Rritet në 148 numri i gazetarëve të vrarë nga lufta në Gaza

Azia

Rritet në 148 numri i gazetarëve të vrarë nga lufta në Gaza

Më: 20 maj 2024 Në ora: 09:41
Foto ilustrim

Numri i gazetarëve të vrarë nga ushtria izraelite në Rripin e Gazës është rritur në të paktën 148, transmeton Anadolu.

Abdullah al-Najjar ishte viktima e fundit e bombardimeve izraelite, të cilat vranë gjithashtu dhjetëra civilë gjatë natës së kaluar në kampet e refugjatëve al-Nuseirat, Bureij dhe Jabaliya në enklavën e bllokuar dhe në qytetet Beit Lahiya, Rafah dhe Gaza.

Agjencia palestineze e lajmeve ËAFA tha se tre persona u vranë dhe shumë të tjerë u plagosën në një sulm ajror në një shtëpi në kampin verior të refugjatëve al-Nuseirat në Gazën qendrore. Civilë të tjerë u vranë dhe u plagosën gjithashtu në një sulm ajror në shtëpinë e familjes Shaheen në qytetin Gaza dhe nga zjarri intensiv i artilerisë izraelite në zonat në veri të enklavës.

Pjesa veriore, lindore dhe qendrore e qytetit Rafah dhe kampi i refugjatëve Bureij ishin sërish objektiva të avionëve luftarakë izraelitë.

Izraeli vazhdon ofensivën brutale në Gaza pavarësisht një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon një armëpushim të menjëhershëm. Pothuajse 35.400 palestinezë janë vrarë, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe mbi 79.300 të tjerë janë plagosur që nga tetori i vitit të kaluar pas një sulmi nga Hamasi.

Më shumë se shtatë muaj pas luftës izraelite, zona të gjera të Gazës janë kthyer në rrënoja mes një bllokade gjymtuese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.

Izraeli akuzohet për “gjenocid” në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila ka urdhëruar Tel Avivin të sigurojë që forcat e tij të mos kryejnë akte gjenocidi, si dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat