Të mërkurën në Teheran u mbajt ceremonia e varrimit e presidentit të vendit Ebrahim Raisi, ministrit të jashtëm Hossein Amirabdollahian, si dhe zyrtarëve të tjerë, që humbën jetën në fillim të kësaj jave, pas rrëzimit të helikopterit me të cilin po udhëtonin.
Udhëheqësi suprem i Iranit Ali Khamenei u lut mbi arkivolet e tyre e më pas turma prej qindra mijëra njerëzish, ndoqi kortezhin për nder të viktimave, në bulevardin kryesor të kryeqytetit.
Vëzhguesit thanë se pjesmarrja në funeral ishte dukshëm më e ulët se në ceremoninë e varrimit në vitin 2020 për nder të gjeneralit të Gardës Revolucionare Qassem Soleimani, i cili u vra pas një sulmi amerikan me dron në Bagdad.
Shumë nga pjesëmarrësit thanë se kishin ardhur nga zona të tjera të Republikës Islamike, një tregues se si e shihnin Ebrahim Raisin, ata që jetojnë në kryeqytetin e vendit.
Ky i fundit fitoi presidencën me një pjesëmarrje të ulët rekord dhe më vonë mbikëqyri goditjet e përsëritura ndaj disidentëve, përfshirë protestat pas vdekjes së Mahsa Aminit në vitin 2022, e cila u vra në duart e policisë së moralit, pasi nuk mbante shami në kokë.
Vdekja e zyrtarëve të lartë iranianë vjen në një moment politikisht delikat për Iranin, si brenda ashtu edhe jashtë vendit.
Presidenti 63 vjeçar, Ebrahim Raisi, diskutohej si pasardhësi i mundshëm i udhëheqësit suprem të Iranit, 85-vjeçarit, Ali Khamenei.
Asnjë nga presidentët e kaluar, që janë ende gjallë të Iranit - përveç zotit Khamenei, i cili ka qenë president nga 1981 deri në 1989-ën - nuk u panë në pamjet televizive që transmetoi televizioni shtetëror të mërkurën.
Autoritetet nuk dhanë asnjë shpjegim mbi mungesën e tyre.
Autoritetet kanë caktuar tashmë 28 qershorin si datë për zhvillimin e zgjedhjeve të ardhshme presidenciale. Për momentin nuk ka asnjë favorit të qartë për këët detyrë në mesin e elitës politike të Iranit, veçanërisht asnjë që të jetë një klerik shiit, si zoti Raisi.
Muajin e kaluar gjatë mandatit të Embrahim Raisit, Irani nisi një sulm të pashembullt ndaj Izraelit, ndërsa ky i fundit vazhdonte goditjen e Hamasit, në Rripin e Gazës.
Irani e ka mbështetur grupin militant gjatë gjithë luftës dhe ka ofruar armatime për të.
Udhëheqësi i Hamasit Ismail Haniyeh mori pjesë në lutjet e së mërkurës në mëngjes, vetëm dy ditë pasi prokurori i Gjykatës Penale Ndërkombëtare tha se do të kërkonte një urdhër-arresti për të dhe të tjerë persona, lidhur me sulmin e 7 tetorit, që u bë shkak për luftën Izrael-Hamas.
Në sulmin e pashembullt në jug të Izraelit, militantët e udhëhequr nga Hamasi vranë 1200 persona dhe morën peng 250 të tjerë. Që nga fillimi i luftimeve mes Izraelit dhe Hamasit janë vrarë mbi 35 mijë palestinezë, sipas ministrisë së Shëndetësisë të udhëhequr nga grupi militant./VOA