Kosovë, Mëmë-e-Dhe, unë me ty bisedoj haptas, drejt, thjesht e natyrshëm. Edhe fjalët e bukura poetike s’do t’i lejoj të hyjnë mes nesh. Fjalë shpirti dhe fashë plagësh nga këtu, përtej oqeanit, të kemi dërguar pa ndalë!
Brenda jehonës së gjamës tënde isha i molisur dhe unë, por kurrë nuk e kam larë borxhin ndaj teje. Kosovë, të flasim si Nënë e Bir. Nuk dua të më dëgjojë askush tjetër, sepse kemi shumë “artistë” skenash sot e nuk dua të na përbuzin si në skena teatrale. Ndoshta ata nga „lartësia” e tyre nuk duan ta kuptojnë thjeshtësinë dhe njëmendësinë tonë kur ne bisedojmë. Në gjamën e madhe për lindjen e lirisë, shumë nga bijtë dhe bijat tua e dhanë jetën. Ata, nga shkrepëtimat e pushkëve u shndërruan në Yje drite mbi vendin tonë.
Ata ishin të parët e kombit dhe të parët do të mbeten sa të ketë dritë mbi këtë Tokë. E di se në ditët e mëdha ke edhe mall të madh. Nuk është dobësi që nganjëherë fshehtaz, në ndonjë kënd, bashkë të mërzitem fort, sa dhembja ta prekë palcën gjersa të rrjedhë loti.
Një ditë jetë në liri për ata do të mjaftonte, vetëm dora e tyre ta përkundte një herë djepin e mbushur me rrezet e lirisë. Sot, shumë mirë të kuptoj... Ende ke dhembje nga plagët e pa mbyllura mirë, kur ndryshon moti, dhembjet të tundojnë edhe më shumë, plagët e reja, më të vjetrat të bëhen bashkë. Ne të dy e dimë se plagët, edhe nëse mbyllen, ato lënë pas vetes njolla e dhembje, por ashtu, si gjithmonë, mbahu e fortë, dhembjet mbaji të padukshme, qëndro me kokën lart, sepse armiku gjithmonë dëshiron të të shohë me dhembje, armiku gjithmonë e kërkon thembrën e Akilit në trupin tënd.
Kosovë, sot ëshë ditë urimesh. Ti e di se sa i lumtur jam që dole nga hallkat e robërisë. Tani të përqafoj dhe çmallem lirshëm me ty. Liria ishte një ëndërr që përcillej nga brezi në brez, sa fatlum jemi ne që e përjetuam një gëzim të tillë.
Kosovë, Mëmë-e-Dhe, një buqetë lulesh e ujis çdo mëngjes dhe për ty i freskoj çdo ditë. Jo, Ato nuk t´i solla sot, sepse shumë lule nga toka e jonë po i tretë Era.
Atëherë kur shtëpive të mbyllura do t’u hapen dyert e dritaret dhe të dëgjohen zhurma dhe të qeshura fëmijësh, atëherë nga thellësia e shpirtit do t‘i dhuroj Ty.
atëherë, prapë nuk do të rri duarkryq. Në oborrin e atyre shtëpive, çdo therrë dhe lulëkeqe do ta shkuli me rrënjë e do të mbjelli lulëkuqe. E di që stina e verës zakonisht është e thatë, ndodh që shiu nuk e lag tokën për shumë muaj, por, as ajo vapë nuk do të më brengos fare. Ujin do ta marr nga burimi i kthjellët si loti, nga ai burim, ku masa e madhe e popullsisë vendore e shuajnë etjen.
Ai burim është një damar shumë i vjetër më ujë të kristaltë që pikon si loti në muzgun e mbrëmjes, atëherë kur e shikon qartë se dita po perëndon.
Netëve të gjata të dimrit, kur tregojnë përralla pas darke, thuhet se, sipas legjendave, janë dëgjuar Zanat e Malit duke kuvenduar pranë burimit; Ai damar burimi nuk do të lërë kurrë pas vetes emër, as rrënjë; brez pas brezi cilësia e ujit do të mbetet, por emri i degëve të damarit të tij do të zhduket.
Përpos Zanave të Malit, askush tjetër, që nga ajo ditë nuk u mor me degët e atij burimi.
Shpeshherë ndodh që vendësit e fshehin fytyrën, që të mos duket se po e shuajnë etjen e tyre nga ai krua, i cili ka mbetur me pamje të vjetër apo natyrale,
Kosovë, Mëmë-e Dhe, besoj që ma kuptove edhe mua hallin tim dhe atëherë kur ta dimë atë që duhet ta dimë, me ndryshimin tonë do të ndryshojë edhe bota rreth nesh.
Atëherë, nga ai burim çdo ditë do ta mbushi nga një kovë djersë mërgimtarësh, që do të më mjaftojë t’i ujis lulet në oborret e shtëpive të zbrazura të mërgimtarëve.
Le të më qeshin vendësit, le të më quajnë si të duan... Mërgimtarët nuk dinë ndryshe, vetëm nga ai burim, nga ato kova të mbushura me djersë dinë ta gjallërojnë jetën dhe ta mbajnë ballin hapur para çdokuj. Ata janë të bindur se, vetëm nëse ujiten lulet me ujin e djersës, ato nuk vyshken kurrë.
Së bashku me urimin e Pavarësisë tënde, Kosovë, sot përmallshëm dëshiroj ta bëj edhe një urim tjetër: T’i uroj vetes dhe shumë të tjerëve si unë largimin nga mërgimi.
Por, si gjithmonë edhe tani, në krahët e shpresës le të fluturojnë ëndrrat e mërgimtarëve!