Delegacioni i qeverisë së Kosovës, bashkëbisedim për artin në Konsullatë

Amerika

Delegacioni i qeverisë së Kosovës, bashkëbisedim për artin në Konsullatë

Nga: Rafaela Prifti Më: 1 maj 2024 Në ora: 19:31
Foto nga takimi

Të martën, në mbrëmjen e 30 prillit, në Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në Nju Jork bashkëbisedimi midis anëtarëve të komunitetit dhe dy anëtarëve të qeverisë së Kosovës ishte pjesë e vizitës së Ministrit të Rinisë, Kulturës dhe Sportit z. Hajrullah Çeku dhe zv. Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, zonja Liza Gashi. Delegacionin qeveritar e prezantoi Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës, Ambasadori Blerim Reka, duke thënë se qëllimi i vizitës së tyre ishte një ngjarje në sferën e artit, pikërisht hapja mbrëmë në tarracën e hapur të Muzeumit Metropolitan të instalimeve nga artisti kosovar, 39 vjeçari me famë botërore, Petrit Halilaj, i cili shprehu falënderime të veçanta për mbështetjen që i është dhënë. “Mbrëmë ka qenë një nga ditët më të lumtura të jetës sime, “ tha ai me nënën pranë.

“Me anë të artit të tij, ai tregon historinë e Kosovës,” tha z. Çeku për të pranishmit. “Të tjerë shembuj të mirë në art dhe kulturë”, siç i quajti ai, “janë nderimi me mirënjohje të veçantë i instalacionit skulpturor nga Hana Halilaj dhe Doruntina Kastrati, përzgjedhja e filmit të shkurtër nga regjisori kosovar Saimir Karahoda në Festivalin e Filmit në Kanë, etj.”

Ministri Çeku foli për momentet kritike në kontekstin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës dhe hapjes së rrugës drejt organizmave ndërkombëtare. Zgjedhjet në Parlamentin Evropian në qershor dhe ato presidenciale në nëntor në Amerikë do të kenë rëndësi të veçantë për komunitetin shqiptar dhe gjithë shqiptarët. Zëvendës Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, zonja Liza Gashi vuri në dukje se krahas komunikimit të institucioneve të Republikës së Kosovës me diasporën duhet të ketë “edhe njohje horizontale brenda bashkësisë për të mbërritur më shumë, sepse duke qenë bashkë, jemi më të fuqishëm.”

Image
Foto nga vendngjarja

Për procesin e regjistrimit, znj. Gashi tha se “mund të kryhet për 5 minuta në pajisjet elektronike që keni.” Ajo shpjegoi se “numërimi është i lidhur jo vetëm me përcaktimin e buxhetit të Kosovës në 10 vitet e ardhshme por edhe me infrastrukturën në rrethin a qytetin ku banoni, pra lidhet drejtpërdrejt me adresimin më të efektshëm të kërkesave dhe planifikimit më të mirë të investimeve.”

Midis të pranishme ishin figura të artit dhe kulturës si fotografi Fadil Berisha, veprimtarë të komunitetit si botuesi i gazetës Illyria Vehbi Bajrami, Dr. Shpresa Xhakli, Drejtoreshë ekzekutive e Fondit Shqiptar për Fëmijë, çifti i mirënjohur i muzikës popullore Merita Halili dhe Raif Hyseni, Djellza Pulatani, Kryetare e shoqatës F’Oda, të cilët u përshëndetën me vizitorët dhe uruan artistin Petrit Halilaj për instalacionin skulpturor Abetare, ekspozita e parë e tij në Amerikë. 

Image
Foto nga vendngjarja
Image
Foto nga vendngjarja
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat