Komandantë iranianë po vriten - a po dobësohet Irani?

Azia

Komandantë iranianë po vriten - a po dobësohet Irani?

Më: 15 prill 2024 Në ora: 08:16
Iranianët morën pjesë në funeralin e shtatë anëtarëve të Korpusit të Gardës Revolucionare, të vrarë në një sulm në Ambasadën iraniane në Damask. Teherani fajësoi Izraelin për sulmin. Prill, 2024.

Izraeli duket se ka intensifikuar fushatën e vrasjes së gjeneralëve dhe komandantëve kryesorë iranianë, me bazë jashtë vendit.

Sulmet e dyshuara ajrore izraelite vranë së paku 18 anëtarë të Korpusit të fuqishëm të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) - dega elitë e forcave të armatosura të Iranit - në Siri, që nga dhjetori i vitit të kaluar.

Në rastin e fundit më 1 prill, shtatë anëtarë të IRGC-së, përfshirë dy gjeneralë, u vranë në një sulm ajror në kompleksin e Ambasadës iraniane në Damask.

Sulmi nxiti përgjigjen e Iranit me dronë dhe raketa kundër Izraelit.

Ekspertët thonë se vrasjet e komandantëve iranianë synojnë të mposhtin të ashtuquajturin “bosht të rezistencës” të Iranit, apo rrjetin e tij të përfaqësuesve rajonalë dhe të grupeve militante kundër Izraelit dhe Perëndimit.

Sipas tyre, strategjia ka të ngjarë t’i prishë aktivitetet e këtij rrjeti në afat të shkurtër, porse ajo është e rrezikshme dhe mund të dështojë në afat të gjatë.

Rrjeti rajonal i Iranit është ngjitur së bashku përmes lidhjeve personale, jo institucionale”, thotë Ali Vaez, drejtor i Projektit për Iranin në Grupin Ndërkombëtar të Krizave, me qendër në Bruksel.

Eliminimi i komandantëve që kanë përvojë prej dekadash në rajon dhe një rrjet të gjerë kontaktesh personale, sigurisht se e dobëson Iranin”, shton ai.

“Strategji e rrezikshme”

Sulmet e dyshuara të Izraelit kundër anëtarëve të IRGC-së u intensifikuan që nga shpërthimi i luftës në Rripin e Gazës, tetorin e kaluar.

Në përgjigje të ofensivës vdekjeprurëse të Izraelit, grupet militante, të mbështetura nga Irani, sulmuan caqe të Izraelit dhe SHBA-së në të gjithë Lindjen e Mesme, në shenjë mbështetjeje për palestinezët.

Konflikti u shkaktua nga një sulm i paprecedentë i Hamasit - grup i shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian - kundër Izraelit.

Së paku tri figura kyçe të krahut jashtë shtetit të IRGC-së, forcës Kuds, u vranë në sulmet e dyshuara izraelite, në muajt e fundit.

Razi Mousavi, komandant i lartë i forcës Kuds, u vra në një sulm ajror pranë Damaskut, më 25 dhjetor.

Ai ishte përgjegjës për koordinimin e aktiviteteve ushtarake të Iranit në Siri dhe Liban.

Presidenti i Iranit, Ebrahim Raisi.

Në mesin e të vrarëve në sulmin e 1 prillit ishte gjenerali Mohammad Reza Zahedi, komandant i lartë i forcës Kuds në Siri dhe Liban.

Në sulm u vra edhe zëvendësi i Zahedit, gjenerali Mohammad Hadi Haj Rahimi.

“Ka gjithmonë dyshime nëse këto atentate të shënjestruara funksionojnë”, thotë Michael Horowitz, udhëheqës i inteligjencës në qendrën e konsulencës, Le Beck International, me bazë në Bahrejn.

Këto sulme, sipas tij, “mund të kenë një ndikim afatshkurtër dhe afatmesëm në kapacitetet e Iranit për t’u koordinuar me përfaqësuesit e tij, për të kontrabanduar armë në Siri dhe Irak dhe për të kërcënuar Izraelin”.

Sulmi në kompleksin e Ambasadës iraniane në Damask ndodhi vetëm disa orë pasi një sulm me dron goditi një bazë detare në portin jugor izraelit, Eilat, në Detin e Kuq. Sulmi dëmtoi një ndërtesë dhe gati goditi një anije luftarake izraelite.

Përgjegjësinë për të e mori Rezistenca Islamike në Irak - një grup ombrellë që përfshin milici të mbështetura nga Irani.

“Perceptimi im është se Izraeli donte të tregonte se ka dominim të përshkallëzimit mbi Iranin dhe se Irani nuk mund ta përshkallëzojë situatën pa paguar një çmim”, thotë Horowitz.

“Në përgjithësi, kur një aktor dëshiron të ngrihet lart, ai e ngre rrezikun jo për një shkallë, por për dy. Sigurisht, kjo është një strategji e rrezikshme. Pyetja është nëse kjo do të funksionojë dhe Irani do të tërhiqet në një afat më të gjatë, ose, në të vërtetë, do të dështojë”, shton ai.

“Askund sigurt”

Vala e fundit e vrasjeve nuk shënon herën e parë kur komandantët kryesorë iranianë shënjestrohen dhe vriten jashtë vendit.

Në vitin 2020, komandanti i forcave Kuds, Qassem Soleimani, u vra në një sulm ajror të SHBA-së në Irak.

Ai shihej si arkitekti i “boshtit të rezistencës” dhe kishte ndikim të madh mbi anëtarët e tij, përfshirë Hamasin, Hezbollahun e Libanit, milicitë shiite irakiane, rebelët Huthi të Jemenit dhe Qeverinë e Sirisë.

Qassem Soleimani u vra në një sulm ajror të SHBA-së në Irak më 2020.

Vrasja e Soleimanit bëri që “boshti i rezistencës” të bëhej më i decentralizuar dhe disa grupe, sidomos milicitë shiite në Irak, të fitonin njëfarë autonomie. Por, ngjarja nuk e prishi ndjeshëm forcën Kuds e as nuk e shpartalloi boshtin.

Disa orë pas vrasjes së Soleimanit, zëvendësi i tij, Esmail Qaani, u promovua.

Vaez thotë se vrasja e Zahedit dhe zëvendësit të tij, megjithatë, ka të ngjarë të jetë më shkatërruese.

“Ndryshe nga rasti i vrasjes së Soleimanit, nuk ka ndonjë dorë të djathtë që të ndërhyjë menjëherë dhe ta mbushë boshllëkun”, thotë Vaez.

“Nëse Irani nuk arrin ta rivendosë mbrojtjen kundër Izraelit, asnjë zyrtar ushtarak iranian nuk do të jetë më i sigurt askund, as në Siri, as në Liban”, thekson ai.

Hakmarrja e Iranit

Irani e përshkroi sulmin në kompleksin e Ambasadës së tij si sulm në territorin iranian. Udhëheqësi suprem, Ajatollah Ali Khamenei, paralajmëroi më 10 prill se Izraeli “duhet të ndëshkohet dhe të dënohet”.

Natën mes 13 dhe 14 prillit, Irani lëshoi mbi 300 raketa dhe dronë drejt Izraelit.

Ishte hera e parë që ky vend sulmoi Izraelin direkt nga territori i tij.

Por, Forca e Mbrojtjes e Izraelit tha se 99% e dronëve dhe raketave të Iranit u rrëzuan përpara se të hynin në hapësirën ajrore izraelite.

Në të kaluarën, Irani është përmbajtur nga sulmet direkte kundër Izraelit, por ka rritur mbështetjen e tij për “boshtin e rezistencës”, për ta çuar luftën në Izrael./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat