Biseda pas 42 vjetësh me shokun tim, Qemaledin Hismanin

Amerika

Biseda pas 42 vjetësh me shokun tim, Qemaledin Hismanin

Nga: Prend Ndoja, SHBA Më: 25 janar 2024 Në ora: 14:43
Foto ilustrim

Para disa ditësh më erdhi një mesazh në telefon: - A je ti shoku im, Prend Ndoja? E lexova tekstin që vinte nga një emër i panjohur, që quhej Mali. I përgjigjem: -Po, unë jam Prend Ndoja! Ngaqë nuk e njihja, nuk i shkrova se unë jam shoku i juaj. Urdhëroni! -ia ktheva. -Unë jam Qemaledin Hismani,- më shkroi ai. Për një moment mbeta i shokuar. Atë njeri e kisha kërkuar shumë herë, por ngaqë ai e kishte përdorur shkurtesën e emrit të tij në rrjetet sociale, nga Qemaledin në Mali, nuk kisha mundur ta gjeja. U gëzova pa masë kur e pashë që me të vërtetë ishte shoku im. E thirra menjëherë në telefon përmes "Messenger"-it. Ato ditë ai po qëndronte në Gjermani për një vizitë. Përshëndetja dhe biseda filloi me plot emocione. Pasi i dhamë njëri-tjetrit një biografi të shkurtër të jetës aktuale, iu rikthyem së kaluarës. Biseda ishte shumë e ngrohtë dhe vëllazërore, saqë i ngjante ditëve kur ishim të dy bashkë në një ndër kazermat më të mëdha të ish-Jugosllavisë së fillimviteve 80-të. Biseduam për sfidat e kohës, por në mes tyre edhe për humorin dhe të qeshurat që na gjallëronim në mes atij pellgu vuajtjesh.

Si e njoha Qemaledinin! Një dëshmi se shqiptarët i bashkon kombi dhe tiparet kombëtare

Ngaqë nuk e njihja gjuhën serbokroate në atë kohë, që nga fillimi kisha mbetur si i humbur në mesin e gjithë asaj ushtrie. Ditët e para veproja duke i përcjellë veprimet e shumicës. Në korridoret e gjata ishin të renditur vitrina nga metali që mbanin rrobat e çdo ushtari. Aty ishin emrat e personit që i posedonte rrobat e tij. Një ditë i shikova të gjitha vitrinat me qëllim që të gjeja ndonjë person të përkatësisë sime kombëtare. E gjeta emrin e një shqiptari që quhej Abdullah, me origjinë nga Podujeva. Në pamje dukej një burrë i gjatë e shumë i vendosur. Ai e kishte mbaruar kohën e shërbimit ushtarak shumë kohë më parë. Të gjithë gjenerata e tij ishin liruar, ndërsa atë ende e mbanin; e mbanin si të dyshuar apo siç i quanin në atë kohë, si irredentist. Nuk fliste shumë. Ishte i matur, dukej njeri me një përgatitje të lartë shkollore. Zakonisht rrinte në një korridor afër një dritareje dhe në heshtje nga aty e shikonte natyrën. Një ditë e pyeta, pse zakonisht qëndroni në të njëjtin vend pranë dritares. Sytë iu skuqën e me një buzëqeshje të lehtë m´u drejtua: Kur kam ardhur këtu, këta lisa nuk kanë pasur gjethe. Pranvera i mbushi me gjethe. Gjethet ranë prapë. Pranvera i mbushi prapë më gjethe të reja, e gjethet ranë prapë. Pranvera i mbushi prapë me gjethe të reja, e unë ende jam këtu e i shikoj nga kjo dritare dhe nuk e di kur do të më lirojnë. Nuk e kam merakun tim, por të familjes, sepse ata janë shumë të shqetësuar për rastin tim. Më kaploi dhembje shpirtërore dhe ai e vërejti që po ndihesha keq. Në atë moment, ai u tregua më i qëndrueshëm se unë. Më këshilloi që të kem kujdes, sepse ti je rishtas këtu, më tha. Ngaqë lëvizjet e tij ishin në kontroll 24 orë, ai qëndronte më i distancuar dhe shumë i kujdesshëm për çdo fjalë që fliste.

Unë vazhdova korridoreve të gjeja prapë ndonjë emër tjetër të ndonjë shqiptari. Pas një kërkimi, atë ditë i gjeta edhe dy emra tjerë, Qemaledin Hismani dhe Fetah Ahmetaj. I lumtur që gjeta shqiptarë, shkova menjëherë dhe i takova. Nga aty, si tre vëllezër, mbetem të pandarë në gjashtë muajt e parë të shërbimit ushtarak. Shumë shpejt, pa e bërë asnjë të keqe, ne ishim bërë halë në sytë e eprorëve, por edhe të ushtarëve. Ne, të treve, bashkë na zbardhte dita dhe bashkë na errte nata. Bashkë luanim futboll, bënim ushtrime fizike, këndonim e më së shumti i këndonim këngët e Shkurte Fejzës që ishin jehonë e muzikës së asaj kohe... Gjersa ata të tjerët këndonin në gjuhën e tyre, edhe kënga shqipe jehonte pa u ndalur. Çdo gjë para të tjerëve e bënim me fanatizëm pozitiv, për ta ngritur lart nivelin e krenarisë sonë kombëtare. Dalloheshim qartë për guximin, harmoninë dhe atmosferën vëllazërore e kombëtare që e kishim krijuar, Ata, përpos urrejtjes, na e kishin edhe lakmi qëndrimin tonë. Tentonin përmes mënyrave të ndryshme të na ndanin, që pastaj të na mposhtnin më lehtë.

Bazuar në kujtimet e së kaluarës, Qemaledinin e njoh si një burrë me skelet të fortë, që nuk thehet, edhe pse i ri në moshë, jeta e kishte kalitur dhe burrëruar para kohe. Ishte i qëndrueshëm si shkëmbi dhe besnik, shqiptar dhe atdhetar i vërtetë. Kam shumë dëshmi të qëndrimit të tij burrëror, por dua ta veçoj një rast, kur mua më qëndroi pranë si vëlla i vërtetë.

Një ditë, unë dhe Qemaledinin ishim ulur në një kënd të oborrit të kazermës, i stërmbushur me mijëra ushtarë. Nga larg e vërejta një dhjetar me origjinë kroate, i cili, nëse nuk gaboj quhej Jozef. Ai po vinte drejt nesh. U afrua afër 3-4 metra dhe u ndal. M´u drejtua në emër dhe më shau rëndë në baza kombëtare e tjera. Kjo më erdhi si një shkrepëtimë nga reja në ditë të kthjellët, pa asnjë shkas tjetër, veç se isha shqiptar. U ngrita me shpejtësi ta kapja, por më iku. Vrapova pas tij dhe, pak para se të hynte në një portë të eprorëve, iu hodha si rrufeja përmbi, e shtriva përtokë, pa i dhënë kohë as për një reagim apo lëvizje…Të gjithë të tjerët kishin mbetur të ngrirë, ishte e pazakontë të rrahej eprori ushtarak! Nuk dija nga t´ia mbaja pastaj. Ndihesha si të isha në mes krokodilëve, që nga çdo anë mund të më kafshonin. Kur e ktheva kokën, e pashë Qemaledinin i cili qëndronet pranë meje, e vetmja mbështetje ishte Ai. M´u duk si një Diell në atë moment. Më mbante me fjalë të mira e burrërore: -Prend, për çdo gjë jemi bashkë dhe nëse do të na ndodhë më e keqja, do të na ndodhë bashkë. Kuptohen pasojat që vazhduan pas kësaj...!

Thonë se miku i mirë njihet në ditë të vështirë. Qemaledini është vëllai i mirë, që e njoha në ditë të vështirë. Nga drama të tilla del në dritë se kush është vëllai i vërtetë për shqiptarin. Në mesin e mijëra të tjerëve të besimeve dhe kombeve të ndryshme, ne na bashkonte gjaku i pastër shqiptar. Ai nga Ilirida e unë nga Dardania. Jam i lumtur që pas 42 vjetësh, tani e di që Qemaledini është mirë dhe së bashku me bashkëshorten janë punëtorë të arsimit. Fëmijët të shëndoshë e të shkolluar. E ndjeva obligim ta falënderoj dhe ta përshëndes shokun dhe vëllain tim nga Ilirida e Tetova - Qemaledin Hismanin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat