Netanyahu refuzon kërkesat e Hamasit

Azia

Netanyahu refuzon kërkesat e Hamasit

Më: 26 maj 2024 Në ora: 21:52

Grupi militant palestinez Hamas tha të dielën se kishte lëshuar një breshëri raketash në Tel Aviv për herë të parë pas disa muajsh, ndërkohë që Izraeli ka mbledhur kabinetin e luftës.

Sirenat e sulmit ajror u dëgjuan në qytetin bregdetar të Mesdheut dhe në të gjithë Izraelin qendror sot pasdite për herë të parë qe nga janari, pasi Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) thanë se ishin lëshuar tetë raketa nga zona e Rafahut.

Aftësia e grupit për të gjuajtur raketa dhe dron drejt territorit izraelit është zvogëluar në mënyrë të vazhdueshme gjatë tetë muajve të luftës.

Shumica e raketave u kapën, megjithëse kishte raportime se dy gra pësuan lëndime të lehta gjatë rrugës. Disa fluturime nga aeroporti Ben Gurion u vonuan ose u anuluan.

Në një deklaratë në kanalin Telegram, krahu ushtarak i Hamasit tha se raketat u lëshuan në përgjigje të "masakrave kundër civilëve".

Ministri i Sigurisë Kombëtare Itamar Ben-Gvir, iu përgjigj sulmit me një postim në rrjetin X: “Rafah! Me fuqi të plotë!” Ndërsa Benny Gantz, një anëtar i kabinetit të luftës izraelite shtoi se IDF duhet të veprojë kudo që të jetë Hamasi, raporton Guardian.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka shprehur kundërshtim të fortë ndaj kërkesave të bëra nga Yahya Sinwar, lideri i Hamasit, në negociatat e vazhdueshme për lirimin e pengjeve.

“Ndërsa kryeministri Netanyahu herë pas here i dha ekipit negociator një mandat të gjerë për të liruar pengjet tanë, Sinwar vazhdon të kërkojë fundin e luftës, tërheqjen e IDF nga Rripi i Gazës dhe lënien e Hamasit të paprekur, në mënyrë që të mund të kryejë mizoritë e 7 tetorit pa pushim”, tha zyra e kryeministrit izraelit.

"Kryeministri Netanyahu e kundërshton fuqishëm këtë. Informatat nga ekipi negociator vetëm sa forcojnë pozicionin e Hamasit, dëmtojnë familjet dhe vonojnë lirimin e pengjeve tanë."

Komentet e Netanyahu erdhën përpara takimit të kabinetit të luftës të së dielës, i cili aktualisht është duke u zhvilluar, sipas CNN.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat