Partia Libertariane në zgjedhjet presidenciale të këtij viti

Amerika

Partia Libertariane në zgjedhjet presidenciale të këtij viti

Më: 25 maj 2024 Në ora: 17:44
Foto ilustrim

Çdo katër vite gjatë verës Amerika ndjek spektaklin e konventave për emërimin e kandidatëve për president të dy partive kryesore politike. Këtë vit në korrik republikanët e mbledhur në Milluoki pritet të emërojnë kandidat ish-presidentin Donald Trump. Muajin pasues në Çikago, demokratët do të zyrtarizojnë kandidatin e tyre, presidentin Joe Biden. Por siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Steve Herman, më pak vëmendje po i kushtohet një tjetër aktiviteti mbrëmjen e kësaj të shtune, gjatë të cilit emërohet një tjetër kandidat për president.

Normalisht konventa kombëtare e Partisë Liberale është një aktivitet që nuk tërheq shumë vëmendje. Këtë radhë ajo merr domethënie të re. Këtë vit kjo parti do të ketë një kandidat për president në fletëvotimet e shumicës së shteteve.

Ndërsa anketimet tregojnë një garë të ngushtë mes demokratit Joe Biden dhe republikanit Donald Trump, si dhe ndërsa një kandidat i pavarur, Robert F. Kennedy ka filluar të marrë në disa shtete mbështetje edhe mbi 10%, një sasi e vogël votash për një kandidat libertarian do të përcaktonte nëse do t’i jepej një mandat i dytë për president zotit Biden apo zotit Trump.

Asnjë nga aspirantët e Partisë Libertariane nuk janë emra të mirënjohur për publikun e gjerë. Se kush prej tyre do të jetë kandidati në fletëvotime, kjo do të vendoset nga rreth 1 mijë delegatë, ndër ta edhe Nathan Polsky, kryetar i Partisë Libertariane në Qarkun Collin, të Teksasit.

“Partia Libertariane është si një tendë e madhe. Në fund të ditës, ke njerëz nga e djathta, ke njerëz nga e majta. Por një gjë për të cilën jemi të gjithë dakord është se shteti ka kontroll të tepruar dhe duam ta pakësojmë fuqinë që i është dhënë shtetit. T’ja rikthejmë njerëzve”, thotë zoti Polsky.

Me një lëvizje të pahasur më parë, kandidati i pritshëm i një partie tjetër do të sfidojë aspirantët e Partisë Libertariane gjatë vetë konventës së tyre. Donald Trump-i do të ngjitet në podiumin e tyre të shtunën në darkë.

Zoti Trump po vepron në një terren të panjohur politik me synimin për të fituar vëmendje, thotë James St. John, delegat libertarian nga Virxhinia.

“Është një mundësi për të që të flasë dhe të përçojë mesazhin e tij dhe mund t’i drejtohet një grupi njerëzish që normalisht nuk do të dëgjonin ato që ka për të thënë. Kjo është arsyeja kryesore përse po vjen”, thotë zoti St. John.

Ndërsa i drejtohej Shoqatës Kombëtare të Armëve javën e kaluar, zoti Trump u tregua pragmatik për përqasjen ndaj Partisë Libertariane.

“Përgjithësisht kanë shumë gjëra si ne. Janë gjithashtu njerëz të logjikës, përgjithësisht. Kanë nja dy gjëra pak të ndryshme, Por, duhet t’iu bashkohemi, pasi marrin 3% çdo vit, pavarësisht se cilët janë kandidatët. Dhe duhet ta marrim këtë 3% pasi nuk mund t’i japim shansin Joe Biden-it të fitojë”, tha zoti Trump.

Nuk ka gjasa që zoti Trump të fitojë një pjesë të konsiderueshme të këtij 3%-shi, thotë një delegate nga Vermonti, Anne Lepeltier.

“Mendoni se do marrë votën libertariane? Jo. A mund të votojnë disa libertarianë për të? Po, sigurisht. A do të jem unë një nga ata? Sërish, jo”, thotë zonja Lepeltier.

Edhe presidenti Biden u ftua nga libertarianët për të folur në konventën e tyre, por ai nuk e pranoi ftesën./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat