Triumfojnë Vllaznia e meshkujve dhe Skënderbeu i femrave

Atletika

Triumfojnë Vllaznia e meshkujve dhe Skënderbeu i femrave

Më: 4 qershor 2023 Në ora: 15:02
Pamje nga gara

Padyshim që kemi traditë në këtë sport.

Këtë e tregon fakti që Shqipëria organizoi kampionatin e 85-të kombëtar për të rinj, që u zhvillua këtë fundjavë në “Elbasan Arena”.

Në praninë e presidentit të zgjedhur, Taulant Stërmasi, dhe të presidentit të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH), Fidel Ylli, turneu pati masivitet, dhe në gara të caktuara edhe cilësi.

Rreth 300 sportistë ishin të pranishëm në pistën e stadiumit të Elbasanit, që i përkisnin ekipeve të njohura si Vllaznia, Skënderbeu, Tirana, Teuta apo Mjeshtëria Sportive, dhe që konkurruan në 17 disiplina të ndryshme të atletikës.

Në përfundim të vrapimeve dhe garave teknike, kampion i vendit për femra doli ekipi i Skënderbeut të Korçës, ndërsa për meshkuj triumfoi Vllaznia e Shkodrës.

Në nivel individual, atletja më e mirë e kampionatit për të rinj doli Redia Dauti e Tiranës, që është kushërirë e kampiones së Europës Luiza Gega, dhe stërvitet bashkë me të.

Për meshkuj, më i miri doli atleti i Vllaznisë, Kolindo Kiri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat