Dijetarja iraniane Vasmaghi raportohet të jetë liruar me kusht

Azia

Dijetarja iraniane Vasmaghi raportohet të jetë liruar me kusht

Më: 30 prill 2024 Në ora: 14:15
Sedigheh Vasmaghi.

Dijetarja e burgosur islamike dhe aktivistja civile, Sedigheh Vasmaghi është liruar me kusht.

Lirimi i saj u raportua më 29 prill nga kanali Emtadad në Telegram, ku u tha se shëndeti i saj ishte përkeqësuar.

Lajmin e ka konfirmuar një burim i Radio Farda i Radios Evropa e Lirë.

Vasmaghi u arrestua pasi hoqi shaminë nga koka e saj për të protestuar kundër ligjit të detyrueshëm të hixhabit në Iran.

Para lirimit, Vasmaghi i shkroi një komiteti hulumtues të OKB-së për trajtimin e saj në burg, duke thënë se ajo ishte torturuar.

Vasmaghi, e cila është e verbër, u transferua në fillim të këtij muaji nga burgu famëkeq Evin i Teheranit në një spital, mes raportimeve që autoritetet po e pengonin këtë lëvizje, edhe pse ishte këshilluar nga mjekët.

Vasmaghi është autore dhe poete e shquar e cila shpesh i ka kundërshtuar autoritetet iraniane.

Në vitin 2011, ishte lëshuar një urdhërarrest para se ajo të nisej për të dhënë mësim në një universitet në Gjermani.

Më vonë, ajo ishte ftuar nga Rrjeti i pavarur i Refugjatëve i Qyteteve të Pavarura (ICORN), i cili ofron strehim për shkrimtarët dhe artistët në rrezik, për të jetuar në Suedi.

Pasi u kthye në Iran më 2017, ajo u arrestua.

Arrestimin e saj, grupet për të drejtat e njeriut e cilësuan si të nxitur politikisht dhe të lidhur me qëndrimet dhe shkrimet e saj politike.

Në Iran, Vasmaghi e vazhdoi zërin e saj kritik ndaj ligjit të hixhabit dhe politikave të tjera të linjës së ashpër të Republikës Islamike.

Vasmaghi kishte bartur shami të kokës për shumë vjet, por në fund të vitit të kaluar ajo e bëri një paraqitje televizive pa hixhab.

Dhe më 29 tetor, ajo ishte në mesin e dhjetëra personave që u sulmuan nga forcat e sigurisë së Iranit gjatë pjesëmarrjes në varrimin e 17-vjeçares Armita Garavand, e cila vdiq dy javë pas një kacafytjeje të dyshuar me policinë e moralit për hixhabin.

Vdekja e Mahsa Aminit në paraburgimin policor në shtator 2022, pasi ajo ishte arrestuar se gjoja nuk e kishte veshur siç duhet hixhabin, nxiti protesta të mëdha në gjithë vendin për disa muaj, të cilat e vunë në pah mospajtimin publik me ligjin e hixhabit dhe të drejtat e grave.

Autoritetet u përgjigjën me një luftë brutale gjatë të cilës vdiqën mbi 500 protestues dhe duke e vendosur një ligj edhe më të ashpër të hixhabit, i cili parasheh ndëshkime dhe dënime më të ashpra me burgim për shkelësit.

Vasmaghi u shpreh e tronditur pse Republika Islamike, në një kohë të zemërimit të madh publik, merr qëndrime aq drastike kur përballet me protesta publike./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat