Para Ballkaniadës, kampionia e Evropës konkurron në 3 000 metra në Francë

Atletika

Para Ballkaniadës, kampionia e Evropës konkurron në 3 000 metra në Francë

Më: 6 shkurt 2024 Në ora: 12:23
Luiza Gega

Fitoret dhe medaljet janë për një herë tjetër. Luiza Gega i ka përpara vetes objektivat e këtij viti, mes të cilave Kampionati Evropian dhe Lojrat Olimpike.

Gjithsesi, deshi të provonte veten në një garë dimërore, dhe këtë e realizoi në Turneun në Salla të Mbyllura, në Metc të Francës.

Kampionia e Evropës në fuqi mori pjesë një disiplinë që nuk është e vetja, në 3 000 metra, duke dalë në vendin e 6-të. Ajo dha kohën 8’48”53, duke i pasur të gjitha mundësitë të dilte e katërta.

Fituese ishte atletja nga Kenia, Hirut Meshesha, që arriti rezultatin më të mirë të vitit me 8’28”46.

Gega reagoi me një postim në Instagram, ku theksoi se deshi të jepte kohën 8’45”, por pati një incident sepse një atlete tjetër u rrëzua para saj, duke e penguar. Atletja veterane shtoi se tani shkon në Kampionatin Ballkanik në Stamboll, ku me shumë gjasa do të mbyllë sezonin dimëror, për t’u përgatitur për verën.

Viti 2024 është tepër I rëndësishëm, sepse do të zhvillohen Lojrat Olimpike nga 26 korriku deri në 11 gusht në Paris. Më herët, do të jetë Kampionati Evropian në Romë të Italisë, ku Gega do të synojë të mbrojë titullin e fituar dy vjet më parë në Mynih.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat