Izraeli do t’i përgjigjet akuzës për gjenocid në GJND pas kërkesës për armëpushim

Azia

Izraeli do t’i përgjigjet akuzës për gjenocid në GJND pas kërkesës për armëpushim

Më: 17 maj 2024 Në ora: 09:15
Ndërtesa e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë të Holandës. Fotografi nga arkivi.

Izraeli do të përgjigjet ndaj akuzës për gjenocid në gjykatën më të lartë të Kombeve të Bashkuara më 17 maj, pasi Afrika e Jugut dorëzoi një kërkesë urgjente pranë gjykatës, duke kërkuar që të lëshohet urdhri për armëpushim në Gazë.

Kjo është hera e tretë që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) mban seanca dëgjimore për luftën mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – që kur Afrika e Jugut ngriti çështje në dhjetor pranë kësaj gjykate që ka selinë në Hagë.

Të enjten, Afrika e Jugut i tha gjykatës se situata në Gazë ka arritur “në një fazë të re dhe të tmerrshme” dhe u bëri thirrje 15 gjyqtarëve që të ndërmarrin veprim urgjent. Izraeli duhet “plotësisht dhe pa kushte” të tërhiqet nga Rripi i Gazës, tha Vusimuzi Madonsela, ambasador i Afrikës së Jugut në Holandë.

Afrika e Jugut ka dorëzuar katër kërkesa në GJND për të hetuar Izraelin. Sipas kërkesës së fundit, shteti tha se inkursioni ushtarak i Izraelit në Rafah kërcënon “mbijetesën e palestinezëve në Gazë”.

Gjatë seanca dëgjimore që u mbajtën më herët gjatë këtij viti, Izraeli mohoi fuqishëm akuzën se po kryen gjenocid në Gazë, duke thënë se po bën gjithçka që mundet për të kursyer civilët dhe se po shënjestron vetëm radikalët e Hamasit. Izraeli thotë se Rafahu është bastioni i fundit i Hamasit.

Në janar, gjykatësit urdhëruan Izraelin që të bëjë gjithçka që mundet për të parandaluar vdekjen, shkatërrimin dhe çdo akt të gjenocidit në Gazë, por paneli i gjyqtarëve nuk e urdhëroi që t’i japë fund ofensivës ushtarake.

Gjykata veçse ka gjetur se palestinezët në Gazë janë në “rrezik të vërtetë” nga operacionet ushtarake të Izraelit.

Ky mund të jetë shansi i fundit që gjykata të veprojë”, tha avokati Blinne Ni Ghralaigh, që është pjesë e ekipit ligjor të Afrikës së Jugut.

GJND-ja ka fuqi të gjera sa i përket lëshimit të një urdhri për armëpushim dhe masave të tjera, edhe pse gjykata nuk ka aparatin e vet që të zbatojë këto vendime.

Shumica e popullsisë prej 2.3 milionë banorësh e Gazës është zhvendosur që kur nisën luftimet.

Lufta nisi pasi Hamasi sulmoi Izraelin më 7 tetor, duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë. Më shumë se 35.000 palestinezë janë vrarë në luftë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, institucion që nuk bën dallimin mes civilëve dhe luftëtarëve në shifrat e publikuara për viktimat.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat