Tajvani detekton avionë luftarakë të Kinës

Azia

Tajvani detekton avionë luftarakë të Kinës

Më: 20 prill 2024 Në ora: 11:36
Një avion i ushtrisë tajvaneze.

Më 20 prill, në një periudhë prej tre orësh, përreth ishullit të Tajvanit u detektuan dhjetëra avionë luftarakë kinezë, tha Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit.

Avionët u detektuan vetëm një muaj para se ishulli vetëqeverisës, më 20 maj, të zhvillojë ceremoninë e inaugurimit të presidentit të zgjedhur, Lai Ching-te.

Kina pretendon se Tajvani është pjesë e saj dhe ka thënë se asnjëherë nuk do të përjashtojë mundësinë që përmes forcës të marrë nën kontroll ishullin.

Tensionet mes dy palëve në Ngushticën e Tajvanit janë rritur që nga janari kur zëvendëspresidenti i atëhershëm Lai, që nga Pekini cilësohet si “separatist i rrezikshëm”, u zgjodh presidenti i ri i ishullit.

Ekspertët po ashtu kanë thënë se stërvitjet ushtarake midis Shteteve të Bashkuara dhe Filipineve, që nisin të hënën, afër Detit Jugor Kinez – që Kina pretendon se është pjesë e saj – mund të nxisin Pekinin që të shfaqë forcën përreth Tajvanit.

Ministria e Mbrojtjes në Tajpei tha se të shtunën detektoi 21 avionë luftarakë kinezë përreth Tajvanit, përfshirë avionë luftarakë të llojit J-16, avionë transportues me rreze të mesme veprimi Y-8 dhe dronë.

“Shtatëmbëdhjetë avionë [nga 21 gjithsej] kaluan vijën e mesme, hynë në pjesën tonë veriore, qendrore dhe jugperëndimore [të zonës të mbrojtjes ajrore të identifikuar], së bashku me anijet që shërbejnë për patrullime luftarake”, tha Ministria e Mbrojtjes përmes një postimi në X, që më herët njihej si Twitter.

Tajvani tha se forcat e tij po monitorojnë të gjitha aktivitetet përreth ishullit të ushtrisë kineze.

Pekini, që nuk e njeh ekzistencën e vijës së mesme që gjendet në Ngushticën e Tajvanit, pothuajse në baza ditore dërgon avionë luftarakë dhe luftanije përreth Tajvanit.

Ekspertët kanë thënë se me këto veprime Kina ngacmon Tajvanin, por nuk dëshiron që të përshkallëzojë veprimet deri në luftë. Por, sipas tyre, me këto veprime Pekini synon që të rraskapitë Forcat e Armatosura tajvaneze.

Shtatorin e vitit të kaluar, u shënua rekord i avionëve luftarakë që Kina dërgoi në Tajvan, plot 103.

Para se të mbaheshin zgjedhjet presidenciale në Tajvan, Kina kishte paralajmëruar se nëse do të zgjidhej Lai në krye të ishullit vetëqeverisës, ai do të ishte shkaku i “luftës dhe rënies” së Tajvanit./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat