Finalja e titullit, një derbi i kryeqytetit

Basketboll

Finalja e titullit, një derbi i kryeqytetit

Më: 18 prill 2024 Në ora: 21:27
Pamje nga një ndeshje

Pas Superligës së femrave, edhe niveli më i lartë i Kampionatit Kombëtar të Volejbollit për meshkuj, Superliga, ka vijuar rrugëtimin e “play-off”-it të titullit, duke përcaktuar edhe dy skuadrat finaliste. Kështu, pasi e pati mbyllur shpejt, në 3 sete, duelin e parë në shtëpi ndaj Vllaznisë, Partizani ka vijuar të fitojë, këtë radhë në 4 sete, në takimin e dytë, të zhvilluar në Shkodër, duke e mbyllur në dy ndeshje çështjen e kalimit në finale.

Ndërkaq, në duelin tjetër, Tirana e pati mbyllur në 4 sete duelin e parë në fushë të huaj ndaj Erzenit, por në takimin e dytë, të zhvilluar në kryeqytet, shijakasit kanë fituar 3-2, duke bërë kështu që, ndryshe nga i pari, ky duel i dytë i gjysmëfinaleve të “play-off”-it të titullit në Superligën e volejbollit të meshkujve të kërkojë takimin e 3-të, që u luajt të enjten në mbrëmje në Arenën Sportive “Dhimitraq Goga” në Shijak.

Dhe sfida që është sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH Sport, dhe pamje të të cilit na sjell kjo kronikë, ka parë skuadrën mike, e drejtuar nga trajneri Ben Sako, ta mbyllë gjithçka në 3 sete, në afro një orë e 15 minuta lojë. Tirana e ka fituar setin e parë, me shifrat 25-15, duke vijuar të mbizotërojë edhe në të dytin, duke e fituar edhe atë me rezultatin 25-18 dhe duke kryesuar kështu 2-0 me sete.

Erzeni nuk ka patur fuqi të reagojë as në setin e 3-të, pasi Tirana do ta fitojë edhe atë, madje thellë, 25-12, dhe gjithë takimin  3-0, e duke siguruar vendin në finale.

Kështu, dueli final për trofeun e madh për titullin “kampion” do të jetë një derbi i kryeqytetit, pasi Partizani do të përballet me Tiranën, me skuadrën që shpallet më e mira pasi korr 3 fitore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat