Peja reagon: Dënimi i shqiptuar për KB Pejën është më i madhi i dy sezoneve të fundit 

Basketboll

Peja reagon: Dënimi i shqiptuar për KB Pejën është më i madhi i dy sezoneve të fundit 

Më: 24 prill 2024 Në ora: 14:49
Foto ilustrim

Klubi i basketbollit Peja ka reaguar në lidhje me dënimet e fundit që iu shqiptuan nga Komesari i Garave i Federatës së Basketbollit të Kosovës.

“Dje, KB Peja u dënua me dy ndeshje pa praninë e tifozëve dhe 5,000 euro pas incidenteve që ndodhën në ndeshjen kundër Golden Eagle Yllit. Lajmin të cilin nga entuziasmi e postuan së pari në media, para se të njoftoheshim nga organet përkatëse ne si klub.

Fillimisht, e përsërisim për mbi të dhjetën herë - që jemi kundër dhunës në sport, kemi punuar maksimalisht kundër dhunës gjatë gjithë sezonit duke qenë skuadra që paguan më shumë se të gjithë për polici dhe sigurim privat, që ndeshja të nis dhe përfundoj në mënyrën e duhur. Fatkeqësisht, disa individa dalin dhe prishin gjithë mundin tonë, por KB Peja zotohet që do vazhdojë luftën ndaj dhunës në sport derisa ky fenomen të zhduket te çdo individ.

Së dyti, siç jemi kundër dhunës në sport - jemi edhe kundër pabarazisë në sport. Dënimi i shqiptuar për KB Pejën është më i madhi i dy sezoneve të fundit - edhe pse në vendin tonë, në shume raste, është shpërfaqur dhunë tejet më e madhe në palestrat tjera. 

Për një arsye apo tjetrën, është pritur që ky rast të ndodh në Pejë që të kulmojnë dënimet - pavarësisht që raste si kjo, madje edhe shumë më të rënda, të cilat i kemi të dokumentuara me fakte, kanë ndodhur në vendin tonë dhe nuk ka pasuar fare dënimi, ose ka pasuar dënimi shumë më i vogël.

KB Peja ka investuar jashtëzakonisht shumë dhe vazhdon të investoj për të mirën e basketbollit kosovar - si më përpara edhe tash, kemi qenë gjithmonë akterë kryesor në disa nga spektaklet më të mëdha të basketbollit në vend, por edhe në arenën Europiane, goditje si kjo e fundit, nuk na ndihmojnë neve, por dëmtojnë edhe basketbollin kosovar.

E përsërisim, dhuna në sport është e patolerueshme, por edhe pabarazia. Kërkojmë barazi në shqiptimin e dënimeve, kërkojmë barazi në ndarjen e drejtësisë, kërkojmë që të gjitha skuadrat basketbollistike në Kosovë të trajtohen me të njëjtën monedhë.

Ne do vazhdojmë luftën kundër dhunës, me shpresën që ju do vazhdoni luftën kundër pabarazisë”, reagon KB Peja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat