​Hyrja e Izraelit në Rafah do të merr pak kohë, thotë Netanyahu

Azia

​Hyrja e Izraelit në Rafah do të merr pak kohë, thotë Netanyahu

Më: 20 mars 2024 Në ora: 21:02
Benjamin Netanyahu

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha të mërkurën se ushtria e tij po përgatitet të hyjë në Rafah në Rripin jugor të Gazës, duke shtuar se "kjo do të merr pak kohë".

Në një fjalim televiziv të transmetuar përmes llogarisë së tij zyrtare në X, Netanyahu filloi duke përmbledhur detajet e një bisede telefonike që pati me presidentin amerikan Joe Biden të hënën e kaluar.

“Në fillim, ne ramë dakord që Hamasi duhet të eliminohet. Por gjatë luftës, nuk është sekret, ka pasur mosmarrëveshje mes nesh për mënyrën më të mirë për të arritur këtë qëllim”, tha Netanyahu.

Në fillim, ai i tha presidentit se mposhtja e Hamasit kërkon që ushtria izraelite të hyjë në Rripin e Gazës dhe se në bisedën e tyre më të fundit, ai i tha atij se përfundimi i fitores kërkon që ushtria të hyjë në Rafah për të eliminuar mbetjet e batalioneve të Hamasit.

Duke iu drejtuar izraelitëve, kryeministri tha se ai kishte miratuar tashmë planin operacional të ushtrisë dhe se ata së shpejti do të miratojnë planin për evakuimin e civilëve nga zonat e betejës.

“Ndërsa po përgatitemi të hyjmë në Rafah, dhe kjo do të marrë pak kohë, ne po vazhdojmë të operojmë me forcë të plotë. Ne po vazhdojmë të operojmë në Khan Yunis, në kampet në qendër, në eliminimin dhe kapjen e zyrtarëve të lartë të Hamasit siç kemi bërë sapo në Shifa (spital) dhe në eliminimin e qindra ‘terroristëve’”, theksoi kryeministri izraelit.

Pas bisedës telefonike mes Bidenit dhe Netanyahut, këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan tha të martën se kryeministri izraelit ra dakord të dërgonte një ekip në SHBA për të diskutuar planin e Izraelit për të pushtuar Rafahun "pa një pushtim të madh tokësor".

Kjo erdhi pavarësisht nga përshkallëzimi i paralajmërimeve rajonale dhe ndërkombëtare për pasojat e çdo pushtimi tokësor izraelit në Rafah, i cili strehon rreth 1.4 milion refugjatë palestinezë të zhvendosur nga sulmi i ushtrisë izraelite në pjesë të tjera të Rripit të Gazës, duke i shtyrë ata në zonë, duke u premtuar atyre siguri dhe më pas nisja e sulmeve që rezultuan me vdekje dhe lëndime.

Izraeli ka zhvilluar një ofensivë ushtarake vdekjeprurëse në Rripin e Gazës që nga një sulm ndërkufitar i 7 tetorit i udhëhequr nga Hamasi, në të cilin u vranë rreth 1.200 izraelitë.

Gati 32.000 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, janë vrarë që atëherë në Gaza dhe më shumë se 74.000 janë plagosur në mes të shkatërrimit në masë dhe mungesës së nevojave. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat