Kisha katolike shqiptare në Amerikë: 25 vjetori i shugurimit të Kishës “Zoja e Shkodrës” në Nju Jork

Amerika

Kisha katolike shqiptare në Amerikë: 25 vjetori i shugurimit të Kishës “Zoja e Shkodrës” në Nju Jork

Nga: Beqir Sina Më: 1 maj 2024 Në ora: 18:42
Kisha “Zoja e Shkodrës” në Nju Jork

Mbas javës së bukur të Pashkëve, qindra besimtarë katolikë me familjet e tyre, veprimtarë të komunitetit dhe pjesëtarë të Kishës Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës”, ishin pjesë e një darke të madhe festive, e cila u mbajt të dielën (28 prill) në lokalin e njohur shqiptar “Eastwood Manor” në Bronx - New York.

Kjo ngjarje e bukur festive nën kujdesin famullisë “Zoja e Shkodrës”, personalisht të përndershmit, Dom Pjetër Popaj, shënoi 25-vjetorin e Shugurimit, dhe festën e themelimit të Kishës Katolike Shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Klerikë, veprimtar të dalluar të komunitetit shqiptar në Amerikë, student, filantrop, diplomatë të të dy vendeve tona, Shqipëria e Kosova, gazetar, kryetarë shoqatash, organizatash, mysafirë nderi nga Shqipëria, Kosova e trojet etnike, morën pjesë në darkën festive të 25-vjetorit të Shugurimit të kësaj kishe.

Në festën e bukur të famullisë “Zoja e Shkodrës”, morën pjesë klerikët Imz. Dodë Gjergji, Dom Pjetër Popaj, Dom Robert Jakaj, Dom Simo Luliq dhe Dom Marjan Gjineshaj, Dom Nikolin Pergjini si dhe z. James Liolin, Dhiak i kishës ortodokse autoqefale shqiptare në Jamaica Estates.

Image
Foto nga ceremonia

Kurse në mesin e personaliteteve në këtë festë ishin zv/ministrja e Punëve të Jashtme e Diasporës së Kosovës Liza Gashi, kryetari i Prishtinës Përparim Rama, Ambasador Blerim Reka, si edhe Imam Tahir Kukaj, legjistativi z. Vedat Gashi, kryetari i Vatrës, z. Elmi Berisha, nënkryetari dr. Pashko R. Camaj, ish këshilltari z. Mark Gjonaj dhe kandidati për Senatin e shtetit të Nju Jorkut, z. Marko Kepi.

Në mesë drekë, u dha një meshë në mesdrekë, që iu kushtua 25-vjetorit të Shugurimit të kishës, dhe në mbrëmje u organizua darka me një ceremoni solemne, fjalime dhe program të pasur artistik e kulturor kushtuar famullisë “Zojës së Shkodrës”, e cila, përndryshe, është e njohur si Zoja e Këshillit të Mirë.

Image
Foto nga ceremonia

Mesha e Shugurimit të kishës, është udhëhequr nga ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji në bashkmeshim me famullitarin e Kishës “Zoja e Shkodrës”, Dom Pjetër Popaj, si dhe meshtarët të ardhur enkas nga trojet shqiptare, Dom Robert Jakaj, nga Kosova, Dom Simo Luliq, nga Mali Zi dhe Dom Marjan Gjineshaj, nga Shqipëria.

Festa e 25-vjetorit të Shugurimit të Kishës “Zoja e Shkodrës”, mori bekimin e nikoqirit famulloitarit i Kishës “Zoja e Shkodrës:, i përndershmi Dom Pjetër Popaj.

Image
Foto nga ceremonia

Famullitari i Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës”, i përndershmi Dom Pjetër Popaj në fjalën e tij përshëndetse, tha se Kisha dhe qendra e kishës “Nana Tereze” kanë shërbyer si një forcë bashkuese për shqiptarët nga afër dhe nga vendlindja, brenda mureve të kishës sonë, ne kemi gjetur një bazë, një identitet të përbashkët fetar e kombëtar.

“Kisha jonë ka qenë një fener drite, që na ka udhëhequr drejt një kuptimi më të thellë të vetvetes tonë. Na ka ofru një platformë për të kultivu trashëgiminë tonë të pasur. Përveç shërbimeve fetare në qendren “Nana Tereze” kemi programe edukative për të rinjtë tonë, kemi klasa të gjuhës, muzikës, vallzimeve, festivaleve, karnavaleve, festimeve të ndryshme fetare e kombëtare. Të gjitha këto i përcjellin traditat tona brezave të ardhshëm dhe nderojnë sakrificat e paraardhësve tanë” tha ndër të tjera Dom Pjetër Popaj

Image
Foto nga ceremonia

Darkën festive e hapi Diakoni i arshshëm shqiptar në New York z.Orsin Turmalaj ndërsa përshëndetjen e nderit e mbajti kryetari i Këshillit të Kishës z.Nrek Tonaj i cili në fjalën e tij falenderoi besimtarët e famullisë për mbështetjen ndaj Kishës e Famullisë. Ai po ashtu foli për shërbesën që po i bënë Dom Pjetër Popaj, famullisë prej 4 dekadash, ndërkohë që bëri edhe një thirrje besimtarve të kësaj kishe për një angazhim më të fuqishëm në mbështetje të aktiviteteve fetare, atdhetare e kulturore në Kishën “Zoja e Shkodrës” në Hartsdale New York.

Drejtuese e ceremonisë ishte zonja e re, anëtare e famllisë dhe e këshillit të kishës, dr. Elizabet Peraj, e cila u prezantua nga kryetari i këshillit të kishës, z. Ndrekë Tonaj, kurse folësi kryesor i festimit ishte Mark Shkreli, Kryetari i Qendres Nëna Tereze dhe Anëtari i Këshillit Financiar, kryeredaktor i revistes “Jeta Katolike” vullnetar e aktivist i palodhshëm, njeri shume i afërt me kishë, i cili foli edhe mbi historikun e kësaj kishe.

Darkën e 25-vjetorit të Shugurimit të Kishës “Zoja e Shkodrës”, e përshëndeti edhe kryetari i Prishtinës Përparim Rama i cili vlerësoi Kishën shqiptare për shërbesën e saj të madhe në Amerikë.

Zv.ministrja e Punëve të Jashtme e Diasporës së Kosovës Liza Gashi, në llogarinë e saj në Fb, shkroi se me themelimin e Lidhjes Katolike Shqiptaro-Amerikane me 16 qershor të vitit 1962, nis edhe origjina e Kishës “Zoja e Shkodrës”. Kjo Kishë, simbolizon unitetin, afërsinë dhe miqësinë që ka ofruar për shqiptarët nga kudo, për më shumë se 25 vite me radhë: Andaj përgjatë festës së 25 vjetorit të Kishës “Zoja e Shkodrës”, falënderova të gjithë ata që u angazhuan për kontributin e jashtëzakonshëm për komunitetin tonë dhe për promovimin e harmonisë dhe bashkëjetesës ndër fetare në New York, ku Shqiptarët kanë qenë dhe mbesin shembull i bashkëjetesës ndër-fetare”.

Programi festiv ka vazhduar me fëmijët e shkollës shqipe pranë Kishës me këngë për “Zojën e Shkodrës” shoqëruar nga Donika Ukshini. Poezitë e poetit të shquar kombëtar At Gjergj Fishtës “Zoja e Shkodrës” dhe “Shkodra e Zojës”, të cilat u recituan nga Gabriel Gojcaj dhe Mary Camaj.

Soprano Donika Ukshini e baritoni Kreshnik Zhabjaku të shoqëruar nga kuarteti i harqeve me përformancën e tyre me këngë të njohura si: “Luleborë”, “Pranvera filloi me ardhë”, “Kur perëndon dielli”, “As aman o trandafil i çelës” etj. Me këtë rast u këndua ehe kënga kushtuar 25 vjetorit të kishës Zoja e Shkodrës titulluar “Kisha jonë rreze shpërnda” me tekst të poetit Gjovalin Lumaj, muzika Kreshnik Smajlaj, interpretuan Vasel Shkreli, Luigj Tinaj, Tom dhe Kreshnik Smajlaj, shoqeruar nga Lindon Ivezaj.

Grupi “Rozafati” me koreografen Angjelina Nika e cila man titullin “Mjeshtër i Madh” interpretuan valle shqiptare me motive çame, dhe ato me motive malësie dhe nga Tropoja. Darka festive kushtuar 25 vjetorit të shugurimit të Kishës “Zoja e Shkodrës” vazhdoi deri në orët e vona me këngëtarët Vjollca Luka e këngëtarve e muzikantve të tjerë.

Fjalimi i plotë I folësit kryesorë Mark K. Shkreli me rastin e Jubileut të Kishës Famullitare “Zoja e Shkodrës” më 28 prill 2024 Eastwood Manor, Bronx, New York :

Të përndershmit klerikë, politikanë dhe diplomatë,
zonja dhe zotëri,

Para 25 vitësh, pikërisht ditën e Shën Markut dhe natën e Zojës së Këshillit Mirë, më 25 prill 1999, arqipeshkvi i New York-ut, tani i ndjeri John Cardinal O’Connor, edhe pse i sëmurë rëndë nga kanceri, i cili edhe ia mori jetën, erdhi personalisht për ta shuguruar Kishën tonë, e sapo përfunduar, e para në botë kushtuar “Zojës së Shkodrës.

Ndërtimi i godinës së kishës ishte kryer që nga fundi i vitit 1998 dhe mesha e parë qe kremtuar më parë, pikërisht Ditën e Krishtlindjes, më 25 dhjetor 1998.

Jam i ngarkuar nga Komisionit Përgatitor i këtij jubileu dhe famulliatri Dom Pjetër Popaj, që me këtë rast të bëj një përmbledhje të shkurtër të hecurive që i kanë paraprirë ceremonisë solemne të shugurimit ose përshenjtërimit të kishës, gjë që unë e pranova me kënaqësi.

Komuniteti shqiptar në qytetin metropolitan të New Yorkut me rrethe ishte i ndarë në dy qendra, Zoja e Këshillit Mirë në Park Avenue dhe Shën Pjetri e Pali në Eastchester Road.

Për një komunitet relativisht të vogël, dy kisha kombëtare ishte një barrë e rendë për besimtarët, pore dhe për dioqezin, andaj u bënë përpjekje për bashkimin në një kishë të përbashkët.

Ashtu edhe ndodhi. Dom Rrok Mirdita dhe Atë Andrew Nargaj, në bashkëpunim me këshillat përkatës të dy qendrave, më 28 shkurt 1987, nënshkruan marrëveshjen për bashkimin në një famulli të vetme kushtuar pajtores së Shqipërisë, "Zojës së Shkodrës" dhe formimin e një qendre kulturore me emrin e murgeshës shqiptare me famë botërore, "Nëna Tereze".

Për nevojat e famullisë së re, dhe me pëlqimin e zyrës dioqezane të New Yorkut, më 26 shtator 1989, u nënshkrua kontrata e shit-blerjes dhe dy ditë më pas, Eminenca e Tij John Cardinal O'Connor e shpalli famullinë e re dhe për herë të parë, nga një prelat i lartë i kishës katolike, zyrtarisht u pranua emri "Zoja e Shkodrës" (Our Lady of Shkodra). Poashtu, Kardinali emëroi të përndershmin Dom Rrok Mirdita famullitar të parë të famullisë së parë shqiptare në kontinentin e Amerikës.

Gjatë përgatitjeve për ndërtim, Papa Gjon Pali II, emëroi famullitarin Dom Rrok Mirditën, Argjipeshkëv të Arqipeshkvisë Durrës-Tiranë, gjë që e detyroi atë të kthehej në atdhe ku, më 25 prill 1993, në Shkodër, shuguruohet nga vetë Papa, bashkë me tre ipeshkvij të tjerë, Imz. Frano Ilija, Imz. Robert Ashta dhe Imz. Zef Simoni.

Dom Pjetër Popaj, tani i emruar administrator nga kardinali O'Connor, iu qas punës me vrull të pashoq dhe, së bashku me bashkëfamullitarin Atë Andrew Nargaj, Diakonin Marash Shkreli dhe Këshillin e Kishës, përgatitën shpejt e mirë tërë atë që ishte e nevojshme për fillimin e ndërtimit.

Më 3 dhjetor 1995, në një ceremoni të rastit, në praninë e qindra bashkatdhetarëve të të tre besimeve, solemnisht u vu guri i themelit dhe kështu filloi ndërtimi, e që përfundoi në dhjetor të vitit 1998.

Po në dhjetor, pikërisht më 17, Kardinal O’Connor, emëroi Dom Pjetrin Famullitar të kishës së re dhe Patër Nargajn ndihmës famullitar. Siç u tha në fillim, Ditën e Krishtlindjes, më 25 dhjetor 1998, Dom Pjetri celebroi Meshën e parë në kishën e re.

Më 25 prill 1999, Kardinal O’Connor e shuguroi Kishën dhe shenjtëroi altarin e saj. Gjatë predikimit, kardinali përgëzoi famullinë dhe Dom Pjetrin për kishën e re duke përsëritur disa herë: "...kjo Kishë është një xhevahir, vërtetë një vepër madhështore".

Në ceremoninë e shugurimit merrnin pjesë një mori bashkëatdhetarë të besimit katolik si dhe një numër i konsiderueshëm besimtarësh ortodoksë e myslimanë, nga të cilët shquheshin Atë John Garvey, famullitar i kishës Ortodokse shqiptare "Shën Nikolla” në Jamaica Estates, Imam Isa Hoxha, udhëheqës shpirtëror i “Qendrës Islamike Shqiptare-Amerikane” në Brooklyn.

Në shkrimin e tij për revistën Jeta Katolike, Dom Pjetër Popaj shkruante: “Vërtetë kjo është dita që e bëri t'agojë Zoti. Të brohorisim e të gëzojmë së bashku duke falënderuar Atë që na e bëri fat për të pasur këtë kishë madhështore”, dhe vazhdon, “… kjo kishë shpreh edhe dashurinë për atdhe, sepse në të, përveç fesë, ruhet edhe kultura e gjuha shqipe që janë themelet e një kombi”. (Jeta Katolike, Viti 1999, No. 14-15)

Sot, më 28 prill 2024, duke filluar me Meshën e shenjtë, dhe tani me darkë solemne, jemi bashkuar për të kremtuar 25-vjetorin e kësaj ngjarje të rëndësishëm jo vetëm për katolikët e New York-ut, por për krejt diasporën, sepse kjo kishë, ky truall, është bërë “Toka Shqiptare” në treshtetshin New York-New Jersey-Connecticut, dhe më gjerë, ku, si do e theksoj në vazhdim, bëhen aktivitete kulturore, shoqërore, historike, atdhetare, me pjesëmarrjen e të gjithë shqiptarëve pa kurrëfarë dallimi.

Gjatë gjithë historisë së të dy qendrave, si dhe famullisë së bashkuar, rëndësi e veçantë i është kushtuar ruajtjes së gjuhës, kulturës, folklorit dhe traditave më të mira nga të gjitha trojet shqiptare, “Prej Prevezet m’Leqe t’Hotit / Prej Tivarit m’Monastir…”, sikur do të thoshte poeti ynë kombëtar, Atë Gjergj Fishta.

Seminare, Simposiume, Konferenca, Lutje të veçanta: 300-vjetori i Imzot Pjetër Bogdanit, 50-vjetori i vdekjes të Atë Gjergj Fishtës, 50-vjetori i vdekjes të Dom Ndre Mjedës, Seminar me rastin e inaugurimut të përmendores së Nënës Tereze, Konferenca “Kisha në Komunitetin Shqiptar”, Simpozium me rastin e 80-vjetorit nga vrasja e Luigj Gurakuqit dhe 30-vjetorit nga vdekja e Prof. Ernest Koliqi”, “600-vjetori i lindjes të Gjergj Gjon Kastriotit—Skënderbeut”, “400-vjetori i lindjes të Imz. Frang Bardhit”, Lutja ndërfetare për pavarësinë e Kosovës, Pjesëmarrja në Columbus Day Parade, 100-vjetori i ABC-së i njohur si Kongresi i Manastirit, 50-vjetori i Lidhjes Katolike Shqiptare Amerikane, 1700-vjetori i Ediktit të Milanos, Lutja ndërfetare me rastin e Thanksgivig, Konferencë me rastin e 20-vjetorit të vdekjes së Mons. Zef Oroshit, 550-vjetori i vdekjes së Gjergj Kastriotit, disa promovime librash nga autorë shqiptaro-amerikanë si dhe nga vendlindja, e shumë aktivitete të tjera.

Manifestimet vjetore: Festivali Vjetor Shqiptar u bë një ent kulturor për të cilin ka shkruar mjaft favorshëm edhe gazeta e famshme The New York Times. Vite me rradhë ky manifestim kulturor vazhdon të tubojë mbarë komunitetin shqiptar pa dallim feje apo ideologjije. Në 1995 një pjesë e Festivalit u paraqit në Konferencën e Artit të Grupeve Etnike në Philadelphia ku ishim të ftuar Ismer Mjeku dhe unë, me ç’rast mbajtëm një seminar për folklorin shqiptar. Mandej, çdo vjet: Karnavali në truallin e kishës, Dita e Traditës Shqiptare, Dita e Flamurit, pjesëmarrja në Paradën Shqiptare të organizuar nga “Rrënjët Shqiptare”, e shumë të tjera.

Shtegtaritë: Udhëtimi në Romë dhe Genazzano ka rëndësi të veçantë sepse shtegtarët u pritën në audiencë nga Papa Gjon Pali II. Në këtë takim për herë të parë nga një papë, u përdor titulli "Zoja e Shkodrës". Tri Shtegtaritë në Tokën e Shenjtë, 1991, 2018, 2023; Udhëtimet në Shqipëri me rastin historik të vizitës nga Ati i Shenjtë më 25 prill 1993, kur u bë shugurimi i katër prelatëve të kishës me çka u ripërtri hierarkia kishtare shqiptare e asgjësuar nga regjimi i pa Zot, antikombëtar dhe antifetar i lakejëve të Moskës; poashtu më 2014 kur Papa Frani vizitoi Tiranën; në Shkodër më 5 nëntor 2016 për të marë pjesë në ceremoninë e lumnimit të 38 martirëve shqiptarë. Gjatë vitit Marian 2000, “Udhëtimi i Shpresës”, nga Fatima, nëpër Lourdes, Assisi, Romë në Genazzano; mandej me rastin e lumturimit të Nënës Tereze, më 19 tetor 2003 dhe kanonizimin e saj më 5 shtator 2016. Pjesëmarrja në shugurimin e Kishës Shën Markut në Shtoj të Ulqinit, të Katedrales Shën Pjetri në Tivar, si dhe të Katedrales Shën Nëna Tereze në Prishtinë.

Në hapsirat e kishës, në Qendrën Nëna Tereze, funksionojnë shoqata kulturore "Rozafati", shoqata "Drita", shoqata e rinisë “Shpresa e Shqiptarëve”, shoqata e grave St. Ann’s Guild, si dhe shkolla shqipe.

Rol të veçantë fetaro-kulturor dhe shoqëror luan edhe botimi i revistës "Jeta Katolike", për të cilën ka shprehur lëvdata edhe shkrimtari i famshëm Ismail Kadare, si dhe poeti i ri shqiptaro-amerikan, Prof. Gjekë Marinaj.

Nga kjo famulli, kisha katolike ka fituar një arqipeshkëv, Imz. Rrok Mirditën, dy meshtarë, Dom Pjetër Popajn dhe Dom Nikolin Pergjinin dhe një diakon, Marash Shkrelin dhe tani edhe një tjetër, që me ndihmën e Zotit, do të shugurohet diakon në qershor, z. Orsin Turmalaj.

Më 15 maj, Dom Nikolini kremton 25 vjetorin e meshtarisë, andaj ju lutëm që me një duartrokitjhe t’ia urojmë jubileun e argjentë – Ad Multos Annos, Dom Nikolin.

Nuk mundem mos të përmend edhe dy meshtarë të tjerë që kanë shërbyer në këtë kishë vite me radhë, Dom John Gibson, MC dhe Dom Viktor Dedaj nga Arqipeshkvia e Tivarit.

Kisha jonë, me prijësin e palodhur, të përndershmin Dom Pjetër Popaj, nuk harroi kurrë për t'ju ardhur në ndihmë bashkëatdhetarve kudo në trojet shqiptare. Herë pas here janë grumbulluar ndihma, si p.sh. ushqime dhe veshmbathje për nevojtarët në Shqipëri dhe më vonë për refugjatët kosovarë në qershor të vitit 1999.

Kontribute të mëdha janë bërë kudo në vendlindje. Çdo herë kjo kishë ishte e gatshme të dërgojë ndihma finaciare për ndërtimin ose rinovimin e kishave, shkollave, rrugave, urave, qendrave kulturore, nga të cilat me vlerë të veçantë janë, Kisha e Shën Markut në Shtoj të Ulqinit, Katedrala e Shën Nënës Tereze në Prishtinë dhe Katedrala e Shën Pjetrit në Tivar.

Veprimtaritë dhe arritjet e famullisë janë parë edhe nga institucjonet amerikane. Senati Amerikan ka dekoruar Dom Pjetrin me medaljen Ellis Island, gjithashtu ai është nderuar edhe nga Salesian High School me Presidential recognition. Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani ka nderuar famullinë tonë me katër medalje: Dom Pjetrin me medaljen “Urdhri Nëna Tereze”, Qendrën Nëna Tereze me medaljen “Nderi i Kombit”, Grupin Rozafati me medaljen Mjeshtër i Madh, dhe mua si drejtor shumëvjeçar të festivaleve dhe Qendrës Nëna Tereze, dhe kryeredaktor të revistës Jeta Katolike, me medaljen “Për Merita të Veçanta Civile”.

Megjithëse fizikisht larg, gjithmonë kemi qenë shpirtërisht afër dhe të gatshëm të ndihmojmë dhe të punojmë, sipas motos: “Për Fe, Atdhe e Përparim”.

Për të vazhduar dhe zgjeruar aktivitetet kulturo-shoqërore-artistike, Famullia Zoja e Shkodrës, e udhëhequr nga famullitari Dom Pjetër Popaj, është në përgatitjen e ndërtimit të një qendre të re pranë kishës, ku do të jenë dhoma të mjaftueshme si për katekizëm ashtu edhe për shkollën shqipe dhe aktivitete të tjera që organizohen kohë pas kohe. Qendra e re do të emërohet Gjergj Kastrioti Skenderbeu.

Këto ishin disa nga arritjet kryesore të deritanishme në famullinë “Zoja e Shkodrës”, por besojmë se kjo famulli, me ndihmën e Zotit dhe të Pajtores së saj Zojës së Shkodrës, e udhëhequr nga meshtari i palodhur Dom Pjetër Popaj, me mbështetjen e plotë të anëtarëve të saj dhe këshillit të kishës, do të vazhdojë të jetë vatër fetare, kulturore, kombëtare dhe vend bashkimi i komunitetit Shqiptaro-Amerikan, në shekuj të shekujve.

Le t’i lutemi pra Pajtores tonë Zojës së Shkodrës që, sikurse në të kaluarën, kurrë mos ta braktisë popullin shqiptar, mos ta braktisë famullinë tonë, dhe duke përdorur vargjet e Atë Gjergj Fishtës, t’i drejtohemi asaj:
“T'bin në mend se Zoja e Shkodrës je:
Lutu për ne, lutu për ne!”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat