Hamasi kundërshton kërkesën e GJND-së për urdhër-arrest kundër tre liderëve të saj

Azia

Hamasi kundërshton kërkesën e GJND-së për urdhër-arrest kundër tre liderëve të saj

Më: 20 maj 2024 Në ora: 16:14
Foto ilustrim

Hamasi ka kundërshtuar kërkesën e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për urdhër-arrest të tre prej liderëve të saj lidhur me sulmet e 7 tetorit në Izraelin jugor.

Në një deklaratë të hënën, Hamasi tha se “dënon fuqishëm përpjekjet e Prokurorit të GJND-së për të barazuar viktimat me agresorët duke lëshuar urdhër-arreste kundër një numri liderësh të rezistencës palestineze pa bazë ligjore”.

Prokurori i GJND-së, Karim Khan, lëshoi ​​kërkesa për urdhra arresti për Yahya Sinwar, udhëheqësin ushtarak të Hamasit në Gaza, si dhe dy figura të tjera të larta të Hamasit – Mohammed Diab Ibrahim al-Masri, udhëheqësi i Brigadave Al Qassem dhe i njohur më mirë si Mohammed Deif dhe Ismail Haniyeh, lideri politik i Hamasit.

Hamasi tha se urdhër-arrestet për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ministrin e mbrojtjes Yoav Gallant lidhur me fushatën ushtarake të Izraelit në Gaza kishin ardhur “shtatë muaj me vonesë”, kohë gjatë së cilës “pushtimi izraelit kreu mijëra krime kundër civilëve palestinezë, duke përfshirë fëmijë, gra, mjekë, gazetarë dhe shkatërrimi i pronave private dhe publike, xhamive, kishave dhe spitaleve”.

Prokurori duhet të kishte lëshuar urdhra arresti kundër “të gjithë drejtuesve përgjegjës të okupimit që dhanë urdhra dhe ushtarëve që morën pjesë në kryerjen e krimeve”, sipas statutit të gjykatës, shtoi grupi militant, raporton CNN.

“Hamasi i bën thirrje Prokurorit të GJND-së që të lëshojë urdhër-arreste kundër të gjithë kriminelëve të luftës në mesin e udhëheqësve okupues, oficerëve dhe ushtarëve që morën pjesë në krimet kundër popullit palestinez dhe kërkon anulimin e të gjitha urdhërarresteve të lëshuara kundër liderëve të rezistencës palestineze”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat