Peja dënohet rëndë

Basketboll

Peja dënohet rëndë

Më: 23 prill 2024 Në ora: 16:16
Peja

Peja është dënuar të martën nga Komisioni i Garave i FBK-së, që drejtohet nga Armend Hamiti.

Dënimi më i rëndë për Pejën është 5000 euro dhe dy ndeshje pa spektatorë. Peja është dënuar pasi “1:54 minuta pa përfunduar çereku i katërt i ndeshjes së parë me Yllin, ka pasur hedhje të gjësendeve të forta në fushë si shkrepëse e shkopinj të daulles.

Në ballë me një gjësend të paidentifikuar është goditur lojtari i Yllit, Alonzo Verge Jr.

Ai ka pësuar lëndime të lehta dhe gjyqtarët morën vendim për të zbrazur pjesën e tribunës prapa koshit, prej nga kishte hedhje të gjësendeve”.

Pika 51.23 e propozicioneve të garave parasheh gjobë prej 5000 euro dhe dy ndeshje pa shikues “për shkaktim të lëndimeve të lehta ndaj lojtarëve, zyrtarëve, gjyqtarëve apo vëzhguesve nga hedhjet e gjësendeve në fushën e lojës”. Dhe në bazë të kësaj pike u dënua klubi pejan.

Ky nuk ishte dënimi i vetëm i shqiptuar për ndeshjet e para gjysmëfinale të plejofit në Superligën e Kosovës në basketboll.

Trajneri i Pejës, Rami Hadar është dënuar me 300 euro. Lojtarët e Yllit, Nate Grimes dhe Alonzo Verge Jr janë gjobitur me nga 100 euro, njëjtë si Malcolm Armstead i Prishtinës.

Ndërkohë Trepça është gjobitur me 1200 euro. Në ndeshjen Trepça – Sigal Prishtina kishte fyerje në kor ndaj lojtarit Dardan Berisha dhe hedhje të gjësendeve të forta në fushën e lojës.

Ylli të shtunën e mposhti Pejën me rezultat 87:84.

Dy arbitra të huaj dhe një i vendit e drejtuan atë ndeshje.

Të dielën, Trepça fitoi ndaj Sigal Prishtinës me rezultat 87:81. Dy arbitrat e huaj, përkatësisht Gintaras Vitkauskas i Lituanisë dhe Yener Yilmaz i Turqisë, ishin të angazhuar edhe në ndeshjen në Mitrovicë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat