Malësorët në SHBA, Fondi "Malësia e Madhe" në Detroit, dhe Nju Jork, (të shtunën më 6 prill në Detroit, dhe 13 prill në Nju Jork), kanë përkujtuar 113 - vjetorin e Kryengritjes antiosmane të Malësisë, e cila është një ngjarje e rëndësishme për historinë kombëtare të shqiptarëve, që i parapriu shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
Kryengritjes së Malësisë së Madhe, e udhëhequr nga prijësi popullor Dedë Gjo Luli dhe mbështetur nga intelektualët më në zë të kohës, u kurorëzua me ngritjen e flamurit kombëtar në Deçiq.
E ftuar speciale në këto festime ishte historiania e njohur nga Tirana, Elena Kocaqi - Profesore e Shkencave Politike dhe Juridike, Universiteti i Durrresit , e cila vizitojë të dy kissat shqiptare dhe mori pjesë në Meshën e së Dielës
Një javë pas Detroitit, të shtunën 13 prilli me një mbrëmje solemne ishte Fondi "Malësia e Madhe" në Nju Jork, ai që shënoi 113-vjetorin kryengritjes së Malesisë e cila ishte njëra ndër kryengritjet shqiptare më të mëdha dhe më të zëshmet e asaj kohe nën Perandorinë Osmane në krahinën e Malësisë.
Mbrëmja solemne e Fondit "Malësia e Madhe" në Nju Jork, u mbajt simbas informacionve në rrjetet sociale në sallën e madhe të restorantit të preferuar nga shqiptarët në Bronx, "Eastwood Manor" dhe është e shoqëruar me një program të veçantë që zgjati disa orë, me fjalime dhe këngë e valle.
Mbrëmja festive e shënimit të 113 - vjetorit të Kryengritjes së Malësisë së Madhe u mbajt nën prezantimin e udhëheqjes së programit të kësaj feste Diana Ivezaj Cacaj.
113 - Vjetori i Kryengritjes antiosmane të Malësisë, mori bekimin e Famullitarit të Kishës Katolike Zoja e Shkodrës, Dom Pjetër Popaj, i cili me këtë rast dha edhe një fjalë përshëndetse ku ka pikasur ndërmjet të tjerave : trimërinë dhe pamposhtmëria e malësorëve kundër perandorisë otomane dhe veprën thelbësore të prijësit të malësorëve Dedë Gjo’ Lulit në kryengritjen që zë një vend të veçantë në historinë tonë kombëtare shqiptare.
Kjo festë e cila në komunitetin shqiptar të diasporës është bërë tradicionale, mbasi kremtohet me dekada filloi me këndimin e himneve kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe himinit kombëtar shqiptar, kënduar nga Engjëll Junçaj e Gjystina Bojaj.
Me një minut heshtje të pranishmit i dhanë një respekt të gjithë të rënëve, dëshmorëve dhe heronjëve të kombit Shqiptar.
Kryetari i Shoqatës Malësia e Madhe z.Senad Lulanaj në cilësinë e mikëpritësit në fjalën e tij theksoi se kryengritja e Malësisë ishte vepër gjigande patriotike, që u la me gjakun e malësorëve.
Historianja e njohur Elena Kocaqi e ftuar si folësja kryesore në aktivitetin patriotik të malësorve në shënimin e 113 - vjetorit të Kryengritjes së Malësisë, në Nju Jork, theksoi se kryengritja e Malësisë është një ndër ngjarjet më të rëndësishme në historinë moderne të popullit shqiptar .
Duke thënë se : “Rëndësia e kryengritjes qendron në atë që edhe pse ishte kryesisht nga fiset katolike të Malësisë së Madhe, ajo doli me kërkesa kombëtare qe fokusoheshin tek autonomia, tërësia territoriale dhe njohja e kombit dhe e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare”. Ajo theksojë se “ Malësorët tanë katolik na japin leksione për atë se sa mirë dinë të përdorin tolerancën fetare duke dashur gjithë shqiptarët përtej fesë. Kanë qënë dhe janë ajka e atdhetarizmit dhe nëpërmjet tyre janë ruajtur shumë zakone e tradita antike kombëtare”.
Kryetari i shoqatës “Jehona e Malësisë” në Michigan z.Agron Dedivanaj në fjalën e tij ka sjell në vëmendje rëndësinë e kryengritjes së Malësisë në procesin e Pavarësisë së Shqipërisë.
Ndërsa, poeti popullor nga Malësia, Nosh Rroku Camaj recitoi një baladë të gjatë kushtuar Ded Gjo’Lulit, Ismail Qemalit e trimave malësorë të kryengritjes së Malësisë, shkruar nga vetë ai.
Federata Pan-Shqiptare Vatra që përfaqësohej nga sekretari Dr. Pashko Camaj - në emër të Vatrës, përshëndeti festën e 113 - vjetorin e Kryengritjes së Malësisë së Madhe, ai foli rreth krenarisë kombëtare dhe historisë identitare të shqiptarëve që lidhen edhe me kryengritjen e lavdishme të Malësisë.
Darka festive e shënimit të 113 - vjetorin e Kryengritjes së Malësisë ka vijuar deri në orët e vona të mbrëmjes me këngë patriotike, dhe këngë e valle nga të gjitha trevat, nga grupi muzikor me këngëtarë Lek Dedvukaj, Ermina Bushi Lleshaj, ndërsa morën pjesë edhe disa përfaqësues të shoqatave të komunitetit.
Në faqen zyrtare në Fb, Malësia e Madhe Association - New York, kjo shoqatë ka shpërndar edhe një mesazh faleminderimi për festën e 113 - vjetorin e kryengritjes së Malësisë, në Nju York, në të cilin thuhet :
Shoqata Malësia e Madhe - New York falenderon pjesëmarrësit në 113 vjetorin e kryengritjes së Malësisë : "Shoqata Malësia e Madhe - New York falenderon të gjithë pjesëmarrësit që morën pjesë në festën për 113 - vjetorin e kryengritjes së Malësisë. Kryesia dhe Këshilli Drejtues shpreh mirënjohje të thellë Komisionit Organizativ të darkës festive."
Një falenderim të përzëmërt gjithashtu Shoqata Malësia e Madhe - New York, ka drejtuar për të gjitha shoqatat shqiptare që morën pjesë në këtë ngjarje festive për komunitetin tonë.
"Ishte një mbrëmje festive e shkëlqyer falë punës së shkëlqyer dhe të mirëpërgatitur. Shoqata Malësia e Madhe tregoi edhe një herë seriozitetin e organizimit të festimit të një prej ngjarjeve më të shënuara të kombit shqiptar. Pavarësia e Shqipërisë filloi me kryengritjen e Malësisë. Ku, Malësia e Madhe zë një vend të veçantë në historinë kombëtare shqiptare.
Më tej thuhet se kjo festë është vazhdim i traditës 30 vjeçare që Shoqata Malësia e Madhe angazhohet për komb, flamur, atdhe e komunitet. Falenderim të përzemërt çdo pjesëmarrësi e secilit që ka kontribuar e vazhdon të kontribuojë në ruajtjen e kësaj tradite dhe vazhdimësinë ndër brezat e pasardhësve tanë.
Rroftë Malësia! Zoti e bekoftë kombin shqiptar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës!
Me respekt, mirënjohje e vlerësim për secilin nga ju