Sara‘s book

Amerika

Sara‘s book

Nga: Mimoza Dajçi Më: 22 janar 2024 Në ora: 16:57
Autorja Mimoza Dajçi

Vijon të shfaqet në festivalet e filmit në SHBA filmi thriler "Sara's book", skenari i të cilit bazohet mbi romanin me të njëjtin titull të autores Sabije Veseli. Autorja me pasion e shpirt të lirë flet si nisi botimi i romaneve të saj horror nga Shtëpia Botuese "New Age Publishing" në Kaliforni.

Kisha besim në vetëvete, pasi lexuesi amerikan është i prirur të njihet me vepra të tilla.

Nuk do të harroj gëzimin që ndjeva kur më erdhi mesazhi se një nga romanet e mija "Mysterious Secret" (Sekreti Misterioz) ishte pëlqyer, do të botohej dhe se ishin në pritshmëri të bashkëpunimit me mua për vepra të kësaj rryme. 

Pritet që këto ditë Federata Pan Shqiptare "Vatra" në New York të promovojë veprimtarinë letraro - artistike të Sabije Veselit, autore e 9-të librave, ku brenda tyre jep shpjegimet e ëndrrave. Krijimtaria e saj i përket kohës postkomuniste, pasi më parë kjo lloj literature ishte tabu të paktën për Shqipërinë që përjetoi diktaturën më të egër në Europë. Si parashikuese e së ardhmes ka një stil të veçantë të të shprehurit në romanet saj, të cilat janë vlerësuar edhe nga shkrimtarët Skifter Këlliçi, Rajmonda Moisiu, Violeta Allmuça e të tjerë.

Sabije Veseli ka lindur në fshatin Livadhi të Strugës. Shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes dhe vitet e tjera i përfundoi në fshatin Dollogozhdë. Dy vitet e para të gjimnazit i ndoqi në Strugë, për shkaqe politike të represionit serbo maqedonas e përjashtuan nga gjimnazi dhe vazhdoi studimet në Prishtinë, ku filloi shkollën e mesme për informatikë. Me tensionimin e situatës në Kosovë ndërpret shkollimin dhe jeta i mori kahje tjetër.

Edhe sporti ka qenë një hobi e saj. U regjistrua në fakultetin e Fiskulturës por nuk mundi ta vazhdojë. Dihen arsyet. Hendbolli ka qenë dëshira e saj e madhe dhe një ëndërr që një ditë të luante për ekipin e Prishtinës. Pas një viti filloi të merret me shkrime që në fillim ju duk sikur po argëtohej. Vazhdoi një kurs tre vjeçar për parashikim paranormal (parashikim për një të ardhme). Parashikimin thotë Sabija e kam dhuratë nga Zoti. Libri i saj i parë ka për subjekt personazhin e një oficeri të luftës së parë botërore që bie viktimë dhe varroset larg vendlindjes. Personazh tjetër kryesor aty shohim Besën, një vajzë shqiptare, e cila mundohet të plotësojë amanetin e oficerit. Libri titullohet "Pse u dashurove tek unë’’. 

Sabije Veseli të shkruarin e ndjen si pjesë të jetës së saj, e ka frymëzim shpirtëror që e posedon dhe ja ka dhuruar Zoti. Dhuratë që e çmon dhe e vlerëson shumë. Për të arritur suksesin thotë ajo, rrugët janë të gjata dhe të vështira. Në dhe të huaj duhet shumë angazhim. Nëse ëndërron që një ditë të kemi sukses duhet punë dhe mos dorëzim nga ëndrra që kështu arrihet qëllimi që i ke detyruar vetes. Librat e saj shiten në Amazon dhe Barnes & Nobles. Arsyeja që krijimtarinë e saj e hedh në përgjithësi në gjuhën angleze është sipas saj se lexuesi amerikan i vlerëson dhe i lexon këto lloj subjektesh. Subjektet që vendos në libër thotë Sabija janë të pa besueshme në trevat tona, kjo është edhe qëllimi im që unë i botoj në gjuhën angleze.

Parashikimet e saj për ëndrrat kanë filluar në vitin e parë të shkollës së mesme. Por duke qenë tepër e re në moshë, nuk i kushtoi rëndësi pasi si çdo e re kishte ëndrra të tjera në jetë. Endrrat janë pjesë e saj e pa ndalshme, që e ndjekin pas. "Eci së bashku me to në ditët e së ardhmes. Me ëndrrat jetoj, janë reale, disa nga këto i përballoj, disa janë pjesë e hidhur e jetës sime. Jeta vazhdon".

Sabija është themeluese dhe Kryetare e Shoqatës “Marigona” në New Jersey, që ka për qëllim humanizmin dhe ndihmesën ndaj grave në nevojë. Sabija me anëtaret e Shoqatës "Marigona" tregojnë kujdes në organizimn e festave tradicionale shqiptare dhe i realizojnë ato me sukses. Eshtë një bashkëshorte e mirë, nënë shembullore, humane dhe mike e veçantë. "Mbi të gjitha jam njeri thotë ajo që zoti më krijoi. E dua jetën dhe e respektoj jetën e të tjerave. Profesioni im i shkrimit më qetëson dhe ndihem e lumtur. Bota është e imja dhe shpresoj se është ardhmëria ime". 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat