Vllaznia dominon për vajza dhe djem

Atletika

Vllaznia dominon për vajza dhe djem

Më: 7 maj 2024 Në ora: 14:06
Vllaznia

Janë mbajtur në qytetin e Elbasanit garat e kampionatit kombëtar të atletikës për moshat U-16, në të cilën morën pjesë afro 180 sportistë djem dhe vajza, pothuajse nga të gjitha skuadrat në vend.

Në fund ishte ekipi i Vllaznisë ai që triumfoi si për meshkuj ashtu edhe femra. Respektivisht djemtë grumbulluan 155 pikë, ndërsa vajzat me 99 pikë, duke treguar edhe njëherë se qyteti i Shkodrës vazhdon edhe me brezin e ri sa i përket talenteve në sportin e atletikës. Edhe te skuadrat e tjera pjesëmarrëse ra në sy dëshira dhe përkushtimi i të rinjve për të dhënë maksimumin e tyre në disiplinat në të cilat morën pjesë, ku shpresohet që në të ardhmen të bëhen sportistë të spikatur më vendin tonë.

GARAT – Sa i përket garave, në atë të 80 metra me pengesa, e para për vajza doli Madla Kudlackova e Fortius, ndërsa për djem Levi Liço i Partizanit. Gabriel Kereku i Korça MS përshkoi më shpejt nga të gjithë garën e 100 metrave ndërsa për vajza Poebe Mustafaraj e Fortius. Arijon Alibali i Vllaznisë dhe Blerina Ndoj e Partizanit, dolën të parët në garën e 300 metrave. Sa i përket garës së 800 metrave, vendet e para i siguruan Megli Deliu i Lushnjës dhe Sabina Hoti e Teutës.

Arijon Alibali i Vllaznisë dhe Mei Sokoli e Tiranës kërcyen më lart se të gjithë, duke merituar në fund edhe vendin e parë.

Sa i përket kërcimit së gjati, ishin dy atletët e Vllaznisë që dolën të parët, Jozef Kuqani dhe Roah Bashli. Redion Kala i Laçit dhe Desara Shaholli e Korça MS morën vendin e parë në hedhjen e gjyles. Edhe në hedhjen e diskut spikatën sërish sportistët e këtyre dy ekipeve me Klajdi Brukën dhe Desara Shahollin.

Sa i përket hedhjes së shtizës, vendi i parë i takoi Luis Kaçit të skuadrës së Laçit. Në garën e stafetave, 4×100 për vajza vendi i parë i takoi Fortius, ndërsa për djem skuadrës së Laçit. Në stafetën 4×400 Partizani për vajza dhe Vllaznia për djem dolën të parët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat