Si duhet t’i gjykojë Izraeli kryesit e sulmit më të rëndë në historinë e tij?

Azia

Si duhet t’i gjykojë Izraeli kryesit e sulmit më të rëndë në historinë e tij?

Më: 25 mars 2024 Në ora: 07:48
Një grua duke ecur në Jerusalem me fëmijën e saj afër murit me fotografi të pengjeve të kidnapuara në sulmin e 7 tetorit të kryer prej Hamasit në jug të Izraelit.

Associated Press

Sulmet e pashembullta të Hamasit në jug të Izraelit e kanë nxitur një dilemë ligjore: Si duhet një shtet, që e ka përjetuar sulmin më të rëndë në histori, t’i përballë kryesit me drejtësinë?

Hamasi, grup palestinez që udhëheq Gazën, është shpallur organizatë terroriste prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.

Izraeli është duke i mbajtur në paraburgim qindra palestinezë të Gazës, të akuzuar për pjesëmarrje në sulmin e 7 tetorit, që e ka nxitur luftën me Hamasin.

Tani ky shtet është duke shqyrtuar mënyra si t’i ndjekë penalisht të dyshuarit dhe si të jetë afër izraelitëve, përfshirë familjet e viktimave.

Asnjëra prej mundësive aktuale nuk duket e përshtatshme.

Gjyqet penale masive në numër mund t'i stërngarkojnë gjykatat tashmë të ngarkuara në Izrael.

Një tribunal lufte, i krijuar nën qeverinë e ekstremit të djathtë në Izrael mund të mos jetë mjaftueshëm kredibil.

Lirimi i të dyshuarve, si pjesë e marrëveshjes për t’i liruar pengjet e Izraelit që mbahen në Gazë, do t'i shqetësonte jashtë mase izraelitët veçse të traumatizuar.

“Ata kanë vrarë, dhunuar, plaçkitur dhe janë zënë duke e kryer veprën”, ka thënë Yuval Kaplinsky, ish-zyrtar i lartë në Ministrinë e Drejtësisë në Izrael.

“Nuk ekziston një opsion i artë për gjykim”.

Grupet për të drejta të njeriut kanë thënë se sa më shumë që e shqyrton Izraeli mënyrën e duhur për gjykim, aq më gjatë do të përballen të dyshuarit me kushte të këqija dhe pa asnjë kontakt me botën.

Të paktën 27 palestinezë prej Gazës kanë vdekur sa kanë qenë në mbajtje izraelite prej kur ka nisur lufta, sipas shifrave izraelite.

Si i gjykon Izraeli të dyshuarit palestinezë?

Izraeli është përballur vazhdimisht me çështje ligjore kur ka qenë fjala për të dyshuarit palestinezë – dhe është kritikuar për këtë gjë.

Ky vend zakonisht e përdor masën e ashtuquajtur 'ndalim administrativ' për t’i mbajtur palestinezët që nuk janë ngarkuar me ndonjë akuzë.

Palestinezët e dyshuar prej Bregut Perëndimor gjykohen në gjykatat ushtarake të Izraelit.

Palestinezët dhe grupet për të drejta të njeriut kanë thënë se sistemi pothuajse gjithmonë shpall vendime fajësie.

Izraeli, në anën tjetër, deklaron se kryen proces të drejtë dhe burgos ata që kërcënojnë sigurinë.

Shawan Jabarin, që udhëheq grupin palestinez për të drejta të njeriut, Al-Haq, ka thënë se çdo gjyq i mbajtur prej Izraelit nuk do të ishte kredibil.

“Ky është sistemi që kanë izraelitët: jonjerëzor, i padrejtë. Nuk ka process të drejtë”, ka thënë ai.

Në sulmet e 7 tetorit, mijëra palestinezë e kanë kaluar kufirin prej Gazës në Izrael, i kanë thyer linjat e mbrojtjes dhe kanë nisur sulmet në komunitetin që ka qenë ende në gjumë.

Ata kanë vrarë familje të tëra, kanë përndjekur pjesëmarrësit e një festivali muzikor dhe kanë kryer dhunë seksuale.

Hamasi i ka marrë atë ditë rreth 250 pengje, përfshirë gra, fëmijë dhe të moshuar, dhe tani besohet se i mban rreth 100 prej tyre.

Izraeli, më pas, i ka shpallur luftë Hamasit, dhe si pasojë e ofensivës së tij tokësore dhe ajrore janë vrarë më shumë se 31.000 palestinezë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze.

Grupet për ndihma tregojnë se situata në Gazë është e rëndë dhe ka rrezik për uri të thellë.

Çfarë për gjykatat penale?

Gjykatat penale të Izraelit janë të ndara prej gjykatave ushtarake dhe konsiderohen si të pavarura prej ndikimit politik.

Mirëpo Barak Medina, profesor i juridikut në Universitetit Hebre të Jerusalemit, ka thënë se gjykimi i qindra të dyshuarve do të ngarkonte shumë sistemin dhe procesi do të zgjaste me vite.

Zyra e Mbrojtësve Publikë të Izraelit ka thënë se të dyshuarve nuk do t’ua ofrojë një avokat të financuar prej shtetit, pasi vlerëson që avokatët izraelitë të trazuar prej sulmeve të Hamasit janë të papërshtatshëm dhe nuk kanë gatishmëri të merren me këto raste.

Sipas transmetuesit publik të Izraelit, Kan, Zyra ka sugjeruar angazhimin e avokatëve të huaj, duke marrë shembullin e gjyqit penal ndaj Adolf Eichmann-it më 1961, njërit prej organizatorëve kryesorë të Holokaustit.

Disa ekspertë e konsiderojnë atë gjyq si precedent, sepse ka qenë i profilit të lartë, ka trajtuar ngjarje traumatike dhe e ka sfiduar kornizën ligjore ekzistuese të Izraelit.

Përmes transmetimit publik të tmerreve të llahtarshme të nazistëve, gjyqi ka ofruar një lloj çlirimi për të mbijetuarit e Holokaustit.

Eichmann, i cili është zënë prej agjentëve të Mossadit në Argjentinë, është përfaqësuar prej një avokati gjerman dhe është shpallur fajtor për krime kundër njerëzimit, krime kundër popullit hebre dhe krime lufte.

Ai është ekzekutuar më 1962, hera e vetme që Izraeli e ka kryer një dënim me vdekje.

Një gjyq i ngjashëm për krimet e Hamasit mund të shërbejë sërish si lehtësim për izraelitët dhe t’iu ofrojë ndjesinë e drejtësisë.

Mirëpo gjyqi i Eichmann-it është fokusuar te vetëm një i pandehur.

Kaplinsky, ish-zyrtar i Ministrisë së Drejtësisë, ka thënë se narrativat e prezantuara në gjyqet penale do të mund të funksionojnë edhe kundër Izraelit, dhe kështu përbëjnë brumë për kundërshtarët.

Shembull, nëse prokurorët dështojnë të bëjnë akuza apo padi për shkak se dëshmitë që kanë nuk janë të mjaftueshme sipas rregulloreve ligjore, atëherë do të ketë zëra që argumentojnë se dhuna seksuale nuk ka ndodhur kurrë.

Avokatët mbrojtës edhe do të mund të thonë që të shtënat me armë prej vendasve në Izrael e kanë rritur numrin e viktimave në sulm.

Po mundësia e tribunalit?

Kaplinsky e ka prezantuar një plan para Komitetit parlamentar izraelit që sugjeron se krijimi i një tribunali për zhvillimet e 7 tetorit, është pothuajse gjë e kryer.

Tribunali nuk do të thërriste dëshmitarët, mirëpo do të bazohej në dokumentet e forcave izraelite të sigurisë, si dhe në dëshmitë e dhëna prej të dyshuarve, pas marrjes në pyetje.

Të dyshuarit do të duhej të paguanin vetë për mbrojtje.

Ende nuk është bërë e ditur nëse një plan i tillë do të mund të jetësohet.

Dahlia Scheindlin, analiste politike që e ka shkruar një libër për demokracinë e Izraelit, ka thënë se secili tribunal i krijuar nën qeverinë aktuale të ekstremit të djathtë në Izrael, do të kishte ngjyrime politike.

“Do të duket që ligjet janë hartuar sipas preferencave politike të Qeverisë aktuale”, ka thënë ajo.

Medina, profesori i juridikut, ka thënë se duket që shteti nuk ka dashur të marrë asnjë vendim për mënyrën e gjykimit të të dyshuarve, pasi ka pritur që ata do të lirohen në kuadër të ndonjë marrëveshjeje për pengjet.

Ministria e Drejtësisë në Izrael nuk ka pranuar të komentojë.

Çfarë po ndodh me të dyshuarit tani?

Tani për tani, shumë të dyshuar po konsiderohen “luftëtarë të paligjshëm”, që nënkupton se Izraeli mund t’ua zgjasë pa afat kohën e ndalimit, t’ua pamundësojë komunikimet me avokatë dhe do t’i mbajë të klasifikuara procedurat ligjore.

Grupet për të drejta të njeriut kanë thënë se mungesa e transparencës mund të rezultojë me hapësirë për abuzime.

Gjendja aktuale e vështirë e Izraelit është e ngjashme me atë të Shteteve të Bashkuara pas sulmeve të 11 shtatorit, kur ka tentuar të kapë liderin e Al-Kaidës, Osama bin Laden.

Lidhur me atë rast, SHBA-ja ka dërguar mijëra të dyshuar në burgun në Guantanamo Bay në Kubë.

Qendra e ndalimit atje është kthyer ndërkohë në qendër të zemërimit ndërkombëtar, për shkak të torturimit të të burgosurve dhe insistimit të SHBA-së për t’i mbajtur pa afat kohor ata burra, ndonëse nuk kanë pasur akuzë.

Avi Kalo, i cili udhëheq një program ndërkombëtar për çështje ligjore në Institutin Ndërkombëtar për Kundërterrorizëm në Universitetin Reichman të Izraelit, dhe i cili ka qenë në të kaluarën këshilltar në departamentin e inteligjencës në ushtrinë izraelite, ka thënë se situata është ndryshe tani, sepse të ndaluarit e 7 tetorit janë duke u mbajtur në territorin izraelit dhe ata do të ngarkohen sipas ligjeve të Izraelit.

Kjo nënkupton që rastet do të kenë mbikëqyrje ligjore, ndonëse grupet për të drejta të njeriut tërheqin vërejtjen që ajo lloj e mbikëqyrjes ka të meta.

Tal Steiner, drejtore ekzekutive e Komitetit Publik kundër Torturës në Izrael, ka thënë se dëshmitë e dhëna prej të burgosurve që janë liruar, japin shenja se të ndaluarit po pranojnë pak ushqime dhe po përballen me trajtim çnjerëzor, që mund të jetë i barabartë me torturë.

Shërbimi Izraelit i Burgjeve, që i ka në mbajtje disa të dyshuar, ka thënë se të burgosurve u janë garantuar të drejtat bazike.

Steiner ka thënë se komiteti nuk ka marrë qëndrim për mënyrën më të mirë të përballjes së sulmuesve me drejtësinë.

Është pyetje e komplikuar ligjore”, ka thënë ajo.

“Mirëpo alternativa e mbajtjes së tyre për kohë të gjatë, pa asnjë kontakt, dhe në kushte të rënda, nuk është, gjithashtu, opsion ligjor”./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat