Amerika i përgjigjet fuqishëm kërcënimeve të Dodikut

Amerika

Amerika i përgjigjet fuqishëm kërcënimeve të Dodikut

Më: 24 maj 2024 Në ora: 11:31
Michael Murphy, ambasadori amerikan në Bosnjë e Hercegovinë.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Sarajevë ka thënë të premten se propozimi i Qeverisë së Republikës Sërpska (RS) për t’u ndarë nga Bosnja e Hercegovina është i rrezikshëm dhe i papërgjegjshëm dhe se një gjë e tillë “nuk do të nënkuptonte pavarësi, por fund për Republikën Sërpska”.

Të enjten, Qeveria e RS-së tha se në 30 ditët e ardhshme ajo do të krijojë një marrëveshje që do t'i dërgohet entitetit tjetër të Bosnjës, Federatës së Bosnjës e Hercegovinës, për "ndarje paqësore".

Qeveria e RS-ë e bëri këtë propozim gjatë një mbledhjeve të cilën e mbajti në prag të seancës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB), ku u miratu rezoluta që e shpall 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë.

Ambasada amerikane tha se ky propozim është në shpërputhje me Marrëveshjen e Dejtonit dhe se “e vë në rrezik sovranitetin dhe integritetin territorial dhe karakterin shumetnik të Bosnjës”.

“Këto janë interesa thelbësore të SHBA-së. Shtetet e Bashkuara do t’i mbrojnë dhe ruajnë ato, mes tjerash, duke i mbajtur përgjegjës ata të cilët i rrezikojnë ato”, thuhet në komunikatë.

Ajo e akuzoi Millorad Dodikun, presidentin të Republikës Sërpska dhe Qeverinë e RS-së, se u përpoqën ta arsyetojnë këtë vendim bazuar në “gënjeshtra dhe dezinformata, me qëllim për ta frikësuar popullin në Republikën Sërpska, që t’i mbështesin ata në këtë rrugë të rrezikshme”.

“Faktet janë të thjeshta dhe të drejtpërdrejta. Nuk ka konspiracion ndërkombëtar për ta ndarë RS-në dhe Dodik nuk mund ta gjejë asnjë deklaratë ku një zyrtar amerikan bën thirrje për shuarjen e RS-së”, thuhet tutje në komunikatë.

Ajo e bëri të qartë se, sipas Marrëveshjes së Dejtonit për Paqe dhe Kushtetutës së Bosnjës, Bosnja e Hercegovina (BeH) është trashëgimtare e Republikës së Bosnjë e Hercegovinës.

“Kushtetua e BeH nuk u jap të drejtë entiteteve apo njësive nënshtetërore për ndarje apo “shkëputje”. RS-ja mund të ekzistojnë vetëm brenda BeH.”

Veprimet e Dodikut, sipas Ambasadës, e rrezikojnë të ardhmen brenda institucioneve euroatlantike që populli i Bosnjës, përfshirë RS-së, e duan.

Kryeministri i RS-së, Radovan Vishkoviq, tha pas mbledhjes se "kjo nuk është shkëputje, ndarja paqësore nuk është shkëputje. Ne do të ofrojmë atë, nëse na konsideroni komb gjenocidal, që nuk jemi, atëherë nuk kemi pse të jetojmë së bashku".

Dodik mori pjesë në mbledhje gjithashtu.

Nedim Ademoviq, ekspert i së drejtës kushtetuese, tha për Radion Evropa e Lirë se asnjë entitet i vetëm, asnjë komb i vetëm nuk mund të kryejë shpërbërjen paqësore në Bosnje e Hercegovinë./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat