Policia Bashkiake: Nëse keni parkuar automjetet në këto rrugë, duhet t’i hiqni

Atletika

Policia Bashkiake: Nëse keni parkuar automjetet në këto rrugë, duhet t’i hiqni

Më: 20 tetor 2023 Në ora: 17:58
Pamje nga një garë

Kryeqyteti po bëhet gati për ‘Maratonën e Tiranës’!

Për t’i lënë vendin ‘pistës’ për vrapuesit, qarkullimi i automjeteve do të devijohet përgjatë dy ditëve në vijimin, ndërsa do të bëhet dhe heqja e automjeteve të parkuara përgjatë perimetrit të garës.

Në funksion të sigurisë, Bashkia Tiranë ka vendosur sinjalistikë të përkohshme rrugore, ndalim qëndrimi dhe pushimi për mjetet , duke shfuqizuar dhe mbuluar të gjithë sinjalistikën e mëparshme.

Bashkia e Tiranës dhe policia bashkiake kërkojnë mirëkuptimin e qytetarëve që këto dy ditë të përdorin sa më pak të jetë e mundur automjetet private dhe të mos tentojnë të hyjnë me automjet brenda perimetrit të garës, gjatë zhvillimit te garës, pasi kjo është rreptësisht e ndaluar, si dhe t’u binden menjëherë urdhrave të shërbimeve policore , në devijimet eventuale të trafikut që do të kërkohen.

Gjithashtu, u kërkohet bashkëpunimi i qytetarëve që të mos parkojnë automjetet e tyre private, brenda perimetrit të garës dhe të heqin vullnetarisht mjetet e parkuara në rrugët ku do të zhvillohet gara , nëse i kanë parkuar disa ditë më parë, pasi në të kundërt, do të spostohen me mjet ngritës, nga shërbimet policore .

Policia Bashkiake bën me dije se ata qytetarë, që do të duan të lëvizin me automjetet e tyre, që ndodhen të parkuara në brendësi të lagjeve  që ndodhen brenda perimetrit të garës, duhet t’i nxjerrin ato, jashtë perimetrit, përpara orës 08:00 të datës 22 Tetor, nëse kanë planifikuar udhëtime, pasi rrugët do të bllokohen deri në orën 15:00 dhe nuk do të kenë mundësi të hyjnë-dalin me automjet, nga zona e tyre e banimit që ndodhet brenda perimetrit te garës.

Përveç automjeteve, Policia Bashkiake kërkon mirëkuptimin dhe të drejtuesve të biçikletave, monopatinave, apo motorëve elektrike që të mos lëvizin në rrugët brenda perimetrit dhe gjatë zhvillimit të garës, pasi kjo do të jetë rreptësisht e ndaluar.

Ndërkaq, këmbësorët do të ndihmohen nga shërbimet policore dhe vullnetarët për të kaluar rrugën, në vendet e përcaktuara, pa u bërë pengesë për vrapuesit.

Më datë 21 Tetor, nga ora 09:00-11:00, në blv. Dëshmorët e Kombit, do të zhvillohet “Maratona Fun Run”, me mbi 2000 nxënës të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme. Kurse të dielën, nga ora 08:00-15:00, do të zhvillohet aktiviteti më i madh ndërkombëtar sportiv dhe promovues i vitit, që është super “Maratona e Tiranës”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat