Kush ishte ministri i Jashtëm i Iranit?

Azia

Kush ishte ministri i Jashtëm i Iranit?

Më: 20 maj 2024 Në ora: 10:54
Ministri i Jashtëm i Iranit, Hossein Amir-Abdollahian

Ministri i Jashtëm i Iranit, Hossein Amir-Abdollahian, një figurë konservatore që gëzonte mbështetjen e Korpusit të fuqishëm të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), vdiq në moshën 60-vjeçare.

Amir-Abdollahian dhe presidenti ultra-konservator, Ebrahim Raisi, po ktheheshin nga një vizitë në kufi me Azerbajxhanin, më 19 maj, kur helikopteri i tyre u rrëzua në veriperëndim të Iranit, duke shkaktuar vdekjen e të gjithë personave në bord.

Kryediplomati iranian ishte dyshues ndaj Perëndimit dhe mbështetës i zëshëm i “boshtit të rezistencës” - një rrjet i grupeve militante të Iranit që kundërshtojnë Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara.

Emërimi i tij në vitin 2021 u pa si mungesë e vullnetit të administratës së Raisit për t’u angazhuar me Perëndimin. Thuhej se ai fliste rrjedhshëm gjuhën arabe, ndërsa anglishtja e tij dukej e kufizuar.

I lindur në qytetin verior të Damghanit, në vitin 1960, Amir-Abdollahian nuk u regjistrua për të luftuar në luftën shkatërruese midis Iranit dhe Irakut më 1980-88.

Ai ndoqi universitetin dhe kreu doktoraturën në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Ai u ngjit shpejt në shkallët e Ministrisë së Jashtme dhe pozita e tij e parë ishte në Ambasadën e Iranit në Irak, në fund të viteve 1990.

Diplomati i ri, atëkohë, u emërua në një delegacion prej tre personash, për ta përfaqësuar Iranin në bisedimet e rralla me Shtetet e Bashkuara për luftën në Irak.

Amir-Abdollahian shërbeu në role të ndryshme në ministri, përfshirë ambasador në Bahrejn, zëvendësministër për Çështjet Arabe dhe Afrikane dhe udhëheqës i Departamentit të Gjirit Persik.

Ministri i Jashtëm iranian, Hossein Amir-Abdollahian (majtas) ulur pranë presidentit iranian, Ebrahim Raisi.

Përfshirja e tij në marrëdhëniet e Teheranit me Irakun dhe në aktivitetet e IRGC-së në fqinjin perëndimor të Iranit, i mundësoi atij të krijonte një marrëdhënie me Qasem Soleimanin, komandant i Forcës Quds - krahut jashtë shtetit të IRGC-së. Soleimani u vra në një sulm ajror të SHBA-së pranë Bagdadit, në vitin 2020.

Përpara se të emërohej ministër i Jashtëm, ligjvënësi konservator, Ali Alizadeh, e cilësoi Amir-Abdollahianin si “Soleimani i diplomacisë”.

Në vitin 2016, mes thashethemeve se kishte konflikt me ministrin e atëhershëm të Jashtëm, Mohammad Javad Zarif, ai e refuzoi ofertën për t’u bërë i dërguar i Iranit në Oman dhe u largua nga ministria.

Por, shpejt pas kësaj, Amir-Abdollahian u emërua këshilltar për punët e jashtme i kryetarit të atëhershëm të Kuvendit, Ali Larijani, ku qëndroi derisa u emërua ministër i Jashtëm.

Amir-Abdollahian la pas gruan dhe dy fëmijët e tyre./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat