Bindin Flamurtari dhe Tirana

Basketboll

Bindin Flamurtari dhe Tirana

Më: 4 prill 2024 Në ora: 13:51
Flamurtari

Kampionati kombëtar i basketbollit për femra ka ulur siparin e javës së 20-të, duke iu afruar tashmë fundit të sezonit të rregullt, teksa ka mbetur edhe një javë për tu luajtur. Me skuadrat e “play off”-it tashmë të zyrtarizuara: Flamurtari, Tirana, Partizani dhe Vllaznia, ekipet po i shfrytëzojnë këto ndeshje të fundit më shumë si teste për pjesën e finale. Gjithsesi kjo javë dhuroi përballje interesante mes ekipeve që janë pjesë e katërshes së parë.

Në Vlorë, Flamurtari fitoi kryendeshjen ndaj Partizanit me rezultatin 71-63 (19-9, 18-19, 17-20, 17-15). Vlonjatet e bënë diferencën në periodën e parë, për ta ruajtur epërsinë në periodat e mbetura. Lojtarja e ndeshjes ishte Asia Henderson me 25 pikë dhe 12 kërcime për Flamurtarin, ndërsa në radhët e të kuqeve spikati Antoniette Bannister me 19 pikë.

24 orë pasi varën në qafë medaljet e bronzit në Ligën Unike, vajzat e Tiranës regjistruan fitoren e radhës edhe në kampionat, duke u konfirmuar si forcë e dytë. Ekipi bardheblu mundi Vllazninë me rezultatin 61-48 (15-13, 25-18, 10-13, 11-4) në “Farie Hoti”. Kryeqytetaset e bënë diferencën në periodën e dytë dhe të fundit, ndërsa MVP u shpall Dajana Baraj me 18 pikë dhe 7 kërcime për Tiranën.

Për Vllazninë spikati e zakonshmja Bernarda Rreshpja, autore e 17 pikëve dhe 6 kërcimeve. Teuta mposhti Elbasanin në Durrës me rezultatin treshifror 101-47 (17-17, 33-11, 27-5, 24-14). Paraqitje fantastike nga amerikania Dymond Mone Mcelrath me 39 pikë, 7 kërcime dhe 9 asistime për durrsaket.

Në derbin universitar të zhvilluar të martën në “Asllan Rusi”, Studenti mundi Barletin me rezultatin e thellë 78-31 (24-5, 19-9, 21-6, 14- 11). Efikasitetin më të lartë e kishte Marina Pëllumbi me 17 pikë dhe 7 kërcime për Studentin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat