Shqipëria e ka mbyllur me rezultate fantastike pjesëmarrjen e saj në Kampionatin Ballkanik të gjysmëmaratonës që u zhvillua këtë të diel në Nikshiq të Malit të Zi. Në një kompeticion ku garuan 12 shtete,
Kombëtarja kuqezi ishte dominuese absolute aktivitet, duke u shpallur kampione e dyfishtë si për vajza gjithashtu edhe për djem.
Kështu, Luiza Gega dhe David Nikolli treguan superfuqinë e tyre ndaj rivalëve, duke fituar medalje të arta në një garë me itinerar të vështirë, të përbërë nga malore të mëdha. Kampionia në fuqi e Europës, Luiza Gega, pas dy medaljeve të arta të marra në Kampionatin Ballkanik të sallave të mbyllura në Stamboll të Turqisë, vazhdon formën e shkëlqyer drejt Lojërave Olimpike “Paris 2024”, duke shënuar një tjetër paraqitje të madhe.
Në gjysmë-maratonën ballkanike të Nikshiqit, Gega regjistroi kohën 1:17.12, ndërsa e bëri diferencën pas kilometrit të 14-të, duke mbërritur në finish 3 minuta para atletes bullgare të vendit të dytë.
Ndërsa David Nikolli, kampion Ballkani në disiplinën 3000 metra në Novi Pazar të Serbisë në 2017-ën, rikthehet triumfues me ngjyrat kuqezi, tashmë duke u ngjitur në shkallën më të lartë të podiumit edhe në gjysmë-maratonën ballkanike 2024.
Nikolli e ndali kronometrin në kohën 1:10.07, për të merituar vendin e parë. Kështu eventi i Nikshiqit foli shqip, me atletët tanë që ishin protagonistë kryesorë të aktivitetit, duke pushtuar podiumin me dy medalje të arta.