Izraeli sulmon Gazën, pavarësisht kritikave nga Uashingtoni

Azia

Izraeli sulmon Gazën, pavarësisht kritikave nga Uashingtoni

Më: 11 maj 2024 Në ora: 15:52
Dy djemë të plagosur palestinezë presin me familjet e tyre në spital në Rripin e Gazës (11 maj 2024)

Dy djem të plagosur palestinezë presin me familjet e tyre në spital në Rripin e Gazës (11 maj 2024)

Izraeli sulmoi sërish Gazën të shtunën, megjithë kritikat e vazhdueshme nga Shtetet e Bashkuara për mënyrën e zhvillimit të luftës, si dhe një paralajmërim të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për një katastrofë që u tha se do të ishte “epike”, nëse do të kryhej një sulm frontal në qytetin e mbipopulluar të Rafahut. Në një raport të paraqitur të premten në Kongresin amerikan nga Departamenti i Shtetit thuhet se megjithëse ka baza të arsyeshme për të shqyrtuar nëse Izraeli ka shkelur ligjin ndërkombëtar humanitar, Shtetet e Bashkuara nuk e kanë përcaktuar ende nëse ka patur shkelje dhe se hetimet po vazhdojnë.

Të plagosurit sillen në spitalin në Gazë, ndërsa Izraeli vazhdoi sulmet në pjesën jugore të mbipopulluar të këtij territori.

Të premten, Departamenti i Shtetit paraqiti një raport në Kongres ku thuhet se ka baza të arsyeshme për të shqyrtuar nëse Izraeli ka shkelur ligjin ndërkombëtar humanitar. Sidoqoftë, Shtetet e Bashkuara nuk e kanë përcaktuar ende nëse ka patur shkelje dhe po vazhdon hetimet.

“Këto janë pikëpyetje që po vazhdojmë t’i shqyrtojmë dhe nuk kemi arritur ende në ndonjë përfundim”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller.

Raporti thotë se ndërsa Izraeli i ka mjetet për të shmangur dëmet në radhët e civilëve, niveli i lartë i viktimave ka ngjallur pikëpyetje nëse ushtria izralite po i përdor këto mjete me efikasitet.

Raporti thotë se megjithëse nuk i lejoi fillimisht ndihmat, Izraeli tashmë mundëson kalimin e tyre pas një paralajmërimi që presidenti Joe Biden i bëri kryeministrit Benjamin Netanyahu në muajin prill. Përgatitja e këtij raporti u udhëzua në muajin shkurt nga presidenti Biden me një memorandum për sigurinë kombëtare ku kërkohet të shqyrtohet nëse aleatët e Shtetet e Bashkuara, përfshirë Izraelin, janë duke i përdorur armatimet amerikane në përputhje me ligjin ndërkombëtar.

Raporti konkludon se Shtetet e Bashkuara nuk kanë informacion të mjaftueshëm për të verifikuar nëse armatimet amerikane janë përdorur në veprimtari të paligjshme ushtarake, megjithëse organizatat e të drejtat të njeriut kanë ofruar të dhëna nga çfarë kanë parë në terren.

“Kemi identifikuar raste të caktuara kur janë identifikuar armë të prodhimit amerikan. Dhe mendonim se Departamenti i Shtetit do të konkludonte se ka patur disa shkelje të ligjit ndërkombëtar dhe se për këtë do të merreshin masa. Kur lexon raportin, duket sikur ka patur konkluzione për përdorim armësh jo në përputhje me ligjin ndërkombëtar humanitar. Por, nuk duket se do të ndryshohet kjo praktikë”, thotë Amanda Klasing, nga organizata e të drejtave të njeriut “Amnesty International USA”.

Disa ligjvënës kanë kërkuar më shumë mbikëqyrje, pasi nuk ekziston aktualisht një mekanizëm për të monitoruar se si përdoren armatimet amerikane.

“Procesi i monitorimit verifikon vetëm nëse armët gjenden në duart e personave të duhur, por jo se si përdoren ato. Prandaj memorandumi i presidentit bazohej shumë tek të dhënat nga organizatat humanitare për abuzime të mundshme me armatimin amerikan. Vetë qeveria amerikane nuk ka autoritetin për të monitoruar rregullisht përdorimin e armëve”, thotë Ari Tolany, nga Qendra për Politikën Ndërkombëtare.

Më herët këtë javë, administrata e presidentit Biden pezulloi dërgimin për në Izrael të 3500 predhave të kalibrit të madh.

Kjo masë u mirëprit nga progresistët në Partinë Demokrate të presidentit Biden.

“Ligji është jashtëzakonisht i qartë. Nëse ka evidencë të besueshme për abuzim të madh me të drejtat e njeriut, ndihmat duhet të ndalen”, tha ligjvënësja demokrate Katie Porter.

Por, pati kritika nga zyrtarët republikanë.

“Hamasi del fitimtar nëse mbijeton në Rafah. Dhe Joe Biden-i ka kërcënuar se nuk do t’i japë armatime Izraelit për të luftuar në Rafah. Pra, Joe Biden-i favorizon qartazi një fitore të Hamasit ndaj Izraelit”, tha senatori republikan Tom Cotton.

Ndërkaq, protestat në mbështetje të palestinezëve vazhdojnë në kampuset e universiteteve amerikane./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat