​Hapet ekspozita retrospektive e autores Violeta Xhaferi "Rishikimet"

Art

​Hapet ekspozita retrospektive e autores Violeta Xhaferi "Rishikimet"

Më: 22 qershor 2023 Në ora: 20:07
Ekspozita synon te nxjerrë në plan të parë veprën e Violeta Xhaferit

Është hapur ekspozita retrospektive e autores Violeta Xhaferi "Rishikimet", kuruar nga Hana Halilaj, të enjten në Galerinë Kombëtare të Kosovës.

Ekspozita synon te nxjerrë në plan të parë veprën e Violeta Xhaferit, puna e se cilës vazhdimisht ka evoluar dhe është shfaqur si përgjigje ndaj zhvillimeve politike dhe shoqërore në të cilat ajo është përfshirë.

Ekspozita i bën bashkë mbi njëqind vepra ku përfshihen vizatime, kolazhe, piktura, grafika dhe një instalacion, i shoqëruar me materiale arkivore dhe ofron njohuri të mëtutjeshme për punën dhe jetën e saj.

E organizuar në bazë të periudhave të caktuara kohore, ekspozita paraqet mënyrat se si artistja ndërthur mjete dhe materiale të ndryshme për të krijuar botëkuptime dhe rikujtime.

Autorja Violeta Xhaferi rrëfeu para të pranishmëve pasionin e saj për pikturën, derisa pati një porosi që të gjithë ta ndjekin ëndrrën e tyre.

Xhaferi: Më përcjelli dëshira për pikturë

"Të gjithë njerëzit kur janë fëmijë kanë dëshirë me vizatu, por mua pastaj më përcjelli kjo dëshirë për pikturë. Pas gjimnazit unë vazhdova në Shkollën e Lartë Pedagogjike, mendova që krejt jetën kam me punua veç me pikturë. Nuk ndodhi ashtu, pasi teatri kishte nevojë për kostomograf, mandej u orientova në kostomografi, e kreva për katër vjet akademinë e arteve dhe u ktheva në teatër", tha ajo.

Kurorja e kësaj ekspozite Hana Halilaj, tha se kjo ekspozitë është shumë e rëndësishme për galerinë e arteve.

Halilaj: Ekspozita përfshinë 100 vepra

"(Kjo ekspozitë) Përfshinë 100 vepra, duke përfshirë të gjithë opusin e Violeta Xhaferit. Është një mundësi me të vërtet shumë e mirë për me pa të gjithë punën dhe praktikën e saj. Duke filluar nga pikturat të cilat kanë qenë të shfaqura në vitin 2003. Kështu që janë bërë 20 vite nga ekspozita personale e Violeta Xhaferit", tha ajo.

Ndërkaq, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku u shpreh i lumtur, siç tha me rikthimin në ekspozim të Violeta Xhaferit.

Çeku: Artiste me krijimtari të jashtëzakonshme

"Sot Galeria Kombëtare po e mirëpret një tjetër artiste shumë të veçantë me krijimtari të jashtëzakonshme në shumë fusha. Këtu po shoh artistë dhe njerëz të teatrit të cilët kanë ardhur këtu për të shënuar një moment të rëndësishëm të rikthimit të Violetës në skenën ekspozimit", theksoi ai.

Para hapjes se kësaj ekspozite të pranishmit kujtuan krijimtarinë e profesorit Shyqyri Nimani, i cili ndërroi jetë sot.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat