Nju Jork, u shfaq premiera e filmit dokumentar për Bekim Fehmiun

Amerika

Nju Jork, u shfaq premiera e filmit dokumentar për Bekim Fehmiun

Nga: Beqir Sina Më: 18 shkurt 2024 Në ora: 19:35
Valmir Tertini

Filmi dokumentar “Bekim Fehmiu”, me skenar të Fahri Musliut dhe regji të Valmir Tertinit, u shfaqë mbrëmë në teatrin “The Producers Club”’, në New York, nën organizimin e aktorit Diar Xani, Faton Zogejani dhe Arenc Leka.

Image
Beqir Sina dhe Valmir Tertini

Dokumentari artistik “Bekim Fehmiu” i zhanrrit të metrazhit të gjatë artistik, kushtuar figurës së aktorit të madh Bekim Fehmiu, të cilin Valmir Tertini, regjisori i këtij filmi/dokumentar, e solli mbrëmë në metropolin e botës në Nju Jork, për komunitetin shqiptar, përkatësisht në 16 - Vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, erdhi këtu, pas shfaqjeve të tij të suksesshme, që ai kishte vitin e kaluar në Tiranë, dhe në Kosovë, pikërisht në Prizren, aty ku i pushojnë eshtrat e Bekim Fehmiut.

Dhjetëra pjesëmarrës ishin në dy shfaqjet e filmit/dokumentar “Bekim Fehmiu”.

Image
Disa nga pjesëmarrësit në ngjarje

Në, ndërkohë, erdhën mbrëmë për të parë filmin dokumentar në “Producers Club”, të Freddy Tolljas, konsulli i Konsullatës së Përgjithshme të Kosovës, Fatmir Zajmi, artistë të komunitetit, biznesmen të suksesshëm, afaristë dhe aktivist të njohur, studentë të universiteteve amerikane, gazetarë e tjerë.

Po ashtu në mesin e artistëve pjesëmarrës në këtë shfaqje ishin edhe disa emra mjaft të njohur të skenës shqiptare në Shqipëri, Kosovë, trevat shqiptare dhe diaspora, Bujar Alimani, Avni Abazi, Arenc Leka, Diar Xani, Herion Mustafaraj, Blerim Gjoci, Faton Macula, Andi Gjoni, Adonis Filipi dhe Shpendi Xani.

Image
Disa nga pjesëmarrësit në ngjarje

Filmi/dokumentar pasqyron historinë e jetës dhe sukseset në fushën kinematografisë së Bekim Fehmiut

Bekim Fehmiu mbeti ndër të vetmit aktor shqiptar i cili arriti të luajë në filma dhe seritë më të njohura botërore, sikurse në serinë “Odiseu”, filmat: Aventurierët”, “Rruga”, “Vitet e nxehta”, “Dezertori”, etj.

Bekim Fehmiu lindi në Sarajevë më 1 qershor 1936, në një familje gjakovare, ndërsa vdiq më 15 qershor 2010 në Beograd, duke bërë vetëvrasje, sipas versionit zyrtar.

Dokumentari prej 66 minutash i xhiruar në gjashtë shtete është me regji nga Valmir Tertini dhe skenar të Fahri Musliut. Kurse, Roza Anagnosti, Faruk Begollli, Bekim Fehmiu (archive footage),Timo Flloko, Eleonora Giorgi, Fadil Hysaj, Miljenko Jergovic, Fadil Kraja,Branislav Lecic, Goran Markovic , Gani Mehmetaj, Piro Milkani,Branka Petric, Enver Petrovci, Milazim Salihu, Milan Vlajcic, janë karakteret e përzgjedhura të regjizorit Valmir Tertini.

Image
Disa nga pjesëmarrësit në ngjarje

Ky dokumentar është xhiruar në gjashtë shtete; Kosovë, Shqipëri, Serbi, Kroaci, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Itali

Tertini, thotë se "filmi dokumentari “Bekim Fehmiu”, është rrëfimi më adekuat i një aktori të keqkuptuar, pra është e vërteta e tij nga faktet pamore, fjalët e tij, shpjegimet e të afërmve e deri te pikëpyetjet e krijuara ndër vite"'.

Sipas regjisorit Tertinit, ky projekt ka nisur në vitin 2019, ndërsa ka gjetur financim nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë në Shqipëri, dhe pas Tiranës, Prizrenit, dhe mbrëmë Nju Jorkut, filmi i tij për Bekim Fehmiun, pritet të shfaqet dhe në Prishtinë, Beograd, Romë e Parisë.

Gjithashtu tha ai dokumentari ka nisë dhe distribuimin nëpër festivale ndërkombëtare.

Image
Disa nga pjesëmarrësit në ngjarje

Aktori Diar Xani, na tha se jam i lumtur që kemi arritë t'a sjellim në Nju Jork, metropolin e botës, për komunitetin shqiptar, këtë film/dokumentar të realizuar mjaft profesionalisht nga regjisori i talentuar Valmir Tertini, për jetën dhe veprimtarin e aktorit të madh siç ishte Bekim Fehmiu.

"17 shkurti, tha ai është dita më e rëndësishme për Kosovën tonë të dashur, prandaj ka qenë shumë e rëndësishme edhe për neve organizatorëve, kjo datë që ta festojmë me një program të tillë. Ku të gjithë pjesëmarrësit(publiku) u ndan të kënaqur lidhur me këtë premier, sepse disa mësuan më shumë për të vërtetat e Bekim Fehmiut, ku disa figura të njohura të kinematografisë emocionalisht i sollën kujtimet e tyre të kohës së kaluar, kur ata kanë pas rastin t'i shikojnë filmat e Bekim Fehmiut."

Aktori kosovar, Diar Xani, shprehet se "përkujtimi për Bekim Fehmiun në këtë form është më e pakta që mund të bëhet, sepse, figura e tij duhet të lartesohet edhe më shumë në forma të ndryshme, pasi që Bekim Fehmiu, ka qenë një nga personalitetet që ka lënë gjurmë të pashlyeshme, në kinematografinë e Evropës juglindore, por mbi të gjitha, ai ishte edhe aktori i parë ballkanik, I kohës së "Luftës së Ftohtë" i njohur per kontributin artistik në kinematografinë botërore, deri në Hollivud".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat