Netanyahu: Do të luftojmë me thonj

Azia

Netanyahu: Do të luftojmë me thonj

Më: 10 maj 2024 Në ora: 11:44
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha të enjten se kërcënimi i Shteteve të Bashkuara për ta pezulluar furnizimin me disa armë, nuk do ta parandalojë Izraelin nga vazhdimi i luftës së tij në Rripin e Gazës, duke lënë të kuptohet se ai mund ta pushtojë qytetin e mbipopulluar Rafah.

Presidenti amerikan, Joe Biden, i ka bërë thirrje vazhdimisht Izraelit të mos e pushtojë Rafahun, duke shprehur frikë se një gjë e tillë do ta thellonte katastrofën humanitare në enklavën palestineze.

Të mërkurën, Biden tha se Shtetet e Bashkuara nuk do t’i japin Izraelit armë për të kryer ofensivë në Rafah, duke e rritur trysninë ndaj Netanyahut.

Por, në një komunikatë për media të enjten, Netanyahu tha se “nëse na duhet qëndrojmë të vetëm, do të qëndrojmë të vetëm. Nëse detyrohemi, ne do të luftojmë me thonjtë e gishtërinjve tanë. Por, ne kemi shumë më shumë se vetëm thonj”.

Edhe zëdhënësi i lartë i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari, u përpoq ta ulë rëndësinë e ndikimit në praktikë të mungesës së furnizimit me armë nga SHBA-ja.

“Ushtria ka municione për misionet që i ka planifikuar, edhe për misionet në Rafah, gjithashtu. Ne kemi çfarë na nevojitet”, tha Hagari.

Izraeli vazhdimisht ka kërcënuar se do ta pushtojë Rafahun, ku rreth 1.3 milion palestinezë – mbi gjysma e popullsisë – kanë kërkuar strehim.

Ky qytet, në jug të Gazës, është gjithashtu edhe qendra kryesore e operacioneve humanitare, të cilat janë penguar jashtëzakonisht shumë nga mbyllja e dy pikëkalimeve kryesore të Gazës këtë fundjavë.

Lufta mes Izraelit dhe Hamasit – grupit të shpallur organizatë terroriste nga SHBA dhe Bashkimi Evropian - ka nisur shtatë muaj më parë, kur pjesëtarët e këtij grupi kryen sulme befasuese në tokën izraelite, duke vrarë mbi 1.200 njerëz.

Në luftën hakmarrëse të Izraelit në Gazë janë vrarë afro 35.000 palestinezë prej atëherë, sipas autoriteteve shëndetësore në enklavë.

Ushtria e Izraelit thotë se fitorja kundër Hamasit është e pamundur pa e marrë kontrollin e qytetit Rafah.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat