Pacientja serbe

Amerika

Pacientja serbe

Nga: Mimoza Dajçi Më: 14 mars 2024 Në ora: 13:28
Autorja Mimoza Dajçi

Të punuarit në spital të jep mundësi të jesh në kontakt me individë të ndryshëm, amerikanë apo nacionalitete të tjera. Sapo kisha filluar turnin e natës, pacientja që do të merrja nga salla e urgjencës për të bërë x-ray (radioskopi) ishte serbe. Infermieri, afrikano – amerikan më tha, po ta le ty këtë paciente, mu duk shqiptare, por qenka serbe.

U turbullova pak, por shpejt e mblodha veten.

Puna teknike në spital, në departamentin e radiologjisë më bën të ndihem mirë kur i shërbej me modesti të sëmurëve, më ndihmon edhe financiarisht. Sigurisht nuk bëj dallime raciale apo etnike, kujdesem për të gjithë njësoj, por nuk e kisha çuar në mendje se si do të veproja në një rast të tillë....

I afrohem pacientes. Ishte vajzë e re, nën konvulsione të forta. Kishte temperaturë të lartë, nga çasti në çast mund të kalonte edhe në koma. Në urgjencë sipër krevatit i kishin hedhur një çarçaf të hollë, që nuk i jepte mundësi për të përballuar të ftohtin që ndjente brenda vetes, për shkak të sëmundjes që e kishte mbërthyer.

E pyes për emrin, por jo vendin nga vinte. Së pari privatësia e pacientit, por edhe kolegu më tregoi që ishte serbe. Pacientja shoqërohej nga një vajzë e re, qe e motra. Ndërkohë ato mësuan që isha shqiptare. E sëmura qante e vazhdonte të dridhej nga ethet e forta e temperatura e lartë.

Mos u mërzit i thashë, këtu je në duar të sigurta, do të bëhesh mirë.

Mora tri batanije të bardha të ngrohta nga një makineri – mikrovale që mban të ngrohta batanijet e spitalit e i mbulova trupin. Filloi të ngrohej, e të vinte në vete. U çuditën të dyja, më thanë njëzëri faleminderit.

Nëse ju duhet diçka tjetër, i thashë, mos hezitoni.

“Montefiore” Hospital në New York tashmë renditet ndër spitalet më të suksesshëm në SHBA dhe numri i të shtruarve është gjithnjë në rritje. Ka pacientë edhe nga Shqipëria dhe Kosova që kanë gjetur shpëtim. Në atë mori pune e fluksi pacientësh gjeta mjekun e saj të rojës, i tregova situatën e rëndë në të cilën ndodhej. Mjeku erdhi e pa përsëri, më falënderoi që e vura menjëherë në dijeni, edhe e sëmura me të motrën më falënderuan. Njëherazi të dyja më vështronin me kërshëri gjatë gjithë kohës që qëndruan në sallën e emergjencës…

Ndërkohë që kujdesesha për të sëmurën, brenda vetes sillja në mendje krimet e masakrat monstruoze serbe ndaj vajzave, motrave e nënave tona të pa mbrojtura gjatë luftës në Kosovë. Pjesa dërmuese e të cilave akoma vuajnë nën ato plagë. Apo që po humbin jetën dita ditës, duke lenë fëmijët jetim....Gjithashtu nga media kisha dëgjuar, se në Tribunalin e Hagës ish ndihmësi i Punëve të Brendshme të Serbisë Vlastimir Gjorgjeviq kishte kërkuar falje për krimet e kryera në Kosovë, duke deklaruar se, gjatë vitit 1999 ishin bërë krime ndaj shqiptarëve. Ai gjithashtu kishte pranuar se kishte marrë pjesë në fshehjen e zhvendosjen e eshtrave të 724 trupave civile shqiptare në Batajonicë, Petrovo Selo të Klladovës dhe në liqenin Peruçaç.

Nuk jam e sigurt, por ndoshta edhe vajzat serbe të njëjtat histori - lufte po mendonin, përderisa më shikonin ashtu të habitura!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat