënën se kishte baza të arsyeshme për të besuar se kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu, Sekretari i Mbrojtjes i Izraelit dhe tre udhëheqës të Hamasit "mbajnë përgjegjësi penale" për krime të dyshuara lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Si Presidenti demokrat Biden ashtu edhe kundërshtarët e tij politikë kanë kritikuar ashpër njoftimin e prokurorit Khan, duke argumentuar se gjykata nuk ka juridiksion mbi konfliktin e Gazës dhe duke ngritur shqetësime mbi procesin.

Shtetet e Bashkuara nuk janë anëtare të gjykatës, por kanë mbështetur çështje penale të ngritura prej saj në të kaluarën, përfshirë vendimin e saj vitin e kaluar për të lëshuar një urdhër-arresti për presidentin rus Vladimir Putin lidhur me luftën në Ukrainë.

Anëtarët republikanë të Kongresit kanë paralajmëruar në të kaluarën se do të hartojnë një legjislacion për të vendosur sanksione ndaj GJNP-së, por projekt-ligjet duhet të miratohen nga Senati me shumicë demokrate dhe të nënshkruhen nga Presidentit Joe Biden, për të hyrë në fuqi.

Në vitin 2020, administrata e Presidentit të atëhershëm Donald Trump akuzoi GJNP-në për shkelje të sovranitetit kombëtar të SHBA-së, kur Gjykata autorizoi një hetim për krimet e luftës të kryera në Afganistan. Shtetet e Bashkuara vunë në shënjestër personelin e gjykatës, përfshirë prokurorin e atëhershëm Fatou Bensouda, me ngrirje të pasurive dhe ndalime udhëtimi.

Presidenti Biden i hoqi ato sanksione në prill të vitit 2021, menjëherë pas marrjes së detyrës.

"Këto vendime pasqyrojnë vlerësimin tonë se masat e miratuara ishin të papërshtatshme dhe joefektive," u shpreh zoti Blinken në një deklaratë në atë kohë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat