Një mik imi i mirë nga Bajza e Kastratit me banim në Tiranë, gjatë një bisede të përbashkët në Ulqin më tha: ” Njeri i madh është ai që është njeri”. Kjo fjali domethënëse më ra ndërmend para se ta filloja këtë shkrim për mërgimtarin dhe humanistin shumëvjeçar nga fshati Selishtë i krahinës famëmadhe të Grudës – Malësi e Madhe, Mark Nikollë Pjetrushit Lulgjuraj, i cili afro një gjysmë shekulli jeton dhe punon në Shtete të Bashkuara të Amerikës.
Sfidat në “ tokën e premtuar”
Jeta e këtij njeriu, me vepra të mëdha bamirësie, por shumë modest, ashtu si e mijëra mërgimtarëve të tjerë shqiptarë në mërgim, fillon me sfidat e ambientimit me vendin e ri, në “ tokën e premtuar” siç e quajnë Amerikën, me gjuhën, kulturën dhe punësimin . Këto vështirësi mjaft të mëdha për këtë njeri fisnik e bujar, me zemër të madhe, duarartë dhe këmbëngulës u bënë të tejkalueshme më lehtë. Mark Lulgjuraj , ashtu siç e njoh unë para se të merrte rrugën e mërgimit, është sa biznesmen, aq edhe humanist, atdhedashës , atdhetar dhe veprimtar i palodhur. Ai gjatë gjithë jetës së tij mbanë gjallë dashurinë për vendlindjen e tij Malësinë dhe identitetin malësorë , tipare të cilat dallohen lehtësisht në çdo veprimtari të tij shoqërore dhe në çdo bisedë të lirë me të.
Malli për vendlindje nuk i shuhet kurrë
e parë Malësinë e tij të dashur ekonomikisht ende të pazhvilluar sa duhet, largimin e të rinjve nga vendlindja , zbrazjen e fshatrave të Malësisë, bashkëvendësit e moshuar më në nevojë, vendosi që një pjesë të fitimit të tij dhe të familjes në mërgim ta investojë në vendlindje. Donacionet e tij janë të shumta, dhjetëra mijë dollarësh, të drejtuara në përmirësimin ekonomik të vendlindjes në shumë fusha dhe në zbutjen e situatës së vështirë socio-ekonomike të familjeve shqiptare më në nevojë të cilat kanë vendosur të qëndrojnë stoik në trojet e tyre stërgjyshore.
Nikollë Pjetrushi ka bërë shumë për Malësinë. Sa herë ka ardhur për vizitë në vendlindje nga Amerika, ka ndihmuar diçka nga djersa e familjes së tij. Ndërtimi i parkut jashtëzakonisht të bukur në fshatin Selishtë, i pari i këtij lloji në Malësi, ndërtimi i shtatores së Zojës Pajtore, ndërtimi i shtëpive për skamnorët, zgjerimi i rrugës nga Kisha e Grudës deri në Selishtë, ndihma financiare Komunës së Tuzit në kohën izolimit të saj total nga virusi vdekjeprurës Covid-19 , donacionet në përmirësimin e kushteve për mësim të nxënësve të shkollave shqipe në Malësi, sofrat e shtruara të bashkimit të shtruara nga ai, dhuratat që ua ndau nxënësve të Malësisë me rastin e festave fetare, organizimi i aktiviteteve kulturore në Malësi, Kosovë, Shqipëri, Maqedoninë e Veriut dhe në Diasporë janë vetëm disa nga kontributet që i ka financuar për bashkëvendësit dhe bashkëkombësit e tij.
Sinonim i dashurisë dhe mirësisë njerëzore
gjitha këto dhe donacione të tjera vlerësohen nga banorët e Malësisë, dhe jo vetëm, duke u bërë kështu sinonim i mirësisë dhe dashurisë njerëzore. Kontributi i këtij njeriu solidar tregon se bujaria, fisnikëria e burrëria janë virtyte të larta shqiptare dhe se ato asnjëherë nuk treten veçse me shembuj të tillë forcohen ç’do ditë e më shumë. Kjo është nxitje, kultivim e zhvillim vlerash të cilat e ngritin në nivel të lartë edhe dëshirën e secilit për ndihmuar vendlindjen dhe kombin, por njëkohësisht edhe përkushtimin e secilit në raport me përgjegjësitë e besuara.
Të ruajmë identitetin kombëtar dhe gjuhën
Ky veprimtar me zemër të çiltër me mundësitë e tij mundohet të nderojë dhe të respektojë secilin njeri që e takon, pa llogaritur asgjë dhe në asnjë kompensim. Satisfakcioni më i madh i Mark Nikollë Lulgjurajt është që ditën kur largohet nga Malësia, të largohet i plotësuar në të gjitha aspektet , duke filluar nga dashuria vëllazërore, respekti i ndërsjellët fqinjësor dhe shoqëror. Ai me shembullin e vet u tregon bashkëvendësve dhe bashkëkombësve në vendlindje se paraja nuk sjellë kënaqësinë shpirtërore dhe as lumturinë jetësore, përkundrazi në disa raste e bënë të kundërtën. Në bashkëbisedim me qytetarët e Malësisë ai thekson efektet negative që sjellë jeta në mërgim-rrezikun e tretjes së qenies sonë kombëtare deri në asimilim. Dëshira e tij është që Malësia të lulëzojë, që rinia të mësojë , të mos largohet nga vendlindja dhe të ruajmë identitetin kombëtar dhe gjuhën.