JERUZALEM – Agjencia e Kombeve të Bashkuara për refugjatët palestinezë, UNRWA njoftoi të premten se i mbylli zyrat e saj në Jeruzalem, pasi protestuesit izraelitë dogjën hapësirën përreth tyre.
Komisioneri i Përgjithshëm i UNRWA-s, Philipe Lazzarini tha se nuk kishte të lënduar, por punonjësit e organizatës u detyruan ta shuajë zjarrin vetë ngaqë zjarrfikësit dhe policia erdhën me vonesë.
Ai shpërndau pamje nga protesta e të enjtes ku turma thërriste “Digjeni OKB-në” në hebraisht. Në një postim në platformën X, zoti Lazzarini e quajti incidentin “zhvillim të paskrupullt”, duke shtuar se “sërish personeli i OKB-së u rrezikua seriozisht.”
Ai tha se për shkak të këtij “incidenti të tmerrshëm”, siç e quajti ai, agjencia ka vendosur të mbyllë kompleksin me zyrat e saj.
Të martën, protestuesit dëmtuan portën e kompleksit, duke nxitur OKB-në që t’i dërgojë një letër proteste autoriteteve izraelite.
Izraeli akuzon UNRWA-n, organizatën më të madhe të ndihmave humanitare në Gazë, për lidhje me Hamasin dhe militantë tjerë palestinezë, disa prej të cilëve dyshohet se ishin pjesëmarrës në sulmin e 7 tetorit që nxiti luftën në Gazë.
UNRWA mohon se ka lidhje me grupe të tilla. Organizata i shkarkoi menjëherë punonjësit pasi u njoftua për akuzat që lidhen me sulmin e tetorit dhe ka nisur një hetim të brendshëm.
Një shqyrtim i pavarur muajin e kaluar gjeti se UNRWA i ka dorëzuar Izraelit listat e plota të mijëra punonjësve të saj çdo vit që nga viti 2011 dhe se Izraeli nuk ka ngritur ndonjë shqetësim për ndonjërin prej tyre.
Sipas këtij shqyrtimi, agjencia ka procedura “të qëndrueshme” në fuqi për të përmbushur parimin e neutralitetit të OKB-së, por gjeti mangësi në zbatimin e tyre./VOA