Zgjedhja e Talat Xhaferit kryeministër i Maqedonisë Veriore, një moment historik për kombin shqiptar

Amerika

Zgjedhja e Talat Xhaferit kryeministër i Maqedonisë Veriore, një moment historik për kombin shqiptar

Nga: Harry Bajraktari Më: 2 shkurt 2024 Në ora: 09:13
Harry Bajraktari

Zgjedhja e Talat Xhaferit kryeministër i Maqedonisë Veriore është një moment historik për mbarë kombin shqiptar.

Shumë gjëra kanë ndryshuar brenda një gjenerate.

Pak më shumë se 20 vjet më pare shqiptarët jetonin në këtë republikë si qytetarë të dorës së dytë. Ata ishin të përjashtuar nga administrata shtetërore, e shumë institucione të pushtetit qendror dhe lokal. Të drejtat e tyre themelore nuk respektoheshin as në qytetet dhe fshatrat ku përbënin shumicë të plotë.

Në kthesën e mijëvjeçarit shqiptarët u ngritën në kryengritje për të treguar se nuk do të jetonin në një shtet që ua mohonte të drejtat njerëzore dhe politike. U dergj gjak për të arritur te kjo ditë.

Lufta e drejtuar nga Ali Ahmeti, Talat Xhaferi e të tjerë udhëheqës të UÇK-së u mbyll me Marrëveshjen e Ohrit. Ndryshimet politike erdhën ngadalë por nuk janë ndalur.

Edhe sot nuk ka barazi të vërtetë në shumë drejtime, por le të kujtojmë në ditën e betimit të kryeministrit të parë shqiptar në Shkup, përparimin e madh që kemi bërë.

Sot është dita të kujtojmë ata që sakrifikuan gjithshka për t’i bërë shqiptarët faktor kryesor politik në Maqedoni.

Shqiptarët sot janë më të bashkuar se kurrë. Edhe pse të ndarë në disa shtete, e në krahe politikë, ka plot mënyra për të bashkëpunuar e për t’u gëzuar për arritjet e njëri-tjetrit.

Po të koordinohemi më mirë mund të bëjmë gjëra shumë më të mëdha.

E ardhmja ende premton më shumë për kombin tonë.

E uroj kryeministrin Xhaferi për detyrën e re. Shpreh besimin se do të japë maksimumin në këtë detyrë historike. Emri i tij u shënua këto ditë me shkronja kapitale në historinë e kombit tonë.

Harry Bajraktari është themeluesi dhe ish-botues i gazetës “Illyria” (1991-1998). Ai është një veprimtar, biznesmen dhe filantropist shqiptaro-amerikan, i nderuar me shumë çmime mes tyre edhe Nderi i Kombit nga Presidenti i Shqipërisë, Medalja Presidenciale e Kosovës për Merita si dhe Dekorata e Thirrjes Presidenciale për Shërbim nga Shtëpia e Bardhë në SHBA.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat