Edhe pse vitet kalojnë, ato nuk e ndalin aspak ish-rekordmenen shqiptare, kampionen e shquar në kërcimin së larti, Klodeta Gjni, të ketë një impenjim intensiv të pandalshëm.
Pasuesja e denjë e një rekordmene legjendare, Marjeta Pronjarit, edhe për Klodetën, ndonëse shifrat, konkurrimet zyrtare janë lënë pas, ajo vazhdon të jetë e pandarë me sportin.
“Bëhet fjalë për një veprimtari tradicionale, e përvitshme, që zhvillohet në Ankona, për zonën e Emilia Romanjës. Konkretisht bëhet fjalë për kampionatin italian master dimëror, në salla të mbyllura, kryesisht në disiplina, si ato në vrapime dhe në hedhje disku, gjyle, çekiçi”, tregon mjeshtrja e shquar. E ndërsa lexojmë pjesë nga gazeta italiane, lidhur më atë aktivitet kur në titujt e saj lexojmë: “Më të mirët: Nga Gjini, Battaglia e Schenetti në garat individuale, te 4×200 te Masetti, Amadori, Pagliuca e Pignatiello”.
Dhe në vijim informohemi më shumë: “Që në ditën e parë, të kësaj veprimtarie, menjëherë u evidentuan cilët do të ishin sportistët pretendentë, dhe ndër ata atletët që u ngjitën në podium ishin 13-të. Në nivelin individual, spikasin katër tituj italianë, rekorde, dhe ato mbajnë firmën e Klodeta Gjinit në 60 metra me pengesa. Ish-rekordmenia e madhe shqiptare e kërcimit së larti me 1.92m, ishte ajo që preu e para shiritin në këtë distancë. Një garë ku u përfshinë 5 konkurrente, Gjini dominoi, ndërsa kalon pa rrëzuar asnjë pengesë dhe triumfon me meritë.
Duke përfaqësuar “Acquadela” të Bolonjës, ajo regjistroi kohën 12.54 sekonda, që është një rekord i ri në këtë distancë, duke marrë njëkohësisht edhe medaljen e artë. “Jam e angazhuar, tentoj dhe mundohem të jem aktive, të marr pjesë në aktivitet të ndryshme.
Një mundësi më shumë për të mbajtur trupin, duke i shërbyer edhe shëndetit”, shprehet Klodeta Gjini.
Një kampione si asokohe edhe sot, që nuk njeh moshë, nuk ka limite, e tillë ka mbetur Klodi, siç e kemi thirrur, kur me ankth prisnim të merrte vrull dhe të kërcente mbi stekë.