Ford Ranger pritet të jetë një nga kandidatët kryesorë në garën për furnizimin e ushtrisë britanike me automjete të lehta ushtarake.
Projekti për një version të përshtatur të Ranger është zhvilluar në bashkëpunim mes Ford, Ricardo dhe General Dynamics Land Systems–UK, me synimin për ta përshtatur automjetin për nevojat e operacioneve ushtarake.
Versioni i modifikuar bazohet në një konfigurim me gjashtë rrota dhe sistem hibrid, të prezantuar më herët nga Ford dhe Ricardo. Automjeti mund të pajiset me teknologji dhe elemente të posaçme për përdorim nga forcat e armatosura.
Ministria britanike e Mbrojtjes planifikon të blejë rreth 2,500 automjete të reja, të cilat do të përdoren për zëvendësimin gradual të flotës së vjetër, përfshirë Land Rover Defender dhe Steyr-Puch Pinzgauer.
Testimet e automjeteve që do të konkurrojnë në këtë program pritet të zhvillohen nga tetori i vitit 2026 deri në janar të vitit 2027.
Përveç Ford Ranger, në garë pritet të përfshihen edhe Land Rover Defender Wolf Series II, ndërsa kompani të tjera si General Motors dhe Ineos mund të paraqesin propozimet e tyre.Nëse përzgjidhet, Ranger do të kalojë nga një pick-up i njohur për përdorim civil në një platformë të përshtatur për kërkesat e ushtrisë britanike.