Kisha sllave i hodhi benzinë zjarrit të luftës në Kosovë

Analiza

Kisha sllave i hodhi benzinë zjarrit të luftës në Kosovë

Beqir Sina Nga Beqir Sina Më 25 shtator 2023 Në ora: 17:46
Foto ilustrim

Autori i këtij studimi është një nga personalitetet me të njohura të kësaj fushe në Amerikë .

Ai është Majkëll Sellz, autori i librit "Ura e tradhtuar: Feja dhe gjenocidi në Bosnje", botimi i dytë, 1998.

Aktualisht është profesor i feve krahasuese në Kolegjin Haverford, Pensilvani).

Hadford Pensilvani(Maj 1999)-Anëtarët e Kishës Ortodokse Serbe dhe qeveria jugosllave janë duke bërë një akuzë të rëndë. Ata pretendonin gjatë luftës në Kosovë se NATO-ja ishte duke bombarduar manastiret e mëdha ortodokse serbe që datojnë në mbretëritë serbe të mesjetës.

Ueb-sajti i Institutit të qeverisë së Beogradit për mbrojtjen e monumenteve të kulturës të Serbisë tregon fotografi manastiresh gjysme të dëmtuara nga goditjet ajrore të NATO-s duke përfshirë edhe dy hapësira të zeza me fjalën “të shkatërruara" që shkruhet në to në mënyrë kob- ndjellëse. Faqja e internetit e Kishës Ortodokse Serbe, e titulluar "Bombardimi i vendeve të shenjta serbe" është edhe më provokues. Në këtë faqe tregohet një hartë me faltoret më të mëdha serbe në Kosovë, me ikona që tregojnë shpërthime bombash në secilën prej tyre, sikur bombat e NATO-s të kenë rënë drejt e mbi to. Rëndësia fetare dhe historike e manastireve në Kosovë -- një zonë që disa e quajnë "Jerusalemi Serb" -- bën që pretendime të tilla të kenë një efekt të madh, veçanërisht në vendet me popullsi të mëdha të krishtere ortodokse. Kështu që kërcënimet ndaj qendrave të shenjta simbolizojnë kërcënimet ndaj popujve që i vlerësojnë ato.

Megjithatë, në këto faqe të internetit nuk jepet asnjë provë për të përligjur etiketimet "të shkatërruara" apo titullin "Bombardimi i vendeve të shenjta serbe". Faqet paraqesin fotografi të monumenteve përpara shkatërrimit të supozuar, por asnjë pamje të dëmtimeve që ata pretendojnë se janë shkaktuar nga NATO-ja -- me përjashtim të figurave me të çara muresh që mund të jenë shkaktuar nga çdo gjë. Autoritetet serbe nuk kanë ngurruar të tregojnë detaje grafike të shkatërrimeve civile të shkaktuara nga bombat e NATO-s të rëna gabimisht. Sikur NATO-ja të kishte bombarduar manastiret, pamjet e rrënojave do të ishin transmetuar në të gjithë botën.

Këto akuza të reja kundër NATO-s janë qëllimisht të ngjashme me akuzat e nacionalistëve serbë të vitit 1986 se shqiptarët kosovarë po shkatërronin manastiret. Kjo akuzë gërshetohet me pretendime të tjera zjarrvënëse se shqiptarët kosovarë na qenkan emigrantë të paligjshëm që duhen dëbuar; se shqiptarët përdorkan natalitetin si mjet për të kryer një "gjenocid demografik" kundër pakicës serbe të Kosovës; dhe se na paskan kryer përdhunime të grave serbe në masë. Më 1986, peshkopët ortodoksë serbë i përsëritën këto akuza duke pretenduar se kundër serbëve të Kosovës po kryhej një gjenocid. Të njëjtat akuza u përsëritën në të famshmin "Memorandum" të shkruar nga disa intelektualë serbë që sulmonin kushtetutën jugosllave dhe autonominë e Kosovës. Në këtë mjedis të nxehtë, Slobodan Milosheviçi kërceunë pushtet duke premtuar se do të mbronte popullin serb dhe vendet e tij të shenjta nga armiqtë e tij.

Cila është e vërteta e këtyre akuzave frikësuese? Në Kosovë, qoftë nga shqiptarët, qoftë nga serbët, kanë ekzistuar fërkime e pakënaqësi reale dhe të dy grupet e kanë ndier veten të kërcënuara. Por gazetarët e pavarur serbë dhe punonjësit e të drejtave të njeriut kanë konstatuar se akuzat më zjarrvënëse kanë qenë kryekëput sajime. Nga një studim të fakteve të policisë në Kosovë rezulton se në një vit të tërë ka ndodhur vetëm një përdhunim i një serbeje etnike nga një shqiptar. Po ashtu, gjoja shkatërrimi i altarëve serbe doli se në të vërtetë kishte të bënte vetëm me raste të izoluara vandalizmi, me shkrime të pahijshme në mure apo me prerje pemësh në oborrin e kishës -- gjë që ka të bëjë ndofta me krime të diktuara nga urrejtja, po kurrsesi me një asgjësim të organizuar genocidal të pretenduar.

Mirëpo akuza se shqiptarët na paskan praktikuar qëllimisht shkatërrimin e trashëgiminë fetare serbe ka gjetur jehonë, pavarësisht nga provat për të kundërtën. Kjo akuzë është mishëruar në një histori të mitologjizuar, në të cilën turqit otomanë dhe myslimanët ballkanas autoktonë paraqiten si të dalldisur nga dëshira për të çrrënjosur si serbët, edhe qendrat e shenjta serbe.

Nacionalistët serbë e përsërisin pareshtur këtë akuzë -- pavarësisht nga mbijetesa e kësaj trashëgimie të mrekullueshme gjatë pesë shekujve të sundimit otoman mu në mes të fqinjëve shqiptarë dhe pavarësisht nga dëshmitë otomane që vërtetojnë mbështetjen e patriarkatit ortodoks serb dhe autorizimin e tij për të ndërtuar e riparuar kishat serbe.

Për të kuptuar të gjithë potencialin e akuzave për shkatërrimin e manastireve, duhet të vëmë në dukje edhe simbolet e tjera që u bashkëngjiten këtyre manastireve.

Princi serb mesjetar, Llazari, është portretizuar si figura e Krishtit dhe vdekja e tij në betejën e Kosovës më 1389 është paraqitur si "Golgota e Serbisë". Nacionalistët serbë kanë filluar të akuzojnë sot myslimanët e Ballkanit se i kanë duart të lyera me gjakun e princit-Krisht Llazar. Në të njëjtën kohë, eshtrat e serbëve të vrarë nga nazistët dhe bashkëpunëtorët e tyre ustashë gjatë Luftës II Botërore ç' varroseshin ritualisht nën trumbetimin e propagandës nacionaliste që i demonizonte të gjithë shqiptarët, muslimanët sllavë dhe kroatët si gjenocidistë të lindur. Koha mitologjike (1389), kujtesa historike (Lufta II Botërore) dhe akuzat e rreme për gjenocidin bashkëkohor shqiptar u janë bashkangjitur simbolikisht këtyre manastireve.

Në 28 qershorin lapidar të vitit 1989, në 600-vjetorin e betejës së Kosovës, reliket e Llazarit u brodhën solemnisht nga një manastir në tjetrin, derisa mbërritën në manastirin e Graçanicës (një nga vakëfet që sot pretendohet se kanë qenë në shënjestër të sulmeve të NATO-s). Një turmë e pafund vështronte zbulimin e relikteve në manastir për të shkuar pastaj pranë fushës së betejës.

Atje, një turmë akoma më e madhe prej një milion serbësh, dëgjoi fjalimin luftënxitës të Millosheviçit që vuloste planin e tij për të anuluar autonominë e Kosovës. Simbolet e demontuara me kujdes dhe të ekspozuara me një forcë të tillë ritualiste e teatrale u instrumentalizuan më pas në spastrimin e radhëve të ushtrisë jugosllave, në mbrojtjen e grupeve ekstremiste paraushtarake nga qeveria dhe në propagandën e mediave.

Në vorbullën e një psikologjie frike e tërbimi masiv, shoqëria serbe u radikalizua. Personi më popullor serb në ditët e sotme është krimineli i akuzuar për krime lufte, Arkani, dhe politikani serb më popullor është Vojislav Shesheli, një mbrojtës i hapur i asgjësimit të shqiptarëve kosovarë dhe i të gjithë myslimaneve të Ballkanit. Dhuna e konceptuar për Kosovën fillimisht u materializua në konfliktet në Kroaci e Bosnje.

Në Bosnje, militarët serbë -- të nxitur nga akuzat për shkatërrimin e manastireve serbe -- asgjësuan vende të shenjta jo serbe. U shkatërruan të gjitha xhamitë dhe vakëfet e tjera myslimanë (mbi 1.400 të tilla), ndër të cilat përfshiheshin edhe disa kryevepra të klasit botëror të ndërtuara në shekujt e 15-të e të 16-të. Në disa qytete, të gjitha xhamitë u shkatërruan brenda një nate të vetme duke përdorur vënien e njëkohshme të dinamitit. Xhamia e Ferhat Pashait (1583) në Banjallukë u shpërthye me dinamit tri herë, rrënojat e saj u kthyen në pluhur me çekiçë shpimi dhe u transportuan me kamionë për t'i mohuar bashkësisë myslimane të mbijetuar që ta gëzonte atë trashëgimi të përbashkët. Në qytetin e Foçës, kryevepra e shekullit të 16-të, e njohur si “Xhamia me Ngjyra", si dhe të gjitha vakëfet e tjera myslimane u hodhën në erë dhe vendet bosh të tyre u kthyen në parkingje. Kur krye bashkiakët e rinj nacionalistë të Foçës dhe Zvornikut u pyetën se pse ishin shkatërruar të gjitha xhamitë, ata u përgjigjën se në ato qytete nuk kishte patur kurrë xhami.

Në rastin kur ushtria serbe nuk mund ta pushtonte dot një zonë, ajo vinte në shënjestër qendrat kulturore duke i goditur me artileri, kurse në Sarajevë dogji Institutin Oriental -- bashkë me koleksionin e tij të paçmuar me dorëshkrime arabe, persiane, turke e sllave -- si dhe Bibliotekën Kombëtare që kishte pasur mbi një milionë vëllime -- djegia më e madhe e librave në histori. Në tre vjet, militarët serbë çrrënjosën pesë shekuj të trashëgimisë muslimane të Bosnjes si dhe të gjitha dëshmitë se muslimanët dhe serbët i përkisnin të njëjtit qytetërim. Ndërkohë, manastiret serbe në Kosovë mbetën të pacenuara, siç u kishin rezistuar shekujve të tërë nën sundimin otoman dhe fqinjëve shqiptarë.

Mirëpo tani po dëgjojmë akuza të ngjashme zjarrvënëse se NATO-ja na qenka duke bombarduar manastiret serbe. Në të gjithë këtë histori për manastiret, ne priremi të harrojmë se edhe bashkësia shqiptare ka qendrat e veta myslimane e katolike. Qendrat myslimane përfshijnë xhamitë, medresetë (shkollat fetare, shpesh të pajisura me biblioteka dorëshkrimesh), teqetë (vakëfe dervishësh), tyrbet mauzoleume, shpesh qendra pelegrinazhi) hamamet komplekse banjash për burra e gra) dhe pazaret (shpesh të ndërtuara pranë ndonjë xhamie për të nxitur kontributet e përshpirtshme). Shumë prej tyre datojnë në shekullin e 15-të e të 16-të. Refugjatët kosovarë të intervistuar në kufi shpesh sjellin njoftime që përputhen me njoftime të tjera se kanë parë me sytë e tyre se si u ishin shkatërruar xhamit dhe vakëfet. Në rastin e Bosnjes, dëshmi të tilla dolën se ishin tmerrësisht të vërteta.

Regjimi i Beogradit ngul këmbë se forcat serbe duhet të qëndrojnë në Kosovë për të mbrojtur manastiret. Manastiret serbe mbijetuan gjatë pesë shekujve pa ushtrinë e Milosheviçit dhe forcat e policisë speciale. Në këtë krahinë, popujt jo serbë dhe monumentet nuk kanë parë asnjë të mirë, edhe pse nën "mbrojtjen e monumenteve" nga regjimi i Beogradit. Që nga viti 1986, nacionalistët serbë e kanë manipuluar shqetësimin për vendet e shenjta për të motivuar, përligjur e zbatuar "spastrimin etnik" dhe asgjësimin e monumenteve artistike e fetare jo serbe shekullore. Duke shfrytëzuar manastiret serbe dhe trashëgiminë serbe, ata kanë synuar të nxitin urrejtjen e dhunën, kanë shpërshenjtëruar një trashëgimi serbe të madhe që përkundrazi meriton vlerësime.

Të gjitha vendet e shenjta në Kosovë duhet të mbrohen nga një forcë shumëkombëshe që të përfshijë paqeruajtës nga vende me popullsi të mëdha ortodokse. UNESCO dhe organizatat e tjera duhet t'i mbikëqyrin ato dhe të katalogojnë çfarëdo dëmtimi. Shkatërrimi i qëllimshëm i monumenteve duhet të penalizohet në Hagë si krim lufte. Sa për ushtrinë, policinë speciale dhe paraushtarakët e Beogradit -- bota ka parë boll se çfarë "mbrojtjeje monumentesh" kanë bërë.

Shkrimi është huazuar nga faktet që botoi gjatë luftës në Kosovë Raporti i Departamentit të Mbrojtjës Anxhensia e Informacionit USIA-s, e cila

administrohej nga Qeveria amerikane.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat